Analisti i njohur politik shqiptar Ben Andoni duke folur për krizën politike në Lëvizjen Vetevendosje në Kosovë, tërthorazi flet edhe për elementin politik shqiptar në Mal të Zi, ku sipas tij, lë shumë për të dëshiruar.

Analisti Ben Andoni, i cili ishte i ftuar në studion e lajmeve të Ora News tha se Albin Kurti arriti që të krijonte kultin e individit.

Ben Andoni: Personalisht e njoh Albinin që në momentet e para kur është liruar nga burgu në Beograd. Është personazh i cili është më i qartë politikisht  dhe ideologjikisht për gjërat që kumton, askush nga elementët politikë shqiptarë qoftë në Kosovë, Maqedoni, e përjashtojmë Malin e Zi sepse formimi politik le shumë për të dëshiruar, por kam përshtypjen edhe në Shqipëri që ka pjekuri më të madhe politike nuk i afrohet në mënyrën sesi ai artikulon idetë e veta.Problemi i madh i Albin Kurtit është që të gjithë këtë posturë të madhe duhet ta shtrinte në mënyrë më demokratike. Por mesa duket edhe tek Albin Kurti kanë zënë rrënjë ato elementët e parë të cilat kanë qenë edhe në grupimet e majta, të partive në Europë. Partitë e majta kanë një lloj inercie të kultit, sado që e kanë përjashtuar komplet, vazhdimisht e anatemojnë kultin. Partitë e majta janë të destinuar që të krijojnë kulte. Kemi rastin tonë të Shqipërisë, ku individët kryesore që kanë qenë të partitë e majta qoftë Nano, qoftë Rama synojnë kultin e individetit  që janë gati të pazëvendësueshëm. Këtë arriti të bëntë edhe zoti Kurti.

Andoni tha se Visar Ymeri në krye të VV nuk arriti dot që të zëvendësonte figurën e Albin Kurtit.

Ben Andoni: Nuk mund të ketë kandidaturë me potente se Albin Kurti në VV. Madje një nga gabimet më të mëdha të VV ishte ai dualiteti që u krijua. Visar Ymeri asnjëherë nuk e zëvendësoi dot figurën e Albin Kurtit. VV nuk duhet ta bëntë këtë lloj rokade që la shumë për të dëshiruar. Sado që Visari ishte përballë elementit politik dhe ai prezantohej si kryetari, të gjithë VV e identifikonin me Albin Kurtin.

By admini