Fondacioni “Trojet tona”, në kuadër të Shoqatës shqiptaro-amerikane “Ana e Malit”, ka ofruar mbështjetjen financiare për 1000 Rapid Teste Covid-19 për ambulancën në Katërkollë që kapë vlerën e 15.000$.
Realizimi i këtij testi pritet të nisë prej të hënën në orët e paradites, ku sasia e parë e testeve (rreth 100) janë donacion i Laboratorit “ABA Medica”. Indikacionet dhe vlerësimin për realizimin e këtij testi do ta bëjnë mjekët e ambulancës, sepse testimi në masë ende është i pamundur.
Gjithashtu, ditët në vazhdim, Shtëpia e Shëndetit-Ulqin do të rrisë kapacitetet mjekësore dhe teknike në ambulancën e Katërkollës. Bashkëvendasi ynë, Dr Gzim Çobaj do tu vijë në ndihmë kolegëve dhe bashkëvendasve të prekur këto ditë.
Gjithashtu, “Trojet tona” ka siguruar deri më tani sasinë e mjaftueshme të ilaçit Remdesivir, i cili ka një kosto të lartë në treg dhe është vështirë i disponueshëm. Në porosi e sipër është sasia prej 40 ampulave të të njëjtit dhe rastet e prekura i kanë adresat medicinale ku mund të kontaktojnë dhe sigurojnë ilaçin e lartcekur. Gjithashtu, të prekurve që e kanë siguruar privatisht Remdesivirin, Fondi ua ka rimbursuar koston e tij.
“Trojet tona” ka siguruar sasi të terapisë mbështetëse (vitamina, minerale, etj). Të njëjtat do tu vihen në dispozicion personave dhe familjeve të prekura, në bazë të vlerësimit të grupit punues dhe grupit mjekësor.
Në vazhdim, “Trojet tona” do të vazhdojë mbështjetjen e vet ndaj bashkëvendasve përmes fondit financiar: https://gf.me/u/y6wmas që do të përdoret për trajtimin e rasteve me Covid-19.
Fondi është në konsultim të vazhdueshëm me Grupin mjekësor në vendlindje: udhëheqësin Dr Kujtim Sellaj, Dr Sadije Hollaj, Dr Argëzon Sulejmani, Dr Hysni Myrtezaj dhe të tjerë mjekë të kontaktuar.
Gjithashtu, Fondi falenderon për bashkëpunim të gjitha strukturat udhëheqëse të Shtëpisë së Shëndetit-Ulqin si dhe instancat tjera të përfshira që po bëjnë të pamundurën që nga kjo luftë e jashtëzakonshme globale të dalim fitimtarë me sa më pak beteja të humbura lokale.
Fondacioni “Trojet tona”