Nga Gjekë Gjonaj
Koronavirusi në Komunën e Ulqinit vazhdon të jetë me shifra të larta, sikurse edhe në vendin tonë, rajon e më gjerë. Autoritetet shëndetësore kohën e fundit ditë për ditë raportojnë se betejën me këtë virus vdekjeprurës e kanë humbur një e më shumë pacientë nga Ulqini. Të dhënat zyrtare të fundjavës së kaluar tregojnë se Ulqini ka përqindjen më të lartë të vdekjeve nga Covid -19 nga të gjithë qytetet e tjera në Mal të Zi do të duhej duhet të jenë alarm për secilin qytetarë, që të respektojë këshillat dhe thirrjet e mjekëve infektologë e epidemiologë se tubimet masive të qytetarëve, pra edhe të dasmave tradicionale e gëzimeve tjera familjare mund të bëhen burim serioz i infektimit dhe se ato janë të palejueshme.
Në të gjithë Ballkanin dhe rajonin e gjerë të Europës dhe të Botës, autoritetet kanë identifikuar dasmat si manifestime, ku koronavirusi përhapet në mënyrë masive. E virusi përhapet më lehtë dhe më shpejtë midis të ftuarve që rrinë shumë pranë njëri-tjetrit, bërtasin për shkak të muzikës me zë të lartë, ose që këndojnë e vallëzojnë së bashku, duke u përqafuar dhe puthur në festë.
Pavarësisht kushteve të pandemisë disa familje në Ulqin dhe Anë të Malit nuk heqin dorë nga dasma e djalit apo e vajzës së tyre. Dasmat vazhdojnë të organizohen sikur në kohëra normale. Me një numër shumë të madh të të ftuarve, madje edhe jashtë Ulqinit, duke mos i menduar aspak pasojat që mund t’i sjellin këto tubime . Restorantet ushtojnë nga muzika, ndërsa distanca sociale dhe masat e parandalimit të virusit anashkalohen në tërësi. Këto familje me ose pa vetëdije i thyen rregullat të cilat mbrojnë shëndetin e qytetarëve, duke rrezikuar në këtë mënyrë edhe shëndetin e vet, të familjarëve, të afërmve, të miqve e të gjithë të ftuarve të tjerë. Në rrjete sociale në kohën e pandemisë mund të shohim postime fotografish dhe sekuenca video inçizimesh nëpër disa restorante e salla të ndryshme ku mbahet dasma , ndërkohë që maskat dhe distanca nuk “njihen” nga të pranishmit, ndërsa këngëtarët kujdesen për disponimin e të ftuarve. Raste të ngjashme janë parë javëve të shkuara, edhe pse vazhdojnë thirrjet për kujdes dhe evitim të tubimeve publike. Nuk duhet harruar faktin se një numër jo i vogël i qytetarëve nuk besojnë fare në ekzistencën e coronavirusit SARS CoV-2.
Duke pasur parasysh se epidemia me koronavirus për çdo ditë po merrë jetë njerëzish, se shumë shtete evropiane po fusin përsëri masa të reja të mbylljes, me qëllim të pengimit dhe luftimit të virusit, dashuria për familjen dhe nevoja për të shprehur gëzimin familjar nuk duhet të jetë arsye për sjellje të papërgjegjshme, të cilat mund të na kushtojnë viktima të reja njerëzish.
Ka ardhur koha që, në këto kushte të jashtëzakonshme, ta kuptojmë se ky virus shkatërrues nuk i prishi vetëm planet e dasmave dhe festave tona familjare, por edhe të shumë popujve tjerë nga mbarë bota. Disa nga ata, për dallim nga ne, që duam me çdo kusht të mos heqim dorë nga tradita dhe zakonet tona të vjetra, pavarësisht mundësive që të realizojnë dasmë kudo që dëshirojnë, e anuluan tërësisht dasmën për shkak të situatës së krijuar nga virusi korona. Shembuj të tillë të njerëzve të famshëm të cilët në kohë pandemia, organizuan martesë modeste ka mjaft, por po përmendim shkurt këto raste: yllin botëror, Jennifer Lopez dhe partnerin e saj, Alex Rodriguez, princeshën Beatrice e cila u martua me Edoardo Mapelli Mozzi në një ceremoni private në Windsor, aktoren turke, Songul Oden, e cila tek shqiptarët njihet si Gymysh, është martuar me biznesmenin Arman Biçakçi dhe mbesën e të ndjerës Princesha Diana, Amelia Spencer, që është martuar me të dashurin e saj prej 11 vjetësh, Greg Mallett. Dasma e tyre, siç transmetojnë mediat ishte një ceremoni e vogël private , në prani të familjes dhe miqve të ngushtë.
Atëhere, le të pyesim vetveten nëse të tjerët mund t’u përshtaten rrethanave dhe masave të reja kufizuese për shkak të pandemisë dhe të pranojnë realitetin e ri të hidhur të kohës në të cilin jetojmë, pse vallë, nuk mundemi ne. Mos, ndoshta, po e teprojmë paksa me dasma e argëtime familjare gjatë pandemisë?