“Nuk vdes ai që mbulohet, por vdes ai që harrohet”

Nga Bilal Alaj

Lamtumirë Dritan. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot e s’të dhashë një gotë ujë. Nuk e meritove një ikje të tillë, djali ynë, babai i përkushtuar i Dorianit dhe Erionës, vëllai i Jetës, bashkëshorti i Vahides, miku i Ulqinit, Anës së Malit, Krajës, Tivarit e më gjerë.

Nuk di ndryshe, as nuk mundem ndryshe ta përballoj largimin tënd nga kjo jetë. Pusho i qetë sepse ke ngelur i përjetshëm.

Të fala i bën nënës, sepse gjithmonë të thërriste “djali nënës, i bukri nënës, i miri nënës…” Ju deshën vetëm katër vite të bashkoheni në krahërorin e njëri-tjetrit, atje në botën e përjetshme, në xhehnet.

Nuk mund ta besoj se ti na e the lamtumirën e fundit tash që i mbushe 38 pranvera. E vërteta është që vdekja nuk njeh rend, as moshë, as person, por Ti punove ndershëm, jetove ndershëm dhe vdiqe ndershëm.

Lajmi për vdekjen e papritur u prit me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë. U ndamë për herë të fundit me dhimbje, por edhe me krenari që patëm fatin e mirë të bindemi se shokët, miqtë dhe dashamirët e tu treguan respekt dhe konsideratë për ty, duke na respektuar dhe sadopak duke na zbutur dhimbjen e madhe edhe ne.

Vendi i punës në të cilin u ndodhe në momentin e fundit të jetës, më së miri flet për personalitetin, përcaktimin dhe përkushtimin ndaj bashkëqytetarëve të tu. Punën e ke dashur me zemër, e punove me shpirt dhe shpirtin e dhe në këtë profesion. Ke arritur rezultate spektakolare me punën e palodhur, dashurinë dhe përkushtimin për t’u dalë në ndihmë të gjithë atyre që trokiten në derën tënde.

Me qëndrimin, dashurinë dhe respektin ndaj klientëve, preferoje jo distancën por afërsinë, jo dekret as imponim, por respekt, dashuri dhe përkushtim.

Të vetëdijshëm se Ti nuk do të jesh më në mesin tonë, mungesën tënde nuk do ta zëvendësojë askush, duke falënderuar të madhin Zot për dy dhuratat më të shtrenjta – djalin Dorianin dhe vajzën Erionën, do të bëjmë përpjekje ta përballojmë këtë plagë të pashërueshme.

Kam obligim moral të falënderoj të gjithë shokët, miqtë dhe dashamirët që na ngushëlluan me praninë e tyre, me telefonata, mesazhe dhe telegrame ngushëllimi me rastin e vdekjes së babait, vëllait, bashkëshortit, nipit dhe mikut.

Qoftë i përjetshëm kujtimi ndaj Dritan Alajt.

By admini