Drejtori Miodrag Androviq mbron mësuese Florindën
Mësuese Florinda Basha ka shënuar festën më të madhe shqiptare, 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, me një fotografi me nxënësit duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare. Këtë fotografi mësuese Florinda e ka shpërndarë në rrjetin social dhe u kjo u bë temë pasi u publikua edhe në faqet e portalit Vijesti.
Pas shpërndarjes së fotografisë, partia SNP (Partia popullore e socialistëve) ka kërkuar nga ministri i arsimit Damitr Shehoviq që të reagojë, pasi sipas tyre nxënësit janë keqpërdorur për qëllime politike, transmeton Ulqini Online.
Por mendim ndryshe ka drejtori i shkollës fillore ‘’Boshko Strugar’’ Miodrag Androviq i cili në gjithë këtë nuk sheh asgjë kontestuese.
“Nuk mendoj se janë shkelur ligjet. Kjo është një ditë që festohet nga të gjithë shqiptarët dhe kolegia ime ka vepruar në përputhje me Kushtetutën. Pas historisë për Marko Milanov, ajo i pyeti nxënësit nëse e dinin se çfarë do të thoshte data e nesërme. Fëmijët thanë se e dinin dhe më pas u bë një inçizim. Nëse dikush mendon se kjo nuk është dashur të bëhet, le të fillojë procedurat, për sa më përket mua, gjithçka është e qartë,” i tha drejtori Androviq portalit Vijesti.
Mësuese Florinda as nuk ka dashur të komentojë për kinse keqpërdorim të nxënësve për qëllime politike.
Reagime të shumta ka pasur në rrjetet sociale në pjesën e komenteve, të cilët për këtë veprim të mësueses kërkonin edhe pezullim nga puna.