U përuruan librat “Nusja e detar Agronit” dhe “Në Safari” të shkrimtarit Asllan Bisha
Në Gjimnazin Privat „Drita“ sot (të mërkurën) u përuruan dy librat më të rinj të shkrimtarit Asllan Bisha – „Nusja e detar Agronit“ dhe „Në Safari“, të botuar kohë më parë nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“, thuhet në një kumtesë të SHAI “Art Club” .
Takimi është konceptuar në formën e orës letrare, me pjesëmarrjen e nxënësve, mësimdhënësve dhe miqve të autorit. Vështrime mbi dy librat dhe krijimtarinë letrare të autorit kanë paraqitur mr. Haxhi Shabani dhe prim. Dr. Gani Karamanaga, ndërsa kanë përshëndetur në emër të organizatorit drejtori i Gjimnazit „Drita“, Fejzo Hoxha, dhe kryetari i SHAI „Art Club“, Ismet Kallaba.
Vetë shkrimtari Bisha ka folur për nxitjen dhe frymëzimin e tij për t’i shkruar dy librat, temat e të cilave trajtojnë në mënyrë letrare-artistike legjenda dhe histori nga e kaluara apo ngjarje të përjetuara nga autori, peripecitë e të shkruarit në kohën e monizmit dhe tani etj. Ai ka dhuruar disa kopje të librave për bibliotekën e Gjimnazit “Drita” dhe nxënësit më të mirë të kësaj shkolle. Gjatë përurimit janë lexuar disa fragmente nga librat.
Qëllimi i përurimit të librave në një institucion arsimor është që nxënësit të njihen me shkrimtarët vendas dhe letërsinë shqipe që krijohet në Mal të Zi, të komunikojnë drejtpërdrejt me autorin etj.
Takimi letrar është organizuar nga SHAI “Art Club” në bashkëpunim me Gjimnazin Privat “Drita”.
Ulqin, më 13. 12. 2017