Kuvendi i Komunës së Ulqinit ndërpreu sot punimet e seancës së parë të rregullt. Kjo ndodhi diçka më shumë se dy orë pasi filloi mbledhja, kur duhej të diskutohej për propozim vendimin për ndryshimet dhe plotësimet e vendimit për themelimin e SHPK Parkin servisit.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit Ilir Çapuni pikërisht atëherë u shpreh se seanca e sotme ndërpritet për shkak se, siç theksoi ai, janë të nevojshme konsultimet shtesë rreth kësaj pike të rendit të ditës.
Paraprakisht u miratuan katër pika të rendit të ditës. Këshilltarët pa diskutim miratuan Programin e punës së Komunës së Ulqinit për vitin 2019.
Mbështetjen e këshilltarëve e mori propozim vendimi për ndryshimet dhe plotësimet e vendimit për furnizim publik me ujë, propozim vendimi për masat stimuluese për zhvillimin e bujqësisë, sikurse edhe propozim vendimi për barazi gjinore.
Për vazhdimin e seancës së sotme këshilltarët do të njoftohen me kohë.
Gj. Gjonaj