Shkruan: Armend Preteni
Të rrallë janë artistët të cilët përmes artit të tyre arrijnë ta “thyejnë” çdo barrierë, përmes tingujve të këngës të dëpërtojnë tek çdo njeri e përmes personalitetit të tyre të lajnë gjurmë.E tillë është Adelina Ismajli, e cila për më se tri dekada i ka dhënë shumë skenës muzikore shqiptare.
E lindur më 14 Shtator 1979, talenti i saj u vu në pah qysh në moshën gjashtë vjeçare, gjegjësisht në vitin 1986 ajo ishte pjesmarrëse në Festivalin Akordet e Kosoves me këngën “Bukuria e atdheut” ku arriti të vlersohej me çmimin e parë të jurisë profesionale dhe me çmimin e publikut derisa në vitin 1987 me këngën “Do të bëhemi milioner” arriti të triumfoj edhe në Festivalin e këngës për fëmijë në Sarajevë, suksesi i saj vazhdoi për vite më radhë duke u bërë ylli i muzikës për fëmijë në Kosovë dhe shtete tjera të Ish- Jugosllavisë.
Në vitet e 90’ regjimi i kohës ua mohoj shqiptarëve të Kosovës çdo të drejtë por nuk arriti dot ta ndaloj artin e Adelina Ismajlit, e cila në vitin 1991 merr pjesë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar me këngën “Mos ma gjuaj diellin me gurë” ku arriti të shpallej “Debutantja më e mirë”.
Adelina Ismajli nuk ndalon, pas editimit të pesë albumeve për fëmijë e adoleshentë dhe pjesmarrjes në shumë evente prestigjioze të kohës, viti 1997 e rikthen në skenen e Festivalit të Radio Televizionit Shqiptar me një imazh të ri dhe performancë e cila mbahet mend edhe sot me këngën “Zemrën nuk ta fal”. Po atë vit jehona e albumit të gjashtë “Ushtrinë time do ta bëj” i cili në vete ndërthurte tema tabu siç janë: emancipimi i femrës, emigrimi shqiptar, remiksimi i parë modern i këngës popullore etj, s’kishte të ndalur, pikërisht me këngën “Ushtrinë time do ta bëjë me Ibrahim Rugovën” arriti ta fitoj zemrën e gjithë shqiptarëve dhe njëherit refreni i saj të bëhej lejmotiv i Ideologjisë Rugoviste.
Kur Kosova kishte filluar të digjej nga okupatori serb dhe me qindra qytetar shqiptar me dhunë i kishin larguar nga vatrat e tyre, në vitin 1999 Adelina Ismajli merr pjesë në projektin “Call for Peace” (Thirrje për paqe), e cila u transmetua ne mediumet me eminente të botës.
Pas përfundimit të luftës (1999), kur Kosova kishte filluar të merrte frymë në liri, ajo lanson albumin “S’jam Sex bombë” i cili u mirëprit nga masa e gjërë.Po atë vit merr pjesë në edicionin e parë të Këngës Magjike me këngën “Fuck The Goverment” një tendencë për kohën.
Pas editimit të videoprojektit me njëmbëdhjetë klipe të realizuara, sprovimit me sukses në fushën e moderimit dhe aktrimit, viti 2002 do t’i sjell edhe një sukses Adelines, ku me albumin “Prej fillimit”, arriti rekord shitjes që në diten e parë të lansimit albumi u shit në mbi 150 mijë kopje.
Gjatë viteve për karrierën e saj, Adelina u nderua me shumë çmime si: “Personazhi i vitit” (Revista Teuta), “Fenomeni më seksi në muzikën shqipatre” (Revista Spektër), “Themeli i muzikës dhe stilit evropian në Kosovë” (Rtv Dukagjini) e çmime të tjera, por për një artiste të tillë më e vlersuar mbetet dashuria e publikut, e që për Adelinen ka qenë më supotuese se për këdo tjetër, është e vetmja këngëtare që unë njoh që ka fansat më besnik të cilët nuk e tradhtojnë asnjëherë, prandaj jo më kot cilësohet Mbretëresha e muzikës shqipe.
Në kulmin e suksesit, ajo lanson albumin “Mbretëreshë e Robëreshë” (2005) një gërshetim mes muzikës popullore/folklorike shqiptare dhe asaj moderne i cili si albumet paraprake numëron një sërë hitesh të cilat u vlerësuan me çmime dhe u renditën në majat e Top listave muzikore të kohës.
Pas disa peripecive, kur të gjithë menduan se Adelina shkoj, ajo në fakt erdhi me albumin “feniks” (2008), një best-seller i radhës, e se ajo është tejet e pëlqyer nga masa e dëshmon edhe koncerti i mbajtur në Ditën e Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt) ku në një acar të paparë ovacionet e publikut për interpretimin e këngës “Mbretëreshë e Robereshë” s’kishin të ndalur, kam qenë edhe vetë dëshmitar i atij momenti të papërseritshëm.
Vitin 2009, Adelina e fillon me turne nga Evropa e gjer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u cilësua edhe si “Simboli Ballkanik” nga mediat zvicrane. Ky vit e rikthen në skenën e festivaleve, gjegjësisht në “Këngën Magjike” ku pati një performance të jashtëzakonshme e cila u stërkomentua, megjithatë arriti ta sensibilizojë shoqërinë pro liberalizimit të femrës shqiptare dhe u vlerësua me “Çmimin e Publikut”.
Në pyetjen: Të e qenit e pëlqyer, e kërkuar gjithmonë, tingëllon si denim, pasi të mohohet e drejta e kënaqësisë personale? – Adelina ishte përgjigjur: Varet si e koncepton jetën.Ka persona që e kërkojnë këtë “denim”, si të vetmën mënyrë për të qenë aktual pa bërë asgjë të bukur.Ka njerëz që u montohen gjërat e shëmtuara, ka njerëz që vertetë e vuajnë peshën e pandershme të së qenit i popullarizuar te ne, e ka njerëz që arrijnë t’i bashkojnë mrekullitë e jetës private, magjinë e artit, obligimet profesionale dhe mposhtjen e sfidave për të vazhduar lart e më lart. (Intervistë e dhënë për revistën “Kosovarja”).
Në vitin 2010 themelohet produksioni zvicrano-shqiptar “ILIADAENTERTAINMENT” në të cilin Adelina është bashkëpronare, po këtë vit shtohen përpjekjet për të dëpërtuar përtej kufinjeve shqipfolës, konkretisht në vitin 2011 për tregun evropian lanson këngë “I love you more” në bashkpunim me këngëtarin francez Faudel i cili u mirprit nga publiku i gjërë.
Si rezultat i angazhimeve të saja muzikore në Evropë, ajo ishte shpërngulur për të jetuar në Zvicër, dhe kishte kohë pa lansuar këngë në gjuhën shqipe, kështu që në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Adelina kthehet me hitin “Ku ma ke” këngë e cila u rëndit në majat e top listave shqiptare.
Për të qenë prezente në skenë Adelina gjatë viteve 2013 – 2014 mban një sërë koncertesh në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e Diasporë, koncerte në të cilat publiku arrinte shifra rekord dhe pikërisht për këtë Adelina është cilësuar disa herë si “këngëtarja më e paguar shqiptare”. Në këtë frymë me 09.11 2014 ajo lanson këngën “Karma” në bashkpunim me reperin shqiptar G4shin, i cili zhvillon artin e tij në SHBA.
Ndër vite Adelina ka lansuar me qindra këngë që janë shëndrruar në hite të kohës, të tilla si: Shko, E ti moj nuse, Amaneti, Sajzeza, Sonte, Skenderbe, Jeta ime je ti, Jetoj se të dua, Heroi i tragjedisë, Sepse je ti si dhe shumë bashkpunime të cilat e ngrisin atë në piadestalin e muzukës shqipe, dhe më shumë sesa sot vlera e saj do të ndihet nesër.
E kur sot ajo feston 37 vjetorin e lindjes, fansat e këngës së Adelina Ismajlit, përveç urimeve me këtë rast, presin që ajo të rikthehet sërish në skenë. Aty ku ajo sundon, shkëlqen dhe jehon, miti i saj mund të thehet nga vetë ajo dhe nga askush tjetër.