Trieshin e ka kapluar heshtja

Triepshi

Shkruan: Gjekë Gjonaj

E shtuna e parë e muajit tetor për trieshjanët është  festë e madhe. Trieshi  atë mbrëmje  kremton  festën e  tradicionale  Zojën e Trieshit. Pikërisht të nesërmen, ditën e Zojës i premtova mikut tim  Kolë Zagredës nga  fshati Reç i komunës së Ulqinit, që jeton në Nju-Jork, se do të vizitojmë vendlindjen time  – Trieshin, vendbanim i hershëm me popullatë shqiptare,  18 kilometra larg kryeqytetit të Malit të Zi. Pikëtakimi ynë i parë atë mëngjes me diell ishte  restoranti “ Ponte” në Ulqin. Aty u takuam në ora  8,oo . Pimë nga një kafe dhe u nisëm  për në Triesh me veturën e tij.  Kur arritëm në qytezën e Malësisë, në Tuz bëmë një pushim  40 minutash në  restorantin  e njohur “ Troja”. Mbasi hëngrëm mëngjesin vazhduam në drejtim të Trieshit, me qëllim që  së pari  të shohim meshë në Kishën e Zojës Rruxare, e cila,siç më kishte njoftuar një natë përpara patër Pashku Gojçaj , ishte caktuar  të mbahej në ora 11,00.

Në kilometrin e shtatë nga Podgorica vërejmë  tabelën me mbishkrim sllav, ku shkruan “ Zatrijebač”.  Ajo shërben për  të orientuar shoferët se  djathtas vazhdon rruga për në Triesh. Shoqëruesi im, duke mos e kuptuar  domethënien e  tabelës në sllavisht  më pyeti me kurreshtje  t’ia përkthej në shqip.  – Zatrijebač në shqip do të thotë Triesh.  Është toponim sllav. Kështu serbomalazezët  e quajnë Trieshin, i thashë unë. Dhe vazhduam rrugën djathtas. Pas pak minutash  mbërritëm në  Fundna   e në Luhar. Filloj t’i tregoj   shkurt  shoqëruesit tim për historikun e shkurtër  të këtyre  vendbanimeve me popullatë multinacionale , dikur me shumë banorë e sot më pak sish. Tërë kohën, rrugës gjarpëruese, të ngushtë, të rrezikshme , me një shtresë  asfalti tashmë të amortizuar , vazhdoj t’i jap atij sa më shumë informacione  nga e kaluara dhe e sotmja e  fshatrave përgjatë rrugës, kurse ai,   vërej se, kënaqet  sa me informacionet   aq edhe me bukuritë e këtyre trevave mbresëlënëse, pothuaj të boshatisura.
Vetmi  molisëse
Kur dolëm ne Qafë te Rozdecit u perballëm  me një pamje të mrrekullueshme, me një frymëzim  që erdhi  nga panorama e bukur e Trieshit, e cila në historinë e egzistencës së tij ka ditur vetëm për dhimbje dhe vuajtje për çdo banorë te trevës. Zbresim në fshatin e parë në Rudinë. Hieshin e tij ia shton Kisha e re të cilën me mjete të veta e ka ndërtuar bashkëfshatari im në mërgim, Nju-Jork, Kolë Cacaj. Kalimtarët e rastit me të drejtë e quajnë bukuroshja e fshatit. Rrugës   nuk takojmë dhe as nuk shohim njeri. Mbërrijmë në fshatin e dytë po ashtu të vetmuar në Nikmarash. Në varrezat e këtushme familjare ndalemi për një çast për t’u bërë homazh prindërve dhe vajzës sime. Njësoj  edhe fshati i radhës Budëza, vuan nga numri i banorëve. Të tri  këto fshatra lëngojnë  nga vetmia. Njerezit e parë i takojmë  në  fshatin Stjepoh, ku ndodhet shkolla tetëvjecare e cila me krenari mban emrin e  heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, shitorja dhe shtëpia e kulturës.  Shtegtimi ynë  përfundoi në fshatin Delaj, ku së pari të bie në sy një kryq i bardhë, shtatëlartë,  disa metra i gjatë, pastaj dy-tri shtëpi të rregulluara për bukuri,  dhe një tabelë në gjuhën agleze.  Por ajo që të josh më së shumti këtu gjithësesi është  kanjoni i lumit Cem, dhe leqet e Rapshës. Por  as në këtë fshat nuk arritëm të përshëndetemi me askënd.Nuk pamë  njeri të gjallë.

Kisha me pak besimtarë
Megjithë dëshirën tonë të madhe që të mbërrijmë me kohë në meshën shenjte nuk  arritëm.  Vonuam 35 minuta dhe mesha kishte përfunduar.Me të ndalur  para kishës së Trieshit,  në oborr vërejmë  famullitarin  Patër Mirash  Marinaj, i cili  në muajin gusht të vitit të  kaluar organizoi 250 vjetorin e themelimit të kësaj famullie katolike,  dhe një numër jashtëzakonisht të vogël besimtarësh. Në takimin e parë me ta  urojmë njëri-tjetrin, gëzuar për shumë mot dhe  me zemër të mirë festën e Zojës! Habitem sa pak besimtarë kanë ardhur atë ditë  të  diele për të parë meshë. Më kujtohen vitet kur ky oborr Ditën e Zojës ishte përplotë i mbushur me  besimtarë, kurse kisha ishte e vogël për t’i pranuar të gjithë.  Po ashtu m’u  kujtua si foshnje kur këtu  dëgjova për herë të parë Formulën e Pagëzimit të Pal Engjellit “ Të pagëzoj në ëmën të Atit e të Birit dhe të Shpirtit Shënjtë” dhe më vonë si i ri dhe i rritur gjithë ata burra të dheut, gra sojnike  e rini të bukur  trieshjane e shqiptare, por edhe logje e panagjyre. E sot. Ndjehem i zhgënjyer. Por mundohem ta  inkuraroj veten.   Prej atëherë kanë kaluar shumë vite.  Kohët kanë ndrushuar. Bashkë me to edhe Trieshi. Banorët e tij tashmë ndodhen larg vendlindjes.Kush më afër e kush më larg. Kanë migruar dhe emigruar  brenda dhe jashtë shtetit,për një jetë më të mirë e më të rehatshme  se ajo që kishin jetuar  baballarët e tyre.

Në  konakun e Dodë Smajlit Gjeloshaj   
Në kthim u ndalëm në fshatin Nikmarash, ku dikur frymonin 50 familje, kurse sot  i kanë mbetur besnik atij  vetëm dy prej tyre. Kryefamiljari Mark Noshi Gjeloshaj, moshatar  imi dhe shok i shkollës  për tetë  vite radhazi, na dëshiron mirëseardhje. Sepse në mendësinë e trieshjanit miku e nderon shtëpinë. Ky vajtor (britmëtar) i njohur në Malësi  rrjedh nga një familje e madhe fisnike dhe patriotike, gëzohet për vizitën. Sisomos atë ditë, kur feston festën e madhe të Zojës së Trieshit. I mësuar me traditën e bujarisë dhe mikpritjes, karaketristike  për Trieshin dhe trevat tjera të Malësise, nuk na lejon pa hyrë në shtëpine e tij, dikur konaku i njohur  i Dodë Smajlit i cili u vra nga UDB-a në shtëpinë e vet në vitin 1951 bashkë me mikun e tij komandantin e Aviacionit të Beogradit Radomir Mirasheviq, të cilit ia dha besën se do ta përcjellë  për në  Shqipëri.  Ai, duke na gostitur me  të gjitha të mirat që i kishte shtruar në sofër, me gjakëftohtësi e modesti na tregon për  historinë tragjike të familjes së tij dhe për kalvarin e gjatë të vuajtjeve   që përjetuan ata  nën regjimin komunist, arrestime, burgosje, tortura, internime e tjera.
 Trishtim i brendshëm
Pasi  u kënaqëm me mikëpritjen  e Mark Gjeloshajt  vazhduam rrugën për në fshatin tim – Rudinë. U ndalëm  tek  shtëpia  ime e lindjes. Aty ku kam parë së pari herë lindjen e diellit dhe ndriçimin e hënës. Aty  ku i kalova vitet më të bukura të jetës sime nën përkujdesjen e ngrohtë të prindërve të mi të dashur,tashmë të ndjerë. Pushofshin në paqe!   Kur iu afrova shtëpisë   me mori vaji . Jo, pse me kujtoheshin  copëza  jete të fëmijërisë e rinisë sime, por nga  pamjet rrënqethëse  të shtëpisë, e cila ishte   gërmadhë, pa kulm, pa dyer e pa  dritare. Rrethina e shtëpisë më la përshtypjen e një bukurie te braktisur. E një bukurie që më pikëllon  kur e shoh. Shtëpia ngrehinë më rikujtoi atë bukuroshen  e cila nuk ka mundur ta mbajë pranë vetes të dashurin e vet , sespe i dashuri i saj  s ‘ka pasur tjetër zgjidhje  përveçse ta braktisë nga trishtimi i brendshëm shpirtëror.
Te kushëriri për mjesditë
Ashtu i përlotur  vazhdojmë  rrugën   teposhtë dhe menjëherë arritëm në oborrin e shtëpisë së kushëririt, Gjokës. Ai dhe familja e tij, bashkëshortja Marja, djali Lubi dhe vajza Violeta kur morën vesh për vizitën tonë na pritën zemërhapur e buzagaz. Vertetë u kënaqëm së bashku, duke biseduar,  duke hëngër mish fërliku në hellë (specialiteti kryesor tradicional i trieshjanëve-malësorëve)   e duke pirë  këtë ditë feste të madhe. I zoti i shtëpisë  Gjoka na rikujton kohën kur ai  Ditën e Zojës së Trieshit në këtë shtëpi, derisa jetonim se bashku 30 anëtarë të familjes,  i  ka numëruar 64 miq siç i quajmë  ne mysafirët, duke mos llogaritur gratë  e  femijët e tyre. Kaq miq sot,  shton Gjoka, nuk besoj se i ka gjysma e Trieshit.
Kthimi  në Ulqin
Rreth orës 16,oo u nisëm për në Ulqin. Stacioni ynë i fundit ishte familja e Martin Cacaj, ndër të rrallët trieshjanë, bashkë me kushëririn tim Lubin ,  të cilët i janë  përkushtuar  vendit të origjinës. Ai jeton në Podgoricë, por  në  Triesh ka ndërtuar një shtëpi të re, ku e kalon kohën çdo uikend me familje. Edhe Martini edhe Lubi  vërejmë se kanë investuar mjaft në vendlindje dhe  se janë adhurues  të trashëgimisë sonë kulturore, të orendive   e sendeve  tona të vjetra.   Shoqëruesi im Kola   në kthim  për në Ulqin më thotë  se  i pëlqen  shumë kjo zonë, se  ndjen një dashuri të veçantë edhe për njerëzit që jetojnë këtu, por , siç pohoi ai,  ka mungesë të kujdesit dhe ndodhet shumë larg zhvillimit ekonomik për çka bashkërisht  ndjejmë  keqardhje të madhe.
Shpresa vdes e fundit
Te gjitha fshatrat e Trieshit , sot sikur banohen vec prej heshtjes. Ajo heshtje i ngërthenë në vete lotët mërgimtar të nënave trieshjane të përmalluara për fëmijët e tyre,  shumica e te cilëve kanë  shtegtuar matanë oqeaneve, që shijuan kurbetin duke marrë rrugën pa kthim, në Amerikë, Australi, Gjermani, Zvicër… Shkuan aq larg, thuajse donin  të arrinin atje ku nuk shkohet më tej, në fund të botës,prej nga e kanë  të vështirë të kthehen, edhe  përkundër   mallit  që ndiejnë  që edhe një herë të prekin  me këmbë pragjet e shtëpive ku kanë  lindur. Kam  bindjen se heshtja e jo gurët shkëmbor të kësaj zone malore i mban në këmbë ato pak shtëpi  të  vjetra dhe  ato të meremetuara. Kjo vetmi  që dhemb  nuk është asgjë tjetër përveçse  një rrëfim i trishtueshëm për të parët tanë që  jetuan në  këtë trevë të thepisur. Ndërkohë që  trieshjanët e paktë që mbeten në vendlindje po i ruajnë shtëpitë dhe truallin e të parëve, sikurse edhe kujtimet për të kaluarën e Trieshit.
Urojmë të mos shuhet shpresa e tyre se e ardhmja do të jetë ajo  që kishin ëndërruar të parët e tyre:  që trieshjanët të bëjnë çmos për të mos u shuar vatra në shtëpitë e tyre. Bashkëvendas  trieshjanë në vendlindje mos e humbisni shpresën. Ajo vdes e fundit.