Përfundon protesta në Tiranë, afro dhjetë të lënduar

Foto: Reuters

Policia ka përdorur gaz lotsjellës të mërkurën mbrëma për të shpërndarë qindra protestues shqiptarë, që po protestonin për vrasjen e një të riu nga Policia, e cila tha se ai kishte shkelur rregullat e orës policore për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Një 25-vjeçar, i identifikuar nga mediat shqiptare si Klodian Rasha, është vrarë të martën në atë që Policia e ka përshkruar si përdorim të ekzagjëruar të forcës nga një zyrtar policor gjatë orës policore.

Policia së pari kishte thënë se Rasha nuk kishte përfillur urdhërimin e policit për të ndaluar dhe kishte pasur armë. Por, më vonë Policia tha se ai kishte një objekt në dorë, por nuk ishte armë.

Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ata kanë hedhur gjësende në drejtim të ministrisë dhe kanë djegur bredha, ndërsa policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.https://www.youtube.com/embed/F_dCkbOLP-s?rel=0

Protestuesit kanë thyer edhe xhamat në ndërtesa qeveritare, përfshirë edhe në zyrën e kryebashkiakut të Tiranës, ka thënë një dëshmitar për Reutersit.

Policia ka njoftuar se nëntë zyrtarë policorë janë lënduar, tre prej tyre me lëndime serioze në kokë dhe trup po trajtohen në spital. Madje njëri prej tyre është raportuar se ka humbur njërin sy. Po ashtu është njoftuar se është lënduar një protestues, dhe një gazetar.

Tirana ka qenë e qetë pasi janë shpërndarë protestuesit.

Një zyrtar policor është arrestuar dhe kanë nisur hetimet për vrasjen e të riut, është njoftuar nga autoritetet.

“Zyrtari policor nuk ka vepruar sipas ligjit, kur ka përdorur armën”, është thënë në një komunikatë të Policisë së Shqipërisë.

21:58

Një polic humb njërin sy në protestë në Tiranë

Njëri nga punonjësit e policisë së rendit që u plagos në protestën e mbajtur sot në Shqipëri ka humbur njërin sy. Mësohet se efektivi i policisë ka pësuar çarje të korneas të syrit, ku për pasojë po i nënshtrohet edhe një operacioni.

Gjithashtu nga tubimi janë lënduar edhe dy qytetarë, njëri prej të cilave është gazetar.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se Urgjenca Kombëtare në vendngjarje, ka dërguar në spitale 10 të lënduar në protestën e dhunshme të zhvilluar në Bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, raporton Top Channel.

Tetë punonjës të policisë dhe dy protestues janë duke u trajtuar në spitalet universitare të Tiranës, ku njeri prej punonjësve të rendit ka dëmtime më serioze.

Në spitalin e Traumës po trajtohen aktualisht 7 punonjës të policisë dhe 2 protestues janë në gjendje të stabilizuar.

18:59

Forcat Speciale në Shqipëri shpërndajnë protestuesit nga shkallët e Kryeministrisë

Për një moment protestuesit kanë thyer kordonin e policisë dhe më pas kanë goditur dyert e kryeministrisë në Tiranë.

Por pas këtij veprimi kanë ndërhyrë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtës, të cilët kanë shpërndarë protestuesit nga shkallët e kryeministrisë.

Ndaj Forcave Speciale shqiptare është qëlluar me sende të forta dhe me gurë, ndërsa ata janë kundërpërgjigjur me sprej lotsjellës./Top Channel

18:23

Disa protestues në Shqipëri i vënë flakën bredhit tek Kryeministria

Pas rreth një ore te Ministria e Brendshme, protestuesit që kërkojnë drejtësi për vrasjen nga policia të 25-vjeçarit Klodjan Rasha, janë zhvendosur te Kryeministria në Tiranë.

Në një moment disa individë kanë tentuar që të rrëzojnë edhe bredhin të vendosur anash Kryeministrisë.

Më pas bredhit i është vënë flaka. Megjithatë protestuesit janë ndalur dhe pema nuk është djegur plotësisht. Ndërkohë edhe nga ana e policisë nuk ka pasur rezistencë për të penguar protestuesit, transmeton tch.

Raportohet për protesta edhe në Durrës.

17:53

Protesta në Shqipëri pas vrasjes së një 25-vjeçari nga Policia

Është tensionuar situata në protestën e organizuarpër vrasjen e të riut Klodian Rasha nga Policia shqiptare.

Pasi u përplasën me kordonin e Policisë përpara Ministrisë së Brendshme, protestuesit u zhvendosën tek Kryeministria.

Një pjesë e të pranishmëve kanë hipur në shkallët e Kryeministrisë dhe kanë hedhur sende të forta në drejtim të saj.

Më herët, protestuesit ndezën qirinj për të kujtuar të riun e vrarë dhe kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga një efektiv policie gjatë ndjekjes, pasi ky i fundit dyshoi se ai kishte një armë në dorë./A2

Policia: Vrasjen e të riut në Tiranë po e heton prokuroria, jemi në krahun e qytetarëve

Numri dy i Policisë së Shqipërisë, Albert Dervishaj, në një lidhje me Skype në “Top Talk” ditën e sotme ka komentuar përfshirjen e policisë në vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha orët e para të datës 8 dhjetor.

Ai thotë se institucionet e policisë janë vënë në lëvizje për të zbardhur çështjen si Prokuroria e Rrethit Gjyqësor apo Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesat.

Dervishaj thekson se policia nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vrasëse por në krahun e qytetarëve. Ai thekson se ky imazh i krijuar me mund, gjak e sakrificë do të kurohet.

“Ngjarja e ditës së djeshme është një rast domethënës që çdo individ çdo punonjës duhet të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin, jemi të vendosur që të mos ketë dyshime që do të bien në dyshim me ligjin. Policia e shtetit nuk do të lejojë që imazhi i saj i ndërtuar me mund, sakrifica e gjak të cenohet nga veprime sporadike të izoluara të individëve të veçantë në shkelje të ligjit apo procedurave standarde të saj. Kemi filluar analizat në çdo drejtori vendore të policisë në të cilat do të evidentojmë të gjitha problematikat, ku kanë transmetuar apo konstatohen defekte të punës sonë, qoftë të përzgjedhjes qoftë të kontrollit, të garantojmë një plan program specifik të kësaj situatë. Ne nuk kemi pasur më parë një rast të tillë specifik. Është bërë e njohur se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor dhe Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesat kanë filluar hetimet, kanë kryer veprimet për këqyrjen e vendit të ngjarjes, është dhënë masë arresti në flagrancë të autorit dhe në ditët në vijim kjo masë do të vlerësohet. Për disa vite me radhë kam punuar dhe po punoj që të rris forcimin e besimit të publikut. Në veprimtarinë e saj policia nuk e ka në praktikë përdorimin e armës ndaj qytetarit. Policia, strukturat do të punojnë që ta kurojnë këtë imazh. Policia nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një polici vrasëse. E ka paguar me jetën e 202 punonjësve të saj të rënë në krye të detyrës”, tha Dervishaj./TopChannel


9 dhjetor 2020, 17:53

By admini