Nga Xheladin Zeneli
Na ndajmë edhe pak ditë nga inaugurimi i Joe Biden për president të ardhshëm të SHBA-ve. Biden është shumë i njohur për shqiptarët, pasi që gjatë kohës kur ai ishte senator në vietet “90-ta ,ka qenë i angazhuar për çështjen e Kosovës, përkatësisht për lirinë dhe pavarësinë e saj.Ai ishte gjithashtu i njohur edhe për qendrimet e tija të ashpërta kundër politikës së diktatorit dhe kriminelit Millosheviq.
Por ajo çfarë mund të jetë më pak e njohur për publikun është angazhimi i Biden në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi . Konkretisht bëhet fjalë për rastin e aksionit famëkeq i arrestimit të shqiptarëve në vitin 2006 , i koduar nga organet e sigurimit të Malit të Zi ,me emrin “Fluturimi i Shqiponjës”.
Biden: “ Shpreh shqetësimin tim të thellë për arrestimin dhe torturimin e 14 shqiptarëve nga ana e policisë malazeze “
Me rastin e arrestimit dhe torturimit te grupit të shqiptarëve në Malësi në vitin 2006, LQSHA , respektivisht kryetari i saj z. Joseph DioGuardi dhe Këshilltarja për Çështje Ballkanike pranë LQSHA, znj. Shirley Cloyes DioGuardi , muarën inicijativën për sensibilizimin e çështjes në fjalë me ç’rast u angazhua senatori i atëherëshëm Joe Biden i cili i shkroi një letër kryeministrit të atëherëshëm të Malit të Zi.
Ja dhe teksti i plotë i letrës së Joe Biden e cila mban datën e 21 Nëntorit 2006 :
Shkëlqesisë së tij Zheljko Shturanoviq ,kryeministër i Republikës së Malit të Zi, Podgoricë
I nderuar kryeministër:
Ju lutem t’i pranoni urimet e mia të ngrohta për fushatën e suksesshme të Malit të Zi për pavarësi dhe për zgjedhjen tuaj të kohëve të fundit si kryeministër. Mali i Zi e ka potencialin të bëhet një shembull me rëndësi i demokracisë dhe stabilitetit në Evropën juglindore. Unë mirëpres rastin e bashkëpunimit me ju dhe me qeverinë tuaj në rrugën tuaj drejt një prosperiteti më të madh dhe drejt një roli të zgjeruar në institucionet euroatlantike.
Falë këtij besimi tim të lartë në Malin e Zi dua t’i shpreh pikëpamjet dhe shqetësimin tim të thellë lidhur me arrestimin nga ana e qeverisë tuaj në fillim të muajit shtator të katërmbëdhjetë shqiptarëve, tre prej te cilëve shqiptarë me shtetësi amerikane dhe më pas mbajtjen e tyre në gjendje paraburgimi. Grupe të respektuara për aktivitetin e tyre në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut ju kanë akuzuar se disa prej këtyre personave i janë nënshtruar torturës dhe abuzimit fizik në duart e autoriteteve malazeze. Veç kësaj, më ka shqetësuar shumë edhe mosgatishmëria e qeverisë malazeze për t’i ngritur akuzat kundër këtyre personave edhe pas mbajtjes së tyre kaq të gjatë në paraburgim.
Si vendi më i ri në Evropë dhe vend që aspiron të fitojë anëtarësimin në disa institucione të rëndësishme multilaterale, Mali i Zi ka obligimin e rëndësishëm për të demonstruar dhe dëshmuar përkushtimin e tij në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në sundimin e ligjit. Ndaj në përputhje me këtë, shpresoj që vendi juaj do të veprojë menjëherë në mënyrë që kundër të arrestuarve ose t’i ngre akuzat gjegjëse ose ata t’i lirojë një nga një sipas rastit të secilit person në fjalë. Mbajtja e tyre e vazhdueshme në gjendje paraburgimi në mungesë të çfarëdo akuze penale mund ta dëmtojë reputacionin e Malit të Zi si vend që respekton proceset ligjore dhe u përmbahet standardeve ndërkombëtare.
Veç kësaj, u bëj thirrje që akuzat shqetësuese për brutalitetin e forcave policore ndaj të arrestuarve në fjalë të hetohen plotësisht dhe në hollësi dhe të gjithë zyrtarët qeveritarë të japin përgjegjësinë ligjore për fajin e bërë apo shkeljet e ndryshme të ligjit nga ana e tyre.
Z. kryeministër po e cek sërish se besoj që Mali i Zi ka një të ardhme premtuese si partner i SHBA-ve dhe vend anëtar dinamik i një komuniteti më të madh euroatlantik. Shpresoj që ju do të veproni shpejt për të pamundësuar kështu dëmtimin e progresit të Malit të Zi nga problemet e përmendura më sipër të shfaqura gjatë kohëve të fundit.
Juaji sinqerisht,
Joseph R. Biden, Jr. /
Senator
Inaugurimi i z. Biden si president i ardhshëm i SHBA, me 20 Janar 2021, do të shënojë një ngjarje me rëndësi historike për shqiptarët në Mal të Zi, sepse Joe Biden do të jetë presidenti i parë amerikan i cili , gjatë kohës kur ishte senator,ishte i angazhuar për mbrojtjen e drejtave edhe të kësaj pjese të shqiptarëve në Ballkan, pra shqiptarëve në Mal të Zi.
Referenca: Arkiva e LQSHA