Ja Best Sellers & Best Books të panairit të librit ”Tirana 2014”

Libri-shmet-zogu-blendi-fevziuNë një panair libri përtej shifrave të përfaqësive nga shtëpitë botuese dhe bilanceve të vizitorëve, fjalë kyç mbeten shitjet, përndryshe nuk do të qè panair, aty ku ekspozohet për t’u takuar blerësi dhe shitësi- me çmime pak më preferenciale apo me oferta speciale – qofshin këta edhe botues, shkrimtarë apo lexues. Panorama e madhe, në fund të fundit mbetet tregu i botimeve dhe interesi i të gjitha palëve është suksesi i përkthyer në sa më shumë kopje në duart e lexuesve.

Në ditën e tij të katërt, ky Panair i shtatëmbëdhjetë e ka qartësuar tablonë dhe trendin e atyre çka mund të quhen“bestseller”-at apo më të blerët.

“Ahmet Zogu-Presidenti që u bë Mbret”

Nuk ka asnjë dyshim që Blendi Fevziu, edhe kësaj here është autori “bestseller” i Panairit. Mjafton të hedhësh një sy kalimthi në hapësirën e stendës “UET Press” dhe të shohësh radhën e njerëzve, që presin të marrin kopjen e tyre të autografuar nga gazetari, për t’u bindur te shifrat rekord që vijon të shënojë e t’i thyejë po vetë.

E njëjta pamje përsëritet çdo ditë dhe kulmi arrin kur vetë autori shfaqet në stendë. Ka kapur shifrën e 10 mijë kopjeve të shitura që në ditën e dytë të Panairit, duke u shkëputur prej “rivalëve” në po të njëjtën stendë apo në stendat ngjitur.

Një uri e shqiptarëve për të njohur figurat historike apo është ekzotizmi i një monarku që iku duke lënë pas një Shqipëri që do të përzhitej në gjysmëshekulli komunizëm? Apo është fenomeni Fevziu që ka korrur sukses të jashtëzakonshëm në tri vitet e fundit si autor librash?Kjo mbetet për t’u diskutuar, por ajo që nuk vihet në diskutim janë shifrat.

“Otello, Arapi i Vlorës”

Ka qenë një prej më të shiturve dhe të vlerësuarve nga kritika në vitet e kaluara dhe është rikthyer sërish në majë të klasifikimit, pasi autori Ben Blushi u vlerësua në Panairin e Frankfurtit me Çmimin Europian të Letërsisë.

I pari shqiptar i vlerësuar me këtë çmim prestigjioz, i dhënë për cilësinë e veprës dhe kreativitetin e autorit. Ende pa e sjellë çmimin në shtëpi, që Blushi do e tërheqë të martën në Bruksel në Komisionin Europian, lexuesit- ata që nuk e patën blerë qysh në daljen premierë- mësynë ta bëjnë të tyren një kopje të arapit venedikas që në pjellën e fantazisë blushiane pat jetuar në Vlorën mesjetare.

I ka shënuar disa mijë kopje të shitura gjatë këtyre ditëve, duke e lënë edhe pak në hije veprën e tij më të fundit, librin gati profetik me ese “Hëna e Shqipërisë”.

“Fillimet”

Edhe pse në fillime- libri i Preç Zogajt ka vetëm pak ditë që ka dalë në treg- e ka treguar që tanimë tendencën se ky libër i mbushur me fakte të historisë së re të pluralizmit shqiptar, është bestseller, edhe pse vetë Zogaj mbetet partizan i poezisë. Të gjitha ngjarjet që shënuan ndryshimin më të madh politik në Shqipëri nga viti 1990-deri në vitin 1992, të sjella nga një protagonist i ngjarjeve por të rrëfyera nga një distancë kohore më shumë se 20 vjet më pas.

Rrëfim i rrëmbyer nga pasioni i asaj kohe i dikujt që luftonte si shumë të tjerë për ëndrrën e madhe të lirisë dhe demokracisë apo një analizë e ftohtë e ngjarjeve që nuk e fshehin as frymën kritike? Është elementi autobiografik që duket se i ka shtyrë lexuesit kureshtarë për të parë edhe një tjetër version të ngjarjeve.

“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”

Një Teutë mistike, një roman që ngjan gati-gati si një epos homerian, aty ku zotat e lashtë dhe të vdekshmit kanë një komunikim personal. Simboli i gjarprit dhe kultet e ngritura në nderim të tij, ringjallen përmes librit më të ri të shkrimtares Mira Meksi.

Një roman ku gërshetohen faktet me trillin, i cili ka ngjallur jo pak interesin e lexuesit, të etur për një portretizim letrar të një gruaje të hekurt dhe stratege si Teuta, por që në libër vjen njëlloj e fortë dhe e brishtë, sunduese dhe e sunduar nga ndjenjat e forta të dashurisë. Prej botimit e deri tani, libri ka shitur afro 4 mijë kopje, duke u bërë kështu botimi më i shitur jo vetëm i ‘TOENA’-s, por edhe një prej më të shiturve të Panairit. Ndërsa autorja, gruaja më e spikatur në një panair të mbushur me autorë meshkuj.

“Zonja Z”

Në sugjerimin e botuesit, kjo vepër është për të gjithë ata që kanë pak mllef e zemërim brenda tyre e megjithatë nuk arrijnë ta shprehin atë. Për të gjithë ata që shpesh do të donin të bërtisnin si të çmendur, në mes të rrugës, që të çliroheshin nga ndjenjat mbytëse.

Nuk e dimë nëse kjo i referohet tamam asaj turme të panumërt të rinjsh që me kopjen e autografuar në njërën dorë dhe në dorën tjetër gati celularin për të shkrepur një foto, që në po atë çast transferohet në facebook për të dëshmuar se kanë qenë në Panair dhe kanë takuar filozofin e tyre të preferuar urban, Albatros Rexhaj.

“Zonja Z” është një novelë, me një histori fare të thjeshtë. “Zonja Z” është një libër protestues, një zë revolte e indinjate për shoqërinë shqiptare të përbërë kryesisht nga femra të ndrydhura e meshkuj të tredhur. Ndoshta aq e thjeshtë dhe e përtypshme siç janë edhe statuset që Rexhaj shpërndan në faqen e tij në Facebook, ku ka bërë për vete rreth 400 mijë admirues, të cilët nga vizitat në stendën “Pegi” nuk janë vetëm virtualë.

 

“Mëngjeset në kafe Rostand”

Jo vetëm se bëhet fjalë për shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave në Shqipëri, por “Mëngjeset në kafe Rostand” e meriton të jetë një prej librave më të mirë të këtij Panairi.

Nga fëmijëria te problemet e të ditëve të stome, është një rrugëtim i gjithë jetës së tij; përmbledhje kujtimesh, letrash sinopsesh, shënimesh e portretesh që shkrimtari i madh i ka hedhur në letër që prej ikjes së tij në Paris,

Ai sjell motive nga Parisi dhe ul bashkë lexuesit e tij të të gjithë brezave, ata të djeshmit dhe ata të sotmit. Një ftesë që Kadare ua bën në një studio të improvizuar siç është kafeneja Rostand, vendi i kthyer në shenjtëroren e krijimit, aty ku ai ka shkruar disa nga romanet dhe esetë e tij.

Ai i fton për një kafe përsiatjeje lexuesit e tij, duke rrëfyer nga këndi i vet i preferuar.

“Himni”

Një ese e fortë që ka tërhequr miliona lexues në të gjithë botën, një pamflet për individin, për egon. Sipas Ayn Rand, vetja e njeriut është mendja e tij, e quajtur ndryshe aftësia e tij perceptuese, ose aftësia për të arsyetuar. Të gjitha veçoritë dalluese shpirtërore të njeriut vijnë nga kjo aftësi, shkruan Leonard Peikof, Irvine në parathënin e tij. Një libër që për shqiptarët që kanë jetuar në shoqërinë e mbyllur komuniste, që kanë përjetuar diktaturën e egër ku “individi” konsiderohej pa vlerë para “shoqërisë”, kjo ese është e fortë, është shpërblyese. Ndërsa vetë autorja me origjinë ruse, e cila është botuar dhe lexuar gjerësisht sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë se “ata njerëz që e duan skllavërinë, duhet të kenë kurajën ta quajnë ashtu siç e ka emrin. Duhet të përballen me kuptimin e plotë të asaj që po përkrahin, kuptimin e saktë të kolektivizimit”. Sipas saj, faji më i madh sot është i atyre njerëzve që e pranojnë kolektivizimin nën pretekstin moral.

“Qyteti bri lumit”

Nobelisti indian Nauipaul i përket atyre shkrimtarëve që kanë parë të shkruarin si një formë për të ndryshuar të ardhmen e atdheut të tij. Vepra më përfaqësuese e tij është padyshim “Qyteti bri lumit”, e konsideruar si një ndër 100 kryeveprat e shekullit XX. Nauipaul zgjedh veten, si modelin përmes të cilit sheh të pasqyruar ndryshimet, jetën.

“Qyteti bri lumit” është historia e një trazire historike dhe e një kolapsi social. Përplasja e kulturave në Indi, vendet islamike, Afrikë, Amerikë e Jugut dhe ishujt Karaibe janë burimet që Nauipaul përdor për imagjinatën e tij krijuese, në letërsinë e tij artistike dhe në librat e tij të udhëtimeve nëpër botë, udhëtime këto aq të ngadalta në kohë, e aq personale, saqë nuk mund të klasifikohen dot si libra udhëtimi.

Letërsia e Nauipaul është një udhëtim përmes errësirës, për të prekur skajin më të errët të saj, për të ecur më pas në kërkim të dritës.

Shakaja

Pragë, një ditë pas grushtit të shtetit të vitit 1948. Gremisja e studentit Ludvik fillon me një shaka, një pusullë ironike mbi optimizmin socialist dërguar një vajze bukuroshe, e cila e merr këtë shumë seriozisht…

Shakaja, romani më i mirë i Kunderës, një radiografi e sistemit komunist në Çekosllovaki, i botuar e i ribotuar edhe në shumë vende të tjera të botës, vjen në gjuhën shqipe nën përkthimin e Mirela Kumbaros, nga Shtëpia botuese “Dituria”. “Bota e teorive nuk është imja. Dua të nënvizoj se nuk kam as më të voglën ambicie teorike, dhe se ky libër nuk është veçse rrëfimi i një krijuesi të mirëfilltë.

Vepra e çdo romancieri përmban një vizion të qartë të historisë së romanit, një ide që rreket të shpjegojë se ç’është romani. Është kjo ide mbi romanin, e qenësishme në romanet e mi, që më ka nxitur mua të provoj të flas”, shkruan ai në këtë libër. /Mapo/