Gjeka-selmanajShkruan Gjekë Gjonaj

Delegacioni i Komunës së Deçanit  zhvilloi me datë 4 shtator 2015,   një vizitë zyrtare në Komunën e Ulqinit. Vizita u realizua në kuadrin e vendosjes se lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve, kryesisht lidhje në fushën e kulturës, artit, sportit, ekonomisë  e tjerë.  Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka dhe homologu i tij  kryetar i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj  shprehën interesimin dhe vullnetin e  dy institucioneve për të çuar përpara këtë bashkëpunim me interes të përbashkët.

Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka deklaroi me këtë rast se  është një ditë e veçantë  për komunën tonë. “Aktin e firmosjes së binjakëzimit  në mes të dy komunave tona e konsiderojmë një vlerë e cila do të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet tona vëllazërore. Marrëveshja parasheh bashkëpunim  në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Ajo është një rast i mirë për sipërmarrësit për të investuar, shkëmbyer njohuri dhe aftësi, për institucionet e kulturës, sportit dhe fushave tjera. Me këtë rast dua të veçoj  edhe marrëdhëniet e mira  që janë shembull në mes të  Malit të Zi dhe Kosovës. Edhe kjo  marrëveshje besoj se është një ogur i mirë  në procesin e integrimeve evropiane, ka deklaruar Gjeka.

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Deçanit  Rasim Selmanaj në  emër të të gjithë qytetarëve të kësaj komunë shprehu falenderimin e tij për mbeshtetjen  e  qytetarëve të Ulqinit  që i ofruan qytetarëve  të  Deçanit dhe të tjerëve gjatë luftës së lavdishme  të UÇK-së. “ Ne jemi një popull. Kemi një gjuhë, një traditë. Të gjitha i kemi të përbashkëta. Edhe të kaluarën. Prandaj  mendoj se Komuna e Ulqinit dhe Komuna e Deçanit mund të kenë  bashkëpunim me interes të përbashkët. Ne e kemi nisur ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, e cila do t’i   afrojë  shumë shqiptarët në rajon. Nga Deçani deri në Shkodër janë jo më shumë se 70 kilometra, ndërsa pas përfundimit të kësaj rrugë   ne në Ulqin mund  të vijmë  për një orë e gjysmë. Kështu po krijohen mundësi shumë më të mira të  bashkëpunimit dhe të afrimit në mes nesh”, ka thënë Selmanaj.

Edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit mr.  Fuad Haxhibeti  aktin e binjakëzimit të këtyre dy komunave e vlerësoi hap shumë të  rëndësishëm, sepse siç u shpreh ai,  në këtë mënyrë do të kemi mundësi të njohim më mirë njëri-tjetrin.  “Do të kemi mundësi të intensifikojmë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke filluar  nga  kultura, sporti, ekonomia, pse jo edhe politika.Nëpërmjet  këtij binjakëzimi do të arrihet afrimi i Ulqinit dhe Deçanit,  të cilët kanë një gjuhë dhe një kulturë të përbashkët”,  ka pohuar Haxhibeti.

Binjakëzimi i Ulqinit dhe Deçanit përfundoi me një koktej të rastit në restorantin “ Europa”.

Marrë nga faqja e kryetarit të Deçanit

By admini

One thought on “Binjakëzohen Ulqini dhe Deçani (video)”

Comments are closed.