Brisku: Vizita jonë e parë në Shqipëri

Bahri-briskuKujtime me rastin e 100-vjetorit të lindjes dhe 30-vjetorit të vdekjes së profesor Anton Çettës

Nga Dr. Bahri Brisku

Profesor Anton Çetta me sjelljet dhe qëndrimin e tij ka afruar rreth vetes shumë shokë e miq. Njëri që radhitej në grupin e ngushtë të tyre isha edhe unë. Për këtë privilegj të madh, na ka ndihmuar: profesioni i folkloristikës, sinqeriteti reciprok, tubimet e përbashkëta nga fusha e folkloristikës, të cilat i organizonte Ai, qëndrimi i përhershëm në Prishtinë, hobi i peshkimit sportiv dhe shumë faktorë të tjerë.
Në maj të vitit 1972, në Tiranë u organizua Konferenca e Parë ndërkombëtare e folkloristëve shqiptarë. Nga osova ishin të ftuar pesë studiues të ësaj fushe. Në mesin e të ftuarve isha edhe unë. Atje së bashku me Antonin e të tjerët, qëndruam tri javë. Kjo thelloi dukshëm miqësinë dhe shoqërimin mes nesh. Gjithnjë shëtisnim së bashku duke shtruar tematika të ndryshme nga folklori dhe albanistika në përgjithësi. Blenim vepra të autorëve shqiptarë, të cilët në Kosovë nuk gjendeshin. Profesor Antoni dëshironte të konsumoj gjellë me peshq.
Ai gjatë kthimit, në Shkodër, bleu një krap të madh (mbi 6 kg). Për këtë, në doganën e Malit të Zi na doli një problem. oganieri fillimisht nuk na lejoi që ta kalojmë krapin! Për këtë na nevojitej të posedojmë çertifikatën shëndetësore!
Doganieri na drejtoi te shefi i tij. Ai kur e kuptoi mirë se kush ishte prof. Antoni, na u drejtua me një humor:
– Paska qenë krap qejfit! Si nuk të ra ndër mend profesor që të ma sillje edhe mua një të tillë. Paska qenë trofe krapi!
Shefit, profesori menjëherë iu përgjigj me bujari:
– Shoku shef, po ta them me seriozitetin më të sinqertë
– Merre, ja ku e ke! Të bëftë mirë!
– Jo, jo profesor! Të falënderoj shumë për konsideratën tënde!
Në Podgoricë u ndamë: profesor Anton Çetta me Mark Krasniqin dhe Din Mehmetin u nisën për në Prishtinë, kurse unë vajta që të vizitoj prindërit në Ulqin.
Të nesërmen, më ftuan me thirrje “sigurimsat” e Ulqinit! Nga unë kërkonin që të dinin se çka na folën për këndej dhe si na pritën! Pikën kryesore e kishin se kush çka foli dhe ju si u përgjigjët. Mos na fol për kumtesat që lexuat ti e Anton Çetta se ato ne i dëgjuam, por na fol lirisht për të tjera gjëra për të cilat ata ishin të interesuar!
– A ju thanë: që ne me ju jemi vëllezër?! Pastaj, na trego ku ishte shkaku që ju u ndaluat aq shumë, kur dihet që Konferenca (në të cilën ju morët pjesë) zgjati vetëm tri ditë. Ku ju “sallaisën” tri javët tjera…?!

– Për ndenjën tonë atje, ne kërkuam vetë, por edhe ata ishin të vullnetshëm që neve gjatë qëndrimit të na shëtisnin nëpër Shqipëri. Ne nuk kemi qenë më ndonjëherë atje dhe kishim kureshtje që të vizitojmë çdo cep. Neve ata nuk na provokuan asgjë politikisht. Kemi biseduar për vlerat e trashëgimisë popullore shqiptare. Me ne ka qenë edhe deputeti Federativ i Jugosllavisë – studiuesi Din Mehmeti nga Gjakova! Ndoshta pikërisht për këtë fakt, ata ishin në biseda të rezervuar!?
– Nuk na fole se me kë rrinte atje Anton Çetta? – thanë ata.
– Profesor Anton Çetta, ashtu edhe të tjerët që ishin atje me ne, rrinim së bashku të shoqëruar nga studiuesit e Institutit të Kulturës Popullore, me drejtorin Zihni Sako, me studiuesin Qemal Haxhihasani etj., zhvillonim diskutime rreth sigurimit të kuadrit për Universitetin e Prishtinës, për të cilin kishte nevojë të madhe.

Nga qëndrimi i tyre, me vështrime të rrepta, qartas kuptohej që nuk ishin të kënaqur me përgjigjen time!

– Po Anton Çetta, a u takua me vëllain e tij!? Çka bisedonte me të? Kush ka qenë me ju kur ka biseduar me doktorin – vëllain e vet!? – pyeti njëri prej tyre me zë të ngritur dhe vazhdoi:
– Fol ti fol, se ne tërë çka keni folur atje me personat e sigurimit të tyre i dimë. Ti fare mirë e di që ne edhe herën e parë kur të arrestuam, nuk ke vepruar kot së koti…! Nuk kishte kaluar shumë kohë që unë kisha dalë nga burgu. Kërcënimet e tij i kuptova fare mirë. Me këto kërcënime ata nuk arritën që të më frikësojnë! Me një zë të ngritur u fola:
– Nuk është e vërtetë që profesor Anton Çetta është takuar atje me vëllain e tij se në fakt atje doktor Çetta – vëllai i Antonit, ishte i përndjekur! Kushdo që për të ju ka thënë ndryshe siç pohuat ju, nuk është e vërtetë.
Qartas vërehej që për profesor Antonin ishin të interesuar që t’i gjejnë ndonjë ”kleçkë”, kurse për Mark Krasniqin dhe për Din Mehmetin nuk më pyetën.

– Çohu! Shporru nga këtu! – tha njëri prej tyre, duke m’u gërmushur.
Tri-katër ditë sa qëndrova në Ulqin, më brente mendimi që Antonin UDB-ja po e ndiqte! Mjaft dëshirova që ta marr telefonin dhe të pyes se si është halli i tij! Por, duke qenë i bindur që ata i përgjojnë telefonatat, nuk e ftova Profesorin.
Menjëherë sa mbërrita në Prishtinë, vajta në Institutin Albanologjik ku e takova Antonin, të cilit nuk i bisedova për rrapatjet e mia në Ulqin. Mos ta shqetësoj me këto pisllëqet e UDB-së. Me të e caktuam që të nesërmen të shkojmë për peshkim në lumin Drenica te Gllogovci. Atje shkonim shpesh për zënien e krapit. Për “meze” kishim siguruar kaçamak me miell të verdhë… /Koha Javore/