Një ditë në Plazhin e grave në Ulqin – Bukuria e femrave njësh me natyrën

Plazhi-grave-ulqinNga Meri Lalaj

Para nja dhjetë vitesh, poeti Pano Taçi, më tregoi se kishte qenë në Ulqin dhe se kishte parë nga larg në plazh femrat duke u larë lakuriq. (Nuk më pëlqejnë fjalët nudo, topless e të tjera, që i përdorin gazetarët me vend e pa vend, derisa kemi në shqip: cullak, lakuriq, gollomesh etj.) Kur më rrëfeu Pano, mendova se ai përfytyronte motive për ato poezitë e tij erotike.

Kaluan vite dhe më së fundi u bë mbarë për mua së bashku me miken time poete dhe piktore, MiraDije Ramiqi nga Prishtina, erdha që të pushoj dhe të djellosem (siç thonë këtej) në Ulqin, në Hotelin “Albatros” dhe pikërisht në plazhin ku femrat rreziten cullak. Një vend i bukur, i mrekullueshëm, tek hyrja ndodhet një tabelë “Ladies’ Beach” (Plazhi i Zonjave, i shkruar dhe serbisht, por jo në gjuhën shqipe, ndonëse Ulqini ka mbi 70 përqind shqiptarë). Pasi zbret nja pesëdhjetë a gjashtëdhjetë shkallë mbërrin tek bregu i detit. Ky vend është një gji dhe Deti Adriatik futur brenda tij. Deti ka ngjyrë të blertë nga pasqyrimi i gjetheve të gjelbra të drurëve përqark dhe halave të pishave. Në çast më kujtohen vargjet e poetit Llazar Siliqi: “Adriatiku qesh, / valët e tia përkëdhelin bregun lehtë me dashuni…” rreth e rrotull gjiut shkëmbinj të egër dhe përmbi ta drurë të gjelbër, shkëmbinj me myshk të gjelbër të errët ndodhen edhe brenda në det dhe përmbi shkëmbinjtë femra lakuriqe të ulura që rreziten nën diell, një pamje si nëpër filma. Disa notojnë në ujin e blertë me vezullime të argjendta dhe ngjasojnë me floçkat e përrallave. Vajza të reja me trupa të përsosur si të bëra nga dora e vetë Zotit dhe më ndërmenden vargjet e Eposit të Kreshnikëve “E un Tanushën vet e kam pa…”, pse më kot qenkërka shkruar “Kënga e Këngëve” të Salomonit, Sigurisht në atë gji deti më të bukurat e të bukurave janë shqiptaret, më tej dhe gra të shtyra në moshë që gëzojnë vitet e fundit të jetës së tyre e tash më vjen në mendje nga Walt Whitman “Të bukura janë të ratë, por më të bukura janë plakat…”

Guri çudibërës
Djathtas vendit të plazhit duket një guvë, por ajo ngjan disi edhe si urë e krijuar prej shkëmbinjve të shtrirë e mbi të dhjetëra metra shkëmbinj dhe drurë, e brenda në ujin e kripur majtas guvës ndodhet një gur gjatosh më i lartë se sa trupi im më këmbë gjithsej nja dy metra nga nënuji e mbiuji. Më treguan se tek ky gur shkojnë gratë që nuk kanë mundur dot të lindin fëmijë. Ato sillen disa herë rreth e përqark gurit duke thënë lutje me zë të lartë dhe jehona e zërit të tyre kumbon brenda kubesë së guvës. Para se të largohen ato gra lenë aty mbi gur një plaçkë të trupit të tyre duke shpresuar që t’u plotësohet dëshira. Rrëfejnë se kanë ardhur dhe janë lutur gra që kishin 20 apo 15 vite martuar pa lindur dot fëmijë dhe pas lutjeve ka ndodhur mrekullia, janë bërë nëna. Vetëm se gati njëqind metra larg gurit gjatosh në të njëjtin drejtim rrjedh një burim me ujë sulfuror, ai ujë derdhet nga dy sylynjarë drejt e në ujërat e detit. Femrat kur dalin nga deti lahen që nga flokët deri tek thonjtë me ujët e këtij burimi, aty pranë ka edhe baltë sulfurore dhe cilado mund ta lyejë trupin. Pra, burimi, ajri i pastër, qetësia, bukuria e vërtetë ndikojnë mbi shëndetin e femrave dhe këto janë kryesoret për t’u bërë nëna.

Plazhi-grave-ulqin

Një ditë  (para Ramazanit), këtu tek plazhi erdhën një tufë me vajza të bukura, hollake të gjitha me kryet mbështjellë me napë dhe mbuluar me rroba nga koka tek këmbët. Ato u futën në ujë me bluza dhe pantallona të holla, kur dolën nga deti rrobat u ishin ngjitur pas trupit e flokët e gjatë tok me teshat. Pastaj ato u larguan në rresht njëra pas tjetrës posi ndonjë tufë me pata.

A je lulushëm?

Një ditë teksa isha vetëm m’u afrua një grua e thatë në trup me këmbë të shtrembëra e nxirë nga dielli si e përzhitur dhe për të hapur bisedë me mua më pyeti: “A je …ushëm?” “Nuk të kuptoj.” I them. Ajo e përsërit pyetjen dhe unë vras mendjen mos po më pyet “A jam unshëm” (domethënë a jam e uritur, apo meqë më ka parë veshur me një fustan me lule mos po thotë “A jam lulushane?” Kur i them sërish “Nuk të kuptoj”, ajo më pyet: “A mban Ramazan?” “Jo, jo” –i përgjigjem. Kur kthehet MiraDija e pyes shumë seriozisht: “Çfarë do të thotë “lulushëm” MiraDija e kupton përnjëherësh dhe thotë se fjala është “ninushëm” që do të thotë “agjënueshëm”. Ajo ia plas gazit e vijon. “Pesë minuta t’kam lanë vetëm e kqyr çka po të ndodh…”:

Zënka e grave
Atë vit pas luftës në Bosnjë gjatë verës, disa gra boshnjake u ndodhën në këtë plazh pikërisht atje tek pllaka e betontë para se të futesh në det, ato u grindën keqas me gratë serbe të ardhura po aty. Në fillim u shanë me fjalë dhe pastaj u përleshën lakuriq me duar e me këmbë nga kacafytja e tyre u shkërmoqën edhe pllakat e betonit ndërsa ato u gjakosën dhe u përlyen me gjakun e njëra tjetrës. Gratë boshnjake shtrëngonin me dhimbje dhëmbët për fëmijët e humbur të vrarë që ato i patën lindur për ta gëzuar jetën dhe gratë serbe po për bijtë e tyre që u dërguan për të mbjellë vdekje.

Biseda me serbet
Në këtë plazh vijnë e rreziten femra ruse, serbe, shqiptare e tek tuk ndonjë angleze, secila flet në gjuhën e vet dhe mirremi vesh për bukuri me njëra tjetrën. Disa femra lexojnë libra secila në gjuhën e vet. Ndonëse u përkasim kombësive të ndryshme të zhveshura lakuriq ne jemi thjesht femra. Ndonjëra mban varur në qafë kryqin ortodoks, ndonjë tjetër një varëse të thjeshtë.
Për herë të parë në jetën time kam biseduar anglisht me një serbe e quajtur Tatjana në një seminar në Tiranë, apo si e emërtojnë ndryshe “workshop” (kjo fjalë është baras me disa njerëz që punojnë dhe vetëm njëri zhvat e i fut paret në xhepin e vet). Bisedojmë me orë të tëra, ne të tria: MiraDija, shqiptare e Kosovës nga Pozhorani, Mira, nga Tivari i Malit të Zi (ka punuar në Beograd, por si pensioniste është kthyer sërish në Mal të Zi) dhe unë, Meri nga Pogradeci. Ato të dyja flasin serbisht, unë kuptoj sepse ime gjyshe ka qenë nga Ohri (dhe mamaja ime fliste maqedonisht në shtëpi), veç kësaj kam mësuar rusisht në shkollë aq sa mund të lexoja Çehovin e autorë të tjerë. Ne të tria, MiraDija, Mira dhe unë  bisedojmë për ngjyrën e flokëve çfarë bojërash përdorim, për vajrat bimorë për lëkurën e trupit dhe fytyrës, për gatimin. Mira tregon se ka kapur me duar një peshk dhe e ka skuqur për drekë. Në një moment Mira ul zërin dhe flet me të pëshpëritur diçka si thashethem midis të gjitha fjalëve më kap veshi fjalën “hoxhica” dhe mendimi më shkon larg, shumë larg në kohën e diktaturës, por vështrimi i atyre të dyjave është ngulur tek një femër e kolme, lakuriqe, vithegjerë, që ecën serbes-serbes duke u tundur e plogështuar me trupin e nxirë nga dielli. MiraDija më përkthen se Mira, (gruaja serbe) e njeh atë gruan që sapo kaloi, ajo jeton në të njëjtin qytet me të dhe tregon se ajo femër në qytet del e mbuluar nga koka tek këmbët edhe kokën e mbështjell me shami. Biseda vijon për fenë, Mira na rrëfen se kur ishte e vogël në mes të lagjes së tyre jetonte një familje myslimane ishin hoxha dhe gruaja e tij. Ata nuk kishin fëmijë. Rreth e rrotull shtëpisë së tyre kishin shumë drurë frutorë dhe gruaja e hoxhës kur ngrihej në mëngjes dilte në kopsht e mbushte përparësen plot me pemë dhe ua jepte fëmijëve të lagjes. Pasi vdiq hoxha, gruaja e tij mbeti e vetme, po për të u kujdesen fqinjët, madje edhe kur u sëmur deri në ditën e fundit të jetës edhe në varrimin e saj.

Gjarpëri në shkëmb
Një ditë ndërsa qëndronim shtrirë për t’u rrezitur dikush brofi e alarmuar, tek shkëmbi ngjitur me ne po zvarrisej një gjarpër. U ngritëm më këmbë. Një serbe thirri. “Ubi zemja! Ubi zemja! (Vrite gjarpërin! Vrite gjarpërin!) dhe rrëmbeu një shkop të gjatë. Kjo fjala “ubi” më kujtoi shungullimën e thirrjeve në stadium. Ne shqiptaret thirrëm: “Jo, jo, gjarpëri nuk duhet vrarë!” Dhe po rrëfenim se ai na mbron edhe shtëpinë. Ndërsa gjarpëri nuk u tut aspak nga femrat e bukura lakuriqe, madje po zvarritej në drejtim të kundërt me to për t’u fshehur në ferrat dhe drizat e pyllit afër nesh.

Të gjitha shqiptaret flasin serbisht, asnjë serbe nuk flet shqip edhe sikur ta dijë gjuhën, vetëm një mbrëmje pronarja e plazhit më tha: ”Natën e mirë!” në gjuhën time.