Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e udhëhequr nga Milo Gjukanoviq, ka mirëpritur vendimin e partive të pakicave për të mos hyrë në marrëveshje koalicioni me subjekte politike, duke përfshirë, siç thonë ata, edhe kundërshtarë të vendosur të interesave të shtetit të Malit të Zi, të cilët, ndër të tjera, vazhdimisht shkelnin multietnicitetin dhe parimet civile të shoqërisë malazeze.

“Me këtë qëndrim, ato parti kanë treguar përkushtimin e tyre ndaj idesë së të ardhmes evropiane dhe konfirmuan sinqeritetin e partneritetit tonë të ndërsjellë, afatgjatë, gjatë të cilit ne gjurmuam rrugën strategjike të Malit të Zi,” tha DPS-ja.

Sipas DPS-së, partitë e pakicave kanë demonstruar edhe një herë besnikërinë e tyre ndaj shtetit të tyre të Malit të Zi me qëndrimin e tyre të nderuar ndaj ofertave të pasinqerta.

“Si dhe parimet e larta politike, të cilat votuesit e tyre, si dhe i gjithë publiku malazes, jemi të sigurt që do të dinë t’i vlerësojmë,” përfundon kumtesa e DPS-së.

Përkujtojmë se Këshilli Kryesor i Partisë Boshnjake ka vendosur në seancën e tij më 18 tetor të mos hyjë në qeverinë e re dhe të mos e pranojë ftesën e mandatarit Zdravko Krivokapiq.

Anëtari i Kryesisë së Partisë boshnjake në Mal të Zi, Sead Shahman, ka thënë qysh nga mesi i gushtit të këtij viti se kishin refuzuar ftesën e opozitës për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Shahman tha se arsyeja ishte se “pjesa pro-serbe e opozitës” mbrojti hapur politika kundër NATO-s e Bashkimit Evropian.

Një ditë më vonë, një vendim identik u mor nga koalicioni shqiptar “Njëzëri”. Koalicioni shqiptar falënderoi mandatarin Zdravko Krivokapiq për ftesën për të biseduar, sepse arritën në përfundimin se, përveç një takimi kurtoazie, do të ishte humbje kohe.

“Ne nuk mund të jemi pjesë e qeverisë malazeze, e cila përbëhet kryesisht nga ato parti dhe politika që nuk duan barazinë e shqiptarëve në këtë vend dhe me të cilat ne ndryshojmë programatikisht dhe strategjikisht”, thuhet në përgjigjen e nënshkruar nga bartësi i listës e deputet në Kuvendin e Malit të Zi, Fatmir Gjeka.

Lista shqiptare “Genci Nimbanbegu – Nikë Gjeloshaj”, ndërkaq, kanë thënë se në dy-tri ditët e ardhshme do të marrë vendim se a do të hyjë në qeverinë e re të Malit të Zi. /botasot/

By admini