Nga Esad Gjonbalaj

Vizitat e presidentëve të Shqipërisë në Plavë Guci dhe politikaneve  shqiptar nga shtetet tona gjatë dekadave të fundit nuk kanë munguar dhe ne i kemi cilësuar si një formë kujdesi,  angazhimi e shprese për trevën tonë. Por cilat ishin efektet  dhe përfitimet e banorëve shqiptare në Plavë Guci nga këto vizita zyrtare e private ? 

Përveç pompozitetit medial dhe postimeve në rrjetet sociale BASH  asgjë konkrete për të mirën e banorëve të kësaj treve.

Edhe vizitës së fundit të para dy viteve të presidentit të Shqipërisë, Shkëlqesisë së tij  zt.İlir Meta iu gëzuam shumë, u gëzuam sepse Shqipëria “mollë e ndaluar” apo tabu për ne, po kthehet sërish në Plavë Gucinë e harruar. Nuk ishte Zt Meta  i pari që na vizitoi meqë para tij ishin këtu edhe presidenti zt.Nishani zyrtarisht e zt.Mejdani privatisht. Nga vizita e fundit e presidentit Meta u vërejtën shumë elemente të mungesës së njohurive elementare për trevën tone. Zoti President çka  simbolizon për Ju i nderuar kryetar, Plave Gucia dhe pse kaq vone po vini,  dhe çka po sillini ne këtë pjesë te trungut te cunguar te atdheut.?

Ju i nderuar zt.President a e dini se keni shkelur në trojet legjendare të Jakup Ferrit e të Ali Pashë  Gucisë që as për një çast gjate vizitës Tuaj nuk i përmendet fare,  personalitete këto  kyçe të Lidhjes së Prizrenit, a sollët ndonjë kujtim për këta trima legjendar apo bëtë diçka për të vlerësuar  luftën dhe sakrificën e tyre dhe të plave-guciasve për mbrojtën e çështjes mbarëkombëtare të shqiptarisë nga ambiciet hegjemoniste të fqinjëve sllavë.

A e preket fare plagën e asimilimit gjatë vizitës Tuaj, apo vetëm shijuat bukurinë e nektarin e natyrës së virgjër të Plavë Gucisë. Plava e Gucia e izoluar për më shumë se një shekull e gjysmë ka mbetur duke rënkuar e duke i shëruar plagët e asimilimit sepse e vetme bëri shumë për shqiptarinë e Shqipërinë londinze, Po sa për të rifreskuar kujtesën Tuaj  a mos vallë harruat flamurin më të vjetër shqipëtar që ekziston në Muzeun Kombëtar në Tiranë, atë  të Luftës mitike të Nokshiqit ku Ne,  Plave Guciasit me lufte frontale dy herë e  mposhtem ushtarakisht Malin e Zi në vitin 1879/80. Luftë kjo titanike e vullnetareve tanë të uritur e të pajisur dobët që munden një ushtri të rregulltë pa ndihme nga jashtë por vetëm me forca vetanake  shqiptare.

Zt President Ilir Meta Ju e dini se Serbia investon qindra milionë euro për 5% serbë në Kosovë e Ne, shqiptarët  nën Mal të Zi jemi më shumë se 6% e përbërjes së popullatës së përgjithshme të Malit të Zi. Vallë po pse zt President nuk sollët së paku disa Abetare të unifikuara gjate vizitës Tuaj për ata pak vogëlushë shqiptarë që kanë mbetur në ato troje pa përkrahje të shtetit amë. Çfarë  simbolike domethënëse do të ishte një gjest i tillë. Vallë Shkëlqesia Juaj përveç relaksit në Alpet shqiptare a preket fare në plagën e rënd të  asimilimit për të cilën punon Serbia e Mali i Zi qe 140 vite. Pse nuk u takuat me ata që sot kanë humbur gjuhen dhe identitetin kombëtar nga presioni  ,shtypja dhe izolimi të cilët me një politikë vizionare do të ktheheshin në rrënjët e veta. Nuk i fajësoj shumë ata që humben gjuhen me presione, dhune e shtypje por ju zt. President dhe shtetet tona (para sę gjithash Shqipëria por edhe Kosova) do ti kthenit ata me dashuri e mirënjohje në rrënjët e origjinës së tyre të  humbur. Vallë Zt.President,  nga nikoqiret a u shprehen shqetësime apo vetëm ishit të interesuar për rrjete sociale dhe publicitetin e promovimin senzacionalist të  vizitës Tuaj?

Është ironi e llojit të vetë se si vallë dy shtetet tona  shqiptare nuk kanë bërë AMA BASH ASNJË  veprim për të përkrahur trevën tonë e as shqiptarët në MZ, përveç vizitave zyrtare e private e turistike dhe sorollatjeve të tyre në rroba sportive,  veprim konkret për të mirën e banorëve shqiptar NUK KA PASUR DERİ MË TASH. Por, siç thotë thënia e popullit : shpresa vdes e fundit e Plavë e Gucia shpresat i ka nga Shqipëria e Kosova !!!

By admini