Duke  qenë në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, temë aktuale është pajisja e nxënësve me tekste dhe mjete të nevojshme shkollore. Në një nga publikimet e fundit në media, kemi vënë re se çmimet e teksteve shkollore nuk janë të njëjtë për të gjithë nxënësit pa dallim kombësie, gjegjësisht për nxënësit shqiptarë, qoftë në ciklin fillor, qoftë në atë të mesëm, tekstet shkollore janë në çmim më të lartë, gjë që na shqetëson.

Tekstet për nxënësit shqiptarë në ciklin fillor kushtojnë nga 50,70€ deri në 103,60€ dhe për ciklin e mesëm çmimet nisin nga 62,60€ deri 114,60€, ndërsa për nxënësti që ndjekin mësimin në gjuhën malazeze, kompletet e teksteve mësimore për ciklin fillor kushtojnë nga 39,80€ deri në 94,20€ dhe për atë të mesëm nga 78,40€ deri në 106,80€. Sugjerojmë që këto diferenca të mbulohen nga Qeveria.

Përveç diferencës në çmimet e teksteve në fjalë, shprehim shqetësimin tonë edhe për mosrespektimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, të cilën Mali i Zi e ka ratifikuar më 23 tetor 2006 e ku një pjesë e rëndësishme i kushtohet arsimit, duke theksuar se “Pjesa 13, Neni 2, a) Arsimi fillor duhet të jetë i detyrueshëm dhe falas për të gjithë.”

Duke qenë se arsimi fillor në kuadër të kësaj konvente duhet të jetë falas, në realitet, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë, prindërit shqiptarë paguajnë tekstet dhe mjetet mësimore, si dhe transportin e nxënësve.

Në këtë situatë të vështirë ekonomike si pasojë e pandemisë, është akoma më shumë e nevojshme që tekstet mësimore të jenë falas për nxënësit dhe po ashtu transporti të jetë i siguruar.

By admini