Pas arrestimit nga polica për “mitmarrje”, universiteti i Shkodrës pezullon nga detyra zv.dekanin e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Roakin Daberdaku dhe pedagogun Simon Lufi. Duke u distancuar nga ngjarja, Rektorati ka dhënë mbështetje për transparencë maksimale në këtë proces.
Një hetim i prokurorisë zbuloi se disa shefa departamentesh dhe studentë të Fakultetit Filologjik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, nëpërmjet disa personave që kryenin rolin e sekserëve kanë krijuar një skemë korrupsioni në dhënien e provimeve në vlera monetare që varionin nga 200-700 euro për provim.
Me ndihmën e sekserëve, përkatësisht Vehbi Bala dhe Ndoc Deda, dy pedagogët e arrestuar ndihmonin studentë të ndryshëm, në këmbim të parave, që të merrnin provimet, kryesisht në degën e Historisë.
Bëhej fjalë për nota kaluese në provime të ndryshme ose vlerësime të larta, të cilat më pas do të shërbenin për regjistrimin në Master. 9 personat e përfshirë në këtë skemë mes tyre pedagogë dhe studentë u ndaluan, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim. Ndërsa sipas burimeve për ‘News24’ priten të tjera arrestime.