Viti shkollor në Mal të Zi do të fillojë neser, me 1 tetor, në rrethana jonormale si pasojë e situatës epidemiologjike të pandemisë me Covid-19.

Barrën kryesore edhe kësaj radhe do ta kenë mësimdhënësit në rend të parë por që jo më pak këtë barrë do ta ndjejnë edhe vet prindërit. Duke parë vështirësitë shumë të mëdha, mësimdhënësit tani nuk do të kenë volumin e zakonshëm të punës por shumë herë më të madh se sa në situatë normale. Është një barrë e madhe të cilën mësimdhënësit e shkollave në gjuhën shqipe në Mal të Zi do të dinë ta përballojnë me sukses.

Jo më pak ngarkesë do të duhet të kenë edhe vet prindërit, sidomos ato të fëmijëve të ciklit të ulët. Edhe ata do të duhet të kyçen dhe të japin sa më shumë nga vetja e vet për mësimnxënien e fëmijeve të tyre, shkruan Ulqini Online.

Siç thuhet nga Ministria e Arsimit, viti shkollor do të fillojë në atë mënyrë që nxënësit e klasave 1, 3, 4, 5 dhe 6 të shkollës fillore dhe vitit të I-rë të shkollës së mesme mësimin do ta ndjekin në shkollë, dhe pjesa tjetër në internet por me konsulta shkollore çdo pesëmbëdhjetë ditë.

Poashtu punën do ta fillojnë edhe të gjitha kopshtet.

Të gjitha institucionet do të fillojnë të punojnë të pajisura me dezinfektues dhe mjete të tjera si dhe duke respektuar rreptësisht masat e tjera të Institutit të Shëndetit Publik. Kohëzgjatja e orëve të mësimit për nxënësit e shkollës fillore është 30 minuta, maksimumi 4 orë në ditë kurse për nxënësit e shkollës së mesme, 30 minuta, maksimumi 6 orë ë ditë.

Pavarësisht nga fakti se disa nxënës do të ndjekin shkollën, Ministria e Arsimit u siguroi nxënësve të të gjitha klasave të shkollës fillore dhe të mesme materiale të regjistruara për numrin më të madh të lëndëve, të cilat do të transmetohen në TVCG2 dhe MNE sport 2 dhe MNE sport 3 nga 1 tetori. Materiali televiziv është siguruar gjithashtu për nxënësit që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe, dhe detajet dhe një skemë e plotë do të jenë në dispozicion në kohën e duhur.

Në fund, mësues dhe prindër ndihmoni sa më shumë fëmijët tonë!

By admini