LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI SHËNON 25-VJETORIN

ldnemz-shenon-25-vjetorin-e-themelimitLidhja Demokratike në Mal të Zi feston shënon 25 vjetorin e themelimit. Më këtë rast kryetari i këtij subjekti politik Mehmet Bardhi iu drejtohet të gjithë qytetareve dhe përkrahësve të këtij subjekti.

Urimin e kryetarit të LD në MZ Mehmet Bardhi mund ta lexoni të plotë më poshtë.

Të nderuar anëtare dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike  në Mal të Zi,
Të nderuar përkrahës,
Të nderuar qytetare e qytetarë,

Me 9 shtator 2015, kësaj të mërkurë, mbushën plot 25 vjet, kur më 9 shtator 1990, pas përgatitjeve të bëra, u mblodhën në Tuz të Malësisë përfaqësuesit nga të gjitha trevat shqiptare, sot në Malin e Zi: nga Ulqini e Ana e Malit, nga Kraja – Tivari, Tuzi -Malësia, Plava e Gucia dhe Rozhaja dhe themeluan, subjektin e parë politik të shqiptarëve, sot në Malin e Zi, Lidhjen Demokratike në Mal të Zi, që ishte dhe është simotra e LDK-së, të Kryetarit e Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, partisë së parë politike shqiptare në ish-Jugosllavinë (23 dhjetor 1989).

Gjatë gjithë këtyre viteve, një çerekshekulli veprimtari, përkundër vështirësive e pengesave të shumta dhe të  llojllojshme, me të cilat u përballëm: sulme, trillime, shpifje, kërcënime të natyrave të ndryshme, nga jashtë, herë-herë edhe nga përmbrenda, ia dolëm të qëndrojmë e të veprojmë pa u luhatur, të jemi në vazhdimësi parti parlamentare, parti e cila nuk i shkeli asnjëherë parimet dhe qëllimet për të mbrojtur interesat e të drejtat e shqiptarëve, por edhe të tjerëve pa dallim, parimet dhe zhvillimet demokratike, interesin mbarëkombëtar.

Prandaj, me lejoni që me kënaqësinë më të madhe T’JU UROJ 25-VJETORIN E THEMELIMIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI, T’JU UROJ KËTË JUBILE, JUBILE TË MADH, I CILI DO TË MBETËT KRENARI KOMBËTARE E MBARËKOMBËTARE.

2

Në këto momente festimi e krenarie i falënderoj dhe uroj të gjithë. Së pari, uroj themeluesit, nënshkruesit e aktit të themelimit, po edhe ata që na përkrahën gjithë këto vite (që kishte edhe vite lufte e vite të refugjatëve, të dëbuarëve me dhunë e zjarr të qindramijëra kosovarëve nga soldateska serbo-sllave), në cilatdo forma, i falënderoj zgjedhësit të cilët patën guximin, mençurinë dhe kënaqësinë të rrumbullaksojnë, në zgjedhjet lokale e parlamentare, LD në MZ- në.

Falënderojmë mërgatën shqiptare kudo që gjendën, në SHBA, Evropë e vende të tjera. Posaçërisht falënderojmë anëtarët, aktivistët dhe udhëheqësinë e parë dhe të mëvonshme të Degës së Çikagos të LD në MZ-së, dhe qendrat në Nju Jork e Gjermani.

Falënderoj shumë për përkrahjen që patëm nga subjektet simotra nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Presheva.

Falënderoj mediat, ato të cilat në mënyrë profesionale raportuan për aktivitetet tona, me çka na ndihmuan ne dhe proceset demokratike e kombëtare.

Një falënderim të posaçëm u drejtoj të gjithë atyre anëtarëve e veprimtarëve të cilët sot nuk janë më në mesin tonë. Atyre u qoftë i lehtë dheu i tokës arbnore.

Falënderoj edhe ata e ato, të cilët na përkrahën në fillimet e shumëpartiakësisë, e pastaj për arsye të ndryshme u larguan, në heshtje. I falënderoj sepse na përkrahën atëherë kur ishte nevoja më e madhe edhe për guximin qytetar e kombëtar. Atyre u themi se dyert e Lidhjes janë gjithëherë të hapura. Me këtë do të fitojë çështja shqiptare e demokracia. Është koha për bashkim.

Në fund fare, falënderoj edhe të gjithë ata që na këshilluan apo edhe na kritikuan me qëllim që t’i evitojmë të metat tona,  në këtë rrugëtim sa të lavdishëm e qëllimmirë, aq edhe të vështirë e me plot pengesa edhe të paprituna.

Ndërsa, atyre që për arsye  apo interesa të ndryshme, të ngushta personale “fitimpruese” dhe atyre të cilët në ndonjëfarë mënyre ishin apo janë të kapur, u themi se  nuk do të na kenë bashkudhëtarë.

PRA, URIME 25-VJET LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI!
QOFSHI FAQEBARDHË!
P.S. Me ketë rast u kërkoj falje, atyre, përfaqësuesve të ndonjë dege, anëtari të LD në MZ, apo ndonjë mysafiri që rastësisht nuk i ka mbërri ftesa për ceremoninë e festimit të 25-vjetorit që do të mbahet në hotelin MEDITERAN në Ulqin , në ditën e themelimit të LD në MZ-së, më 9 shtator 2015 në orën 20:00.

URIME!
GËZUAR 25-VJETORI!

MEHMET BARDHI, kryetar i LD në MZ

Më 5 shtator 2015

ldnemz-shenon-25-vjetorin-e-themelimit