Nga Mendim Cuca*

Gjenerata të shumta të Gjimnazit të Ulqinit e njohin shumë mirë profesorin Rasim Muja, mësimdhënësin e gjuhës frënge dhe asaj latine të shkollës së mesme të qytetit tonë. Pothuajse të gjithë  atë e njohin si mësimdhënës të të vyer e të rregullt. Profesori jonë ka qenë mësimdhënës edhe i prindërve tanë të cilët e kujtojnë, njëjtë si edhe ne, për vetitë më të mira të një mësimdhënësi ku veçohen cilësi e lartë në mësimdhënie, vlerësimin objektiv, gjithmonë parimor dhe shumë i dashur me nxënësa.

Prof.Rasim Muja ka lindur në fshatin Ftjan të Krajës në komunën e Tivarit më 08.08.1953. Rrjedh nga një familje fshatare. Shkollën fillore, ciklin e ulët, e ka kryer në fshatin e lindjes, ndërsa ciklin e lartë pranë shkollës fillore në fshatin Ostros. Pas shkollës fillore ka vazhduar shkollën e mesme, gjegjësisht gjimnazin në Ulqin ku dhe ka diplomuar në vitin shkollor 1971/1972.  Në vitin shkollor 1972-1973 është regjistruar në fakultetin filozofik në Prishtinë në degën e gjuhës dhe letërsisë frënge me gjuhë latine, gjashtë semestrale, ku dhe u diplomua në vitin 1976.

Karrierën e tij si mësimdhënës e filloi si student në vitin 1975 pranë gjimnazit “8 Nëntori” në Podujevë  ku në ndërkohë u diplomua dhe vendosi të punoj në kohë të pacaktuar në gjimnazin “Ivo Llolla Ribar” në Prishtinë ku punoi deri në vitin 1980.

Nga viti 1980 u kthye në Ulqin ku vendosi të punojë në kohë të caktuar pranë Qendrës për arsimin e mesëm të orientuar ”Vëllazërim Bashkim”. Më vonë kaloi të punoj si profesor  i gjuhës frenge në shkollën fillore “Marko Nuculloviq” në Shtoj ku ishte i  vetmi profesor dhe aty punoi deri në vitin 1992 dhe pastaj përsëri u kthye në gjimnazin “Vëllazërim Bashkim” si profesor i gjuhës frenge dhe latine dhe përfundoi karrierën e tij si mësimdhënës me 08.08.2020.

Nga kjo rezulton se ai ishte 43 vite në mesin e nxënësve.
”Gjatë kësaj periudhe shumë here janë bërë reforma në arsim ku janë bërë shumë ndryshime, mund të them edhe prova. Por megjithëse cdo periudhë ka patur karakteristikat e veta, e vetmja gjë që nuk ndryshoi kurrë është nxënësi.” thotë prof.Rasim Muja.

Prof. Rasim Muja

Nga karriera e tij e gjatë si mësimdhënës profesori përcolli plot 43 gjenerata nxënësish dhe bazuar në këtë, ai tregon se sot kemi kuadra me profile dhe funksione të ndryshme. Kur e pyetëm profesorin për ndonjë dallim në mes gjeneratave, ai tregon se që gjeneratat e para me këto te fundit kanë ndryshime të mëdha, sepse edhe demokratizimi e ka bërë të veten. Por motoja e profesorit, e cila kurrë nuk ndryshoi, ishte që kurrë për të nuk kishte nxënës “të keq” dhe pikërisht nga ky fakt raporti i tij me nxënësit ishte në nivelin e duhur ku nuk ka munguar respekti i dyanshëm.

Gjithashtu ai veçoi që e mbante mend shumë mire gjeneratën e parë dhe atë të fundit të nxënësve që u kishte dhënë mësim. Në pyetjen tonë nëse do të zgjidhte përsëri arsimim si profesion, pergjigja e tij  ishte po dhe atë me plot deshirë. Në pyetjen nëse është lodhur gjithë këto vite të punës me nxënësa, pergjigja e tij ishte e prerë, jo.

Gjithashtu profesori Rasim Muja na tregoi një thënje interesante që ja kishte treguar profesori i tij, e cila thotë se ‘’duke punuar me te rinj, edhe vet ndihesh i ri’’.

Profesori ynë i nderuar ka disa muaj që është duke e shijuar pensionimim e merituar pas një jetë të tërë me ditar në dorë. Ai tani ka filluar një cikël të ri në jeten e vet ku ne i dëshirojmë të jetë sa më i gjatë.

Për fund, në emër të gjeneratës sonë por edhe shumë e shumë gjeneratave tjera i themi: faleminderit profesor!


*Autori është nxënës i dalluar i  Gjimnazit të Ulqinit

ShënimKëndi i gjimnazistit është menduar si një hapsirë ofruar gjimnazistëve të dalluar të qytetit tonë. E gjithë kjo bëhet me qëllim të promovimit sa më të mirë të nxënësve të dalluar dhe inkurajim për të shkruar e lexuar sa më shumë nga moshat e reja.

By admini