Nga Argëzon Sulejmani 

Kur Gregor Samsa u zgjua në mëngjes pas ca ëndrrash të trazuara, ai u gjend në shtrat i shndërruar në një brumbull. Ishte i shtrirë, i fortë si një koracë, dhe kur e ngrinte paksa kokën, shihte një bark të murrmë, të fryrë, të ndarë në unaza të forta, bark mbi të cilin mbulesa e kishte të vështirë të rrinte… Kështu nisë një nga novelat më të studiuara të shkrimtarit të rrallë Franz Kafka. Tjetërsimi i njeriut nuk mund të duket ndryshe veçse tragjik e komik njëherazi. Gjuha e thjeshtë dhe ambienti i përditshëm i rrëfimit lë hapësirë tek secili lexues për zhvendosje të ngjarjes dhe motiveve nëpër kohë dhe vende. Jo vetëm kaq, nuk përjashton as mundësinë e metamorfozës së kafshësëz: Kur Brumbulli u zgjua në mëngjes pas ca ëndrrash të përçudnuara, ai u gjend në shtrat i shndërruar në Njeri. Ishte kjo dita Një e qenësisë. 
* * * 
1. Një maskë pëlhyre e modeluar kushton sa paga njëditore e një punëtori nëpër ndërmarrjet që kanë të drejtë të rrinë hapur ditëve të pandemisë në Prishtinë. Jo një e dy, por nga disa adresa interneti më ofrohen të tilla oferta me aty-këty ndonjë zbritje të trilluar. A e kuptoni sa rëndë jemi!? Maskat e ashtuquajtura kirurgjike kanë koston e njëjtë si më parë dhe ditëve të fundit nuk raportohet për mungesa. Në ndonjë vend ku këto të fundit kanë pësuar rritje çmimi disaeurocentëshe, reagimi është i menjëhershëm. Zhargoni në të tilla raste është i pasur dhe vulgar. Vetëgjyqësia dhe kryqëzimi po ashtu. Është krijuar një mendësi shenjëstruese ndaj bluzave të bardha. 
2. Nga gjyshërit kam mësuar ta masë çmimin me bukë. Ata kanë kaluar kohë të vështira, kur themi të vështira dhe për ditët tona, ata kanë përjetuar kiametin. Së këndejmi, një maskë kirurgjike kushton më pak se një çerek buke, kurse një maskë e modeluar më shumë se njëzetë bukë. Po ndodhi të rritet çmimi i të parës për ca troha, reagimi vjen menjëhershëm ndaj bluzave të bardha. Kurse, çmimi i të dytës as nuk diskutohet, as nuk analizohet, me pretekstin se industria e pëlhurave kështu funksionon, me arsyetimin se trendi dhe moda kushtojnë. Më keq se kaq – duhet të kushtojnë shtrenjtë. Për rrjedhojë kemi ardhur në ditët kur gjysma e botës vuan obezitetin, kurse gjysma tjetër kaheksinë. Për rrjedhojë kemi ardhur në kohët kur gjysma e botës dënohet me veshje të rënda, kurse gjysma tjetër me zhveshje mizore. Për këtë kemi mbërritur cakun ku dijmë çmimin e gjithçkasë, porse nuk dijmë vlerën e asnjë gjëje, cakun kur e kemi humbur sensin e të reaguarit normal.  
3. Reagimi thuajse është standardizuar. Mbase diku egziston ndonjë listë e përpiluar, ku shënon se në çfarë duhet e në çfarë jo të reagohet. Kjo listë, në egzistuaka, patjetër është kthyer përmbys. Në gjuhën e bartorit do të thuhej: të falim barrën, por kurrsesi ujemin. Ashtu ndodhë edhe në rastin e lartëshënuar me maska a dorashka. Logjika e industrializmit vjen tejet bajate në vendet e paindustrializuara siç është Kosova, Mali i Zi, etj. Andaj, ne nuk mund ta kemi të zhvilluar këtë “shqisë”. Nuk kemi si ta kemi. Por, rrekemi të themi që e kemi. Kjo i ngjanë pohimit me kokë ndaj një folësi në një gjuhë që nuk e kuptojmë. Tregohet se si një ushtar amerikan e paralajmëron familjen e të dashurës së vet siriane se gjatë natës do të bombardohej fshati i tyre. Të pohuarit e pa ndërprerë të familjarëve me kokë lë të kuptohet se mesazhi kaloi. Mirëpo, të nesërmen ushtari tëfiket kur merr vesh se e gjithë familja në fjalë ishte shuar nën rrënojat e shtëpisë së tyre. Asnjëherë nuk do merrej vesh që ata nuk reaguan sepse nuk u kuptuan!? Kurban i së gjithës mbetet dashuria si gjithmonë, si përgjithmonë. 
4.  Kjo botë e përçudnuar bën sikur i kujton mjekut e bluzave të bardha esencën e veprimtarisë së vet: humanitetin. Po pjesë të kësaj bote, shembull në kryeqytet, nuk lanë natë pa ju përçuar mesazhe politikanëve ballkonesh, me lugë e tiganë, kurse duartrokitjet ndaj mjekëve a e dini sa zgjatën!? Sa çudia më e madhe, tri ditë ose netë. A e kuptojmë dot paradoksin!? Dhe prapë në një të nesërme po këta daullexhinj do të marrin e flasin në emër të humanitetit. T’i përkujtosh dikujt që ka marrë mësime deri  katërdhjetë vjeç esencën profesionale është njësoj si të thuash: eja, babë, t’i tregoj arat. Por, ndodhë kjo në botët ku mjekut memzi i sigurohet një maskë kirurgjike, kurse të ashtuquajturit politikanë e biznesmenë, bashkë me dykëmbëshat e vet martesorë e jashtëmartesorë, kapardisen me maska të modeluara që prodhohen pikërisht për të vënë në pah dallimet klasore. Janë këto të fundit,  maskat që thonim gjithnjë se duhet të bien. 
5.  Megjithatë, pandemia e fundit vuri në pah dhe një herë që njeriu është ende gjallë. Që, ingranazhet, siç parapëlqen ta përdorë Sabato, por edhe teknologjia nuk kanë arritur ta mbysin esencën e qenjes njerëzore. Sado që u pat krijuar bindja që rëndësia e mjekut do të bie me ingranimin e mjeteve medicinale dhe me dominimin e programacioneve teknologjike, nga morti që ra u pa të kishte qenë huq. Edhe në shekullin njëzetë e një është prapë njeriu, është prapë mjeku adresa e jetës dhe shëndetit. Zvogëlimi i fondeve mjekësore në drejtim të burimeve njerëzore mjekësore po nxjerrë në pah logjikën e njeriut dhe shtetit standard apo të modeluar (keq) të këtij shekulli ku për pak desh u krijua bindja se: bota bën pa njeriun po nuk bën pa autoritetin dhe kapitalin që, duhet thënë, së shumti shënjojnë të njëjtat kafka. Fatmirësisht, sërish si në çdo kohë lëngate, gjithçka u la mënjanë, gjithçka u hesht, gjithçka u zhvlerësua dhe prapë u dëgjua zëri i botëve të shëndetit: ju lutem, thërrisni një mjek! Nuk u tha të thërriten makina e gjetje fantastikoshkencore, por thjeshtë dhe vetëm (edhe) një mjek. Nuk u fol për shifra e pasuri marramendëse, por vetëm për njerëzoren, vetëm për njeriun; këshillat dhe masat mbrojtëse i ngjanin gati-gati njeriut të të gjitha kohëve. Një me zero për njeriun. Mund të duket fitore e vogël, por ngadhënjimet e mëdha kështu nisin. Dhe, me plot gojë mund t’i themi brumbullit të Kafkës që le të morfozohet në dy këmbësh, sepse edhe një herë e shpëtuam njeriun. Ajo që kjo lëngatë do duhej të marrë me vete janë maskat, ato të shtrenjtat që mbajnë çmimin e dhjetëra bukëve, rrjedhimisht dhjetëra sofrave boshe. 
Prishtinë, 04.2020.

By admini