Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në zonën e Anës së Malit dhe të Krajës. Rruga Katërkollë – Ostros , në pjesën afër fshatit Rashtishë të Poshtme, prej dje pasdite përsëri është e pakalueshme për automjete. Shoferët për të shkuar apo zbritur nga Kraja në Ulqin apo Tivar shfrytëzojnë rrugët anësore lokale. Ky segment rrugor i cili lidh Krajën me Ulqin dhe Tivar, është dëmtuar nga shembjet e dheut dhe gurëve. Rrëshqitjet janë pasojë e të reshurave të vazhdueshme të shiut.
Nga kryetari i Bashkësisë Lokale të Ostrosit, Beqir Berjashi mësuam se për këtë situatë ka njoftuar autoritetet vendore, që të marrin masa të menjëhershme për zhbllokimin e rrugës. Sipas fjalëve të Berjashit, ky segment i rrugës është shtruar para pak ditësh me tampon, por shembjet e reja e kanë dëmtuar shumë dhe kërkon normalizim të menjëhershëm të situatës, në mënyrë që qytetarët e Krajës të mund të qarkullojnë lirshëm me automjetet e veta në Ulqin dhe Tivar. ( Gj. Gjonaj)