Çka po ndodh në Kosovë? – Qytetari kosovar mes migrimit dhe korrupsionit

Ikje-nga-varferia-korupsioni-kosoveShkruan: Mr. Haxhere Kurtolli

Trendi i imigracionit të qytetarëve kosovar vazhdon të jetë në rritje drejtë vendeve perëndimore për një jetë më të mirë, në kohën kur zhvatjet e pushtetarëve të zgjedhur po zvarritin formimet e institucioneve për punë pazaresh, anën tjetër, qytetarëve siç duket nuk u mbetet edhe shumë zgjidhje për të ndryshuar të ardhmen e tyre, por duhet të marrin rrugën e vjetër të baballarëve të tyre, atë të emigrantit.

Standardi i jetës së qytetarit në Kosovë, sot është më i ultë në rajon, shifrat zyrtare flasin për një shkallë të lartë të papunësisë te të rinjve nga mosha 18 deri në 24 vjeç, ku sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës niveli i papunësisë është 55% dhe mundësia për të gjetur një punë është shumë e vështirë.

Përfaqësuesit e shoqërive civile në Kosovë, gjendjen e emigracionit e shohin mjaft shqetësuese në bazë të statistikave zyrtare ku vetëm gjatë vitit 2014 kanë lëshuar Kosovën hiç më pak se 15.000 persona drejtë vendeve të zhvilluara.

Ndër faktorët kontribuues në dëshpërimin e qytetarit kosovar, gjithsesi mbetet edhe niveli i lartë i korrupsionit nëpër institucione, papunësia, mos funksionimi i ligjit nga organet përgjegjëse si dhe menaxhimi i dobët institucional në hartimin e politikave të zhvillimit ekonomik në vend.

Sot, e ardhmja e qytetarit kosovar gjendet në mes dy rrugëve të imponuara nga vet udhëheqësit e shtetit atë të migrimit dhe qëndrimit në mes “peshkaqenëve” të mëdhenj (korrupsionit), ku këta të fundit qytetarin e shohin si shifër vetëm në dy raste: 1. Gjatë fushatës zgjedhore dhe 2. Si mjet i përfitimit personal mbi emrin e qytetarit.

Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk besojnë në institucionet e vendit, aq më pak në kohën kur vonimi i formimit të institucioneve u shty tej mase për të vetmin qëllim, të ruajtjes së kolltukëve të tyre personal nga të cilët e kanë vështirë të lëshojnë pe, e në anën tjetër udhëheqësit e shtetit vazhdojnë me të njëjtit njerëz vetëm nëpër pozicione të ndryshme, siç thotë edhe populli: produkti i njëjtë vetëm paketimi ndryshe.

Rrugën e emigracionit po merr vetëm një shtresë e popullsisë, ata të cilët janë a partiak. Padyshim në këtë mes, një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi faktorin ndërkombëtar të cilët nuk qenë të zotët të bëjnë diçka në luftimin e korrupsionit pas gjithë atij investimi që bërën për çlirimin e saj, por fatkeqësisht u bën pjesë e “peshkaqenëve” për përfitime personale.

Andaj, faktori i vetëm frenues i emigracionit nuk mbetet bllokimi dhe kthimi i autobusëve nga kufiri i Kosovës, sepse ky veprim është antikushtetues dhe antiqytetar në bazë të çdo konvente ndërkombëtare, por frenues i këtij fenomeni është sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, përgjegjësia më e madhe institucionale, rritja e zhvillimit ekonomik etj.