Tivari-vjeter-1966
Foto Ilustruese: Tivari vjetër, 1966

Shkruan prof. Dr. Jahja Drançolli

Luftërat që kishin përfshirë territorin e sotëm të Malit të Zi gjatë antikitetit u shoqëruan edhe me shkatërrime të mëdha dhe rënie ekonomike. Në tërë shtrirjen e ilirëve u pakësua shumë numri i qyteteve. Qytetet që u ruajtën morën organizim social-politik romak.

Ato qytete që morën statusin e kolonisë, si Ulqini, patën një hov të ri zhvillimi. Gjatë periudhës romakë u ndie ndikimi i artit e i kulturës romake si dhe i gjuhës latine. Në shek.III-IV në Perandorinë Romake shpërtheu kriza social-ekonomike e politike dhe në vitin 395 Perandoria u nda në dy pjesë, në Lindore e në Perëndimore. Efektet romanizuese të pushtimit nuk arritën të shuanin traditat etnike vendëse, meqenëse ilirët kishin një nivel të lartë kulturor dhe luftërat e vazhdueshme kundër pushtuesve e forcuan edhe më shumë ruajtjen e traditave vendëse në gjuhë e në kulturë. Gjatë shek.III-IV njihen si perandorë romakë me prejardhje ilire Klaudi II, Aureliani, Deci. Ndër perandorët romakë më të mëdhenj ilirë janë Diokleciani dhe Konstandini i Madh. Diokleciani (284-305) në vargun e reformave të veta, themeloi më 297 edhe Provincën e Prevalit (përafërsisht treva e Malit të Zi të sotëm). Gjatë sundimit të Konstantinit të Madh (306-337), Prevali hynte në dioçezin e Mezisë së Epërme (ku përfshihej edhe Dardania). Pas ndarjes së Perandorisë Romake më 395, Prevali u fut në kuadrin e prefekturës së Ilirikut Lindor. Nga kapërcyelli i shek.VI rezulton se sllavët kishin kaluar nepër trevën e sotme të Malit të Zi por këtu nuk krijuan ndonjë formacion të quajtur Skllavini.

Termeti katastrofik i vitit 518 dhe dyndjet barbare të shek. VII shkatërruan pothuaj terësisht qytetet e mëdha të antikitetit të kësaj ane. Mirëpo, potenciali njerëzor i këtyre qyteteve të rrënuara paraqiste mbështetje të fuqishme për themelimin e qyteteve të reja mesjetare, si, Antibari (Tivari), Suacium (Shasi), etj. Këtej, Tivari (Antibari, lat. mesjetare Antibarum, Antivarum, ital. Antivari), gjente mbështetje te fortifikata bizantine Antipargoi, të cilin e përmend Prokopi, kronisti bizantin i shek.VI. Qyteti gjendet 5 km larg prej buzës së detit me një fushë me ullishte dhe më vreshta rrushi, e cila gjatë gjithë shekujve ruajti bukurinë e saj. Nepërmjet qytetit kalonte përroi Clyrus, i cili derdhët në lumin e afërt Xelexnica dhe sipër atij ngrihen malet e larta bregdetare. Gjiri i hapët shërbente si skele që gjendej në jug të qytetit pranë malit të Volovicës (Vollujica). Kjo skele në realitet nuk ishte e sigurt për qëndrimin e anijeve, por gjatë mesjetës të gjithë e quanin “portus Antibari” (më 1274). Skela ka qenë e fortifikuar ndoshta në kohërat e lashta, gjë që ndikoi se në shek.XVI të dominonte mendimi se, qyteti i parë është gjendur pikërisht buzë skelës. Kështjella (më 1442 castellum), e cila sot është një gërmadhë, është ngritur mbi një shkëmb të lartë në veri-lindje të qytetit. Te barbakaneja, porta e të cilës gjendet lartë (finestra), të çonte një shkallë që ishte gdhendur brenda në shkëmb. Nën kështjellën është ngritur qyteti në formë të një gjysmë rrethi si një amfiteatër. Qyteti gjatë mesjetës ishte i rrethuar me mure të larta, të cilat në perëndim formonin një bastion (il batone detto Gavodolla, Gavadola). Ishte vështirë për t’i kaluar, meqë pengonin ledhet prej guri (maçera e dalmatinëve), madje edhe shumë shtëpia të inkorporuara në mure të qytetit. Ky fenomen shihet kudo në periudhën e vetë zhvillimit, si, në Shkodër, në qytete të Dalmacisë, Palermo, etj. Dalja në ballë të Këshillit të Vogël në Tivar para vitit 1372, ka të ngjarë se u bë një “grusht shteti” nga bujaria e qytetit dhe ajo mori gjithë fuqinë në dorë. Përveç kësaj bujaria bëri përpjekje për suprimimin e Këshillit të Vogël dhe atë ta kthej në një Këshill të Madh (“consilium maius”) të bujarëve tivaras, sikur në Kotorr dhe Budua. Njoftimet historike për qytetet në arealet e Tivarit dhe Ulqinit edhe sot kanë nevojë të plotësohen. Në këtë kontekst janë të nevojshme përnjohjet dhe gërmimet arkeologjike, si dhe kërkime të lëndës arkivore që ndërlidhet me pjesën e qyteteve mesjetare. Një vend më rëndësi këtu zë Shasi (Soacia, Suvacium, ital. Soaço, Suaço, Suazzo, kroat.Svaç).

Një çështje më rëndësi në zhvillime të mëtejme historike të provincës së Prevalit, është paraqitja e krishterimit. Gjurmët e parë të krishterimit në Prevalis i ndeshim në një stele varri nga gjysma e dytë e shek.IV të zbuluar në Kolovrat, të cilin një farë Vurus ia kishte ngritur nënës, gruas (që të dyja të quajtura Secundona) dhe vetes për së gjalli. Këtu del sheshazi simbioza e paganizmit dhe krishterimit. Nga Dioklea na del edhe një dëshmi mjaft interesante paleokristiane, e ashtuquajtura “kupa e Podgoricës”. Kjo kupë qelqi u zbulua rreth vitit 1870. Aty janë paraqitur tetë pamje, me përmbajtje biblike, shtatë të marra nga testamenti i Vjetër dhe ringjallja e Lazarit është e vetmja skenë nga Testamenti i Ri. Një monument tjetër paleokristian të Prevalit ka zbuluar A. Evans (shek.XIX). Është fjala për një gemë nga Risani, në të cilën paraqitet, “pastori i mirë me qengj”, monogrami i Krishtit, si dhe një amforë, mbase ishte simbol i “Kanës së Galilesë”. Në qytetin e Tivarit është zbuluar një bazilikë trikonkshe, tek e cila vërehet se janë bërë rindërtime që nga koha e ndërtimit të saj e deri në shek. IX. Mirëpo, ndërlidhjet e këtij monumenti paleokristian me qendrën e madhe argjipeshkvore të Tivarit (nga shek.XI) vetëm mund të supozohen. Gjithashtu, edhe në kalanë e vjetër të Ulqinit, gërmimet arkeologjike të kryera në pjesën veri-perëndimore të murit rrethues, kanë zbuluar dy varre të zbukuruara me afreska të traditës paleokristiane. Aty afër, janë nxjerrë disa fragmente pllakash të parapetit nga shek.VI, dhe katër kapitele jonike. Një impostkapitel i gjetur këtu, ka të gdhendur monogramin e Krishtit. Nga këto njoftime arkeologjike themi se, Tivari dhe Ulqini ishin përfshirë shumë herët në organizimin kishtar të Prevalit.

Vala e aristokracisë, që lëshohet nga veriu për në jug, si të thuash thehet te ambienti arkaik i Tivarit, te një “universitas”, që është karakteristik për gjithë arealin e qyteteve të jugut. Më termin “universitas” kuptojmë të gjithë qytetarët, të cilët janë bartës të autonomisë. Këtej, në Tivar, u shkaktuan përçarje në mes aristokracisë dhe qytetarëve. Në vitin 1380 në Ulqin ndërkaq, dalin në skenë pranë gjykatësve edhe “këshilltarët”. Këshilli i popullit (1426, homines universitatis Dulcigni) në vitin 1553 e ka ruajtur formën e saj popullore. “Bashkia e qytetit nuk ka një këshill të rregullt, kur shfaqet nevoja mblidhen aristokratët, qytetarët dhe zejtarët dhe tubohen, çdo vit në ditën e shën Markut, ku konti zgjedh nëpunësit nga radhët e aristokracisë: dy gjykatës, të cilët së bashku me atë gjykojnë mbi çështjet civile. Qytetarët (citadini), ndërkaq zgjedhin katër ekonomë (camererai) dhe katër ose pesë nëpunës të tjerë, ndër të cilët përfaqësohen edhe fshatarët (lavoratori di terra)”. Shtresa aristokrate gjatë bregut lindor të Adriatikut, titullin “Kir” (“cur”), nga mesi i shek.XIV, zëvendësuan me titullin “ser”. Këtej, nga kjo kohë, edhe qytetarët fisnik të Tivarit dhe Ulqinit mbanin vetëm titullin “ser”.

Krahas qyteteve të njo-hura italiane dhe dalma-tine edhe qytetet bregde-tare shqiptare zotëronin me statute. Kështu, reda-ktimi i Statutit të Ulqinit është bërë që në vitin 1280. Statuti i Tivarit, ndërkaq u konsolidua nga mesi i shek.XIV. Zhvillimi i statuteve u përcoll edhe më një varg instrumentesh ligjore, të cilat lidheshin gjithsesi me vulën autentike. Në mes të dy ekzemplarëve të vulës së qytetit të Ulqinit (1397) dallohet Shën Mëria me Krishtin e vogël. Vula e Ulqinit përmendet për herë të parë më 1359. Në dokumentet e gjykatësve të Tivarit më 1369 përmend vulën e komunës. Janë të njohura edhe vulat ipeshkvnore, si, e Ulqinit më 1242, Tivarit më 1252, Shasit më 1320, dhe vula e abatit të Rotecit më 1368.

Bashkësitë, shoqatat, katundet dhe komunat arbërore
Bashkësitë e pavarura në këto hapësira quhen pak a shumë me emra të llojllojshëm nëpër dokumentet e ruajtura, prej të cilave, disa emra janë me karakter gjeografik, si, fshati, atari, apo visi dhe bjeshka. Ndërsa emrat e tjerë kanë të bëjnë me natyrën e bashkësisë së njerëzve të vendosur, si, komuna (comune), shoqata (compagnia, societas), çeta (turma), tubimi (conventus) dhe katuni (cathon). Në këtë aspekt, në fund të aktit të marrëveshjes së Vraninës (1455), në mes përfaqësuesit të Zetës së Epërme, princave venedikas dhe kapitenit të Shkodrës, përmendet “lista e shoqatave dhe komunave” të Zetës së Epërme. Në vitin 1460 në një burim venedikas përmendën këto shoqata dhe katunde:“le qual compagnie et cathoni sono tutti Malonxich et Plessivaz et Bielopaulovich et Luxania”. Ndërkaq në një kartë të Çërnojave nga viti 1492, përmendën Lleshët, Pjeshivanët, Malonoshët, Komanët dhe Golemadët. Krahas tyre, përmendën edhe ca bashkësi të spikatura me prejardhje etnike arbërore, si, Tuzët, Hotianët, Mataguzët, Pamaliot, Tronët, Krampsit,, Mogulset, Bitidosët e të tjerët. Në dokumente zyrtare dhe kronika të kohës, Golemadët dhe Bushatët, si dhe vendbanimet e tyre në Zetën e Epërme konsideroheshin për arbërore. Për ç’arsye nga ana tjetër kotorrasit i konsideronin Çërnojeviqët arbërorë, ndërsa herceg St.Vukçiqi i akuzonte në Venedik për shkak të “natyrës së tyre arbërore” (costumi albaneschi) dhe për ç’arsye Konstantin Filozofi e quajti Balshën II “zotëri arbanas” edhe kjo çështje flet për përhapjen e konceptit Arbër dhe Arbëri në një hapë-sirë të madhe të Zetës mesjetare. Në Poprat, në mes të Tivarit dhe Ulqinit, zotërues ishin vëlle-zërit, Aleksi Marku dhe Pjetri. Duke u rebelua nga Balsha III kaluan në anën e venedikasëve dhe më 1405 sulmuan Tivarin dhe Ulqi-nin. Pothuaj, në kohë të njëjtë, në anën venedikase, me shoqatën e vet, kaloi edhe Pjetër Shestani i Krajës. Një shoqëri të fortë në brigje mbi Tivar, e sajonin edhe Krampsit. Për ta thuhet se kanë qenë bujarë dhe se ishin numerikisht në ato anë. Atëbotë, përmendet edhe shoqëria Laloja. Në kohën e luftërave të njëjta, në shtator të vitit 1442, raguzanëve iu bashkëngjitën edhe dy kompani luftarake të Mërkojave (Mërkotit) të cilët kolonizonin vendin në mes Tivarit dhe Ulqinit. Në luftë më ushtrinë e despotit nën Tivar më 1448, nga ana tjetër, flitet vetëm për një shoqëri të Mërkojëve me afro 130 luftëtarë dhe katër eprorë: Dominiku, Nikashi, Vasa dhe Ndreu. Edhe Lleshevitët e konsideronin veten katun të veçantë dhe, pa dyshim kanë patur njëfarë sigurimi të brendshëm, e gjithashtu edhe Lushtica, një fidanishte luftëtarësh të njohur arbërorë, jashtëzakonisht ishte dashur të kishte ndonjë bajraktar dhe tubimin e bujarëve të imtë, si dhe një numër më të madh eprorësh, të cilët kanë qenë në gjendje të tubonin shoqëritë e luftarëve të tyre. Raguzanët më 1403 kishin angazhuar “pesë luftarë trima të veshur mirë me armë me harqe dhe shigjeta, ndërsa të tjerët me shpata dhe mburoja dhe lidhur me këtë marrëveshje u kishin dërguar një letër bujarëve dhe gjithë meshkujve të mirë të bjeshkës së Lushticës” . Nga kapërcyelli i shek.XIV dhe kah fillimi i shek.XV në fuqi të jashtëzakonshme qe vëllazëria Gojshi. Të gjithë këta luftuan kundër kotorrasëve, të cilët kishin dijeni se ata “qenë më të fuqishëm se të tjerët”.

Pamaliotët, Tronasit, Hotët dhe Tuzët
Pamaliotët dhe Tronasit, konsi-deroheshin për shoqëri të forta luftëtarësh, që vinin nga radhët e fisnikëve të vegjël nga territori i Bunës. Në krye të Pamaliotëve nga gjysma e shek.XV, qëndronte Dukaleti me titull të dukës, feudal i spikatur i Gjergj Balshës-Strazi-mirit. Nuk mund të dimë sa kishte bujarë të vegjël arbërorë, veçse në negociatat me venedikasit, përmenden 14 përfaqësues të tyre. Një prej tyre ishte familja Buzanoviq, që në shek.XV nga kjo del një ipeshkëv tivaras, që do të thotë i familjes që ishte katolike dhe me siguri, e vendosur në Lastva. Nuk ka përfaqësues të Beçiqëve (Beçikemi) dhe të Dhimitërve, të cilët, përndryshe shfaqën në shek.XV dhe që do të formojë më vonë “fise” të veçanta, as Butakë, që nuk përmenden me atë mbiemër në shek.XV. Hotët ishin gjithashtu një shoqëri e fortë luftëtarësh, që mbante malësinë e Hotit, në veri të Shkodrës dhe që kishte pranuar pushtetin e Balshajve. Ndërkaq, a kanë jetuar atje të gjitha çetat hotase, kjo nuk mund të thuhet saktësisht, dhe ndoshta një çetë u kishte mbetur në malësinë e Hotit. Në paktin e Vraninës zihen ngojë në mënyrë të veçantë, hotët dhe bakshet. Në kohën e luftës së Venedikut me banin e Bosnjes e kishin epror Junk Hotin (1441), ndërsa kur despoti serb dominoi mbi Zetën e Epërme, i biri tij Bani Junko, sikundër quhet në dokumentin për vënien e kufinjve me Mataguzhët (1445). Ai si personalitet i parë në malësinë e Hotit, përmendet edhe më 1474 me emrin Banj Hot, ndërsa venedikasit, madje parashi-konin mundësinë t’ia dhuronin titullin e dukës. Është evidente, se ata evitonin ndikimin dhe mbikëqyrjen, si të despotit ashtu të Çërnojeviqëve, kështu që nuk mund të dërgonin atje përfaqësuesin e vet, si mes Malonsëve.
S’ka dyshim se Tuzët ishin një shoqëri e madhe e përhapur e përbërë ekskluzivisht nga kushërinjtë me mbiemër të njëjtë. Nga vitet 1402/1403, kanë jetuar në anën e Shkodrës dhe kanë mbajtur fshatin omonim Tuzi, kryepar i së cilit ishte Jurko Tuzi. Me te kanë qenë edhe 15 tuzianë të shquar. I gjithë vendbanimi, që kishte afro 150 shtëpi, mund të aktivizonte 500 luftëtarë. Tuzianët, në paktin e Vraninës përmendën si shoqëri Tazide, ndërsa epror e kishin Ratko Tuzin. Mirëpo, a i kanë takuar shoqërisë së tyre monolite edhe disa grupe nga listat e vitit 1455, nuk mund të dihet.

By admini