Mjeku i njohur i qytetit të Ulqinit Mervan Haxhibeti, ish arsimtari i njohur Rexhep Kokaj, mjeshtri i rrallë dhe i palodhur Sokol Kurti janë vetëm disa persona që na lanë këtë fundjavë. Numri i të infektuarëve për çdo ditë është vetëm në rritje kurse atmosfera në qytetin e Ulqinit është e zymtë dhe me shumë frikë te qytetarët, shkruan Ulqini Online.
Rrugët janë pothuajse të boshatisura, shetitoret poashtu. Lëvizja me automjete në rrugët e qytetit është ulur ndjeshëm dhe njerëzit lëvizin vetëm për nevoja të domosdoshme. Në të vetmin vend ku mund të shohësh njerëz me shumicë është hyrja në Shtëpinë e shëndetit ku njerëzit presin për të marrë udhëzimet dhe terapinë e nevojshme.
Qyteti Ulqinit ka numrin më të madh të të infektuarëve për kokë banori në Malin e Zi kurse Mali i Zi tashmë është i dyti në botë sa i përket infektimeve në 1 milion banor me shifren 127,004/1M, menjëherë pas Andorës. Nga këto dy të dhëna mund të përfundojmë se qyteti i Ulqinit për momentin është ndoshta edhe qyteti më i prekur në rruzullin tokësor.
Festat e 7 dhe 8 Marsit këtë vit nuk po e kanë kuptimin e plotë të vet.