Zenepe Dibra, DIBRANËT E SHKODRËS, Botoi:”Shkodra”, Shkodër, 2019

Trajtimi i temave që kanë të bëjnë me popullsinë e një mjedisi janë intriguese për studiues të profileve të ndryshme, ku vend të veçantë ka popullsia e ardhur në atë mjedis që ka të bëjë me kohën e vendosjës dhe integrimin e tyre, ku dibranët janë  shëmbull i veçantë  në qytetin e Shkodrës, si në të kaluarën dhe në ditët tona.

Nail  Draga

Migrimi i popullsisë nuk është dukuri e panjohur e as kohës së re. Janë pikërisht qendrat e mëdha të cilat kanë qenë motivuese, për qytetarët e ndryshëm në sajë të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik. Në këtë aspekt në hapësirën etnogjeografike shqiptare në Veriun shqiptar, Shkodra ishte qytet i veçantë, duke qenë adresë e preferuar për popullsi të ndryshme nga areali shqiptar por dhe me gjerë.

Kujtojmë me këtë rast vitin 1479, kur qyteti i Shkodrës nga ana e Venedikasve iu dorëzu Perandorisë Osmane, me  ç’rast qytetin e lëshuan rreth 1/3 e popullsisë duke u vendosur në Venedik e gjetiu. Nga ajo kohë e më pas në qytetin e Shkodrës janë vendosur popullsi nga rrethina e saj e më gjerë, duke u bërë një dekompozim antropolgjik e demografik. Në këtë aspekt si dëshmi janë rreth 400 patronime të familjeve të sotme shkodrane, të cilat dëshmojnë origjinën e tyre nga vendbanimet e rethinës apo të zonës së saj gravituese e më gjerë. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe dibranët të cilët kanë bërë emër kryesisht në fushën e ndërtimit, duke qenë sinonim i kësaj veprimtarie.

 Lidhja e dbranëve me shkodranët nuk është e kohës së re, ajo është e hershme, duke filluar nga mesjeta e më pas. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, sepse Shkodra si qyteti kryesor i Veriut shqiptar, ishte qendra e zhvillimit ekonomik e shoqëror, politik e ushtarak. Shkodra ishte qyteti i shqiptarizmës, ku merreshin vendime të mëdha, ku hartoheshin peticionet dhe memorandumet, mblidheshin patriotët  e zonave veriore e verilindore. Qëllimet e përbashkëta për çlirim e bashkim kombëtar i forcuan në vazhdimësi lidhjet e tyre.

Kujtojmë me këtë rast ndihmën e dibranëve në mbrojtje të kufinjëve verior në hapësirën etnogjeografike shqiptare në vitet 1879 e 1880 në luftërat për mbrotjën e Plavës(Nokshiqi), pastaj në Grudë(prill 1880) e përfundimisht në mbrojtje të Ulqinit(nëntor 1880).Ndërsa në mënyrë veçantë duhet cekur angazhimi i tyre në mbrojtjën e Shkodrës(tetor 1912-prill 1913) kundër malazezëve e serbëve, duke mbetur shëmbull i ndihmës vëllazërore për misionin e çlirimit edhe të bashkimit  kombëtar.

Angazhimi i dibranëve në mbrojtje të trojeve shqiptare në regjionin e Shkodrës nuk mbeti me kaq, sepse u dëshmuan  në mbrojtje të Dibrës në vitin 1912, nga pushtuesit serb. Kemi të bëjmë me kohën e luftërave ballkanike, ku aleanca ortodokse ballkanike si  mision kishte pushtimin e territorëve shqiptare. Dhe gjatë kësaj lufte dibranët ndonëse treguan heroizëm në mbrojtje të atdheut, ata përjetuan gjenocid nga pushtuesit serb, dhe nga një gjendje e tillë u detyruan të shpërngulën ne mjedise të tjera të Shqipërisë si në Tiranë, Elbasan e gjetiu.

Ndërsa më pas dibranët përjetuan  tragjedinë e përcaktimit të kufinjëve nga ana e Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, ku hapësira dibrane u nda në dy pjesë. Kështu nga vendimi i tillë Dibra (qyteti) iu dhurua Serbisë, ndërsa pjesa tjetër e zonës rurale u përcaktu të mbetëj në Shqipëri. Ishte ky një veprim kriminal i kësaj konferencë me pasoja kombëtare dhe nga ajo kohë u paraqit  emërtimi tjetër Dibra e vogël, për Peshkopinë, që më vonë bë  qendër e re për këtë regjion.

Në vazhdën e migrimeve të popullsisë nga viste e tjera shqiptare në qytetin e Shkodrës, vend të veçantë zënë dibranët e ardhur  në fund të shek.XVIII dhe në fillim të shek.XIX e më pas. Ata zunë vend në disa lagje të qytetit, por disa qindra çadra dibranësh u vendosën në një vend, që në atë kohë u quajt “Sheshi i dibranëve”, të  ish Fusha e Çelës. Dibranët e ardhur në Shkodër kanë origjinën nga fise e fshatra  të ndryshme nga Dibra e Madhe dhe Gollaborda. Ata duke qenë me origjinë të përbashkët duke punuar së bashku me kohë humbën mbiemrin e tyre familjar  por më pas  u identifikuan me mbiemrin e përbashkët Dibra, duke iu mbetur trashëgim deri në ditët tona. Por,  në këtë aspekt ka edhe përjashtime, se disa familje   mbajnë ende mbiemrat e mëhershëm, duke i mbetur besnik trashëgimisë familjare.

Po ashtu duhet cekur se në kuadrin e popullsisë dibrane që janë vendosur në Shkodër, bëjnë pjesë edhe shqiptarët e komunitetit ortodoks nga Reka e Epërme e Dibrës. Kujtojmë me këtë rast familjen e poetit Migjeni, përkatësisht gjyshin e tij muratorin Nikolla Dibrani  që ishin vendosur në Shkodër në pjesën e dytë të shek.XIX.

Migrimi i popullsisë dibrane  dhe vendosja e tyre në Shkodër e gjetiu është bërë  kryesisht për  shkaqe ekonomike, sociale si dhe  mungesa e infrastrukturës. Dibranët me veprimtarinë e tyre kanë qenë të dalluar si mjeshtër në ndërtimtari, zejtari e tregti. Madje profesioni i ndërtimtarisë u bë sinonim i dibranëve të ardhur në Shkodër, ku si dëshmi janë objektët e ndërtuara, që ishin model për kohën. Ndërtimet që ato kanë lënë ruajnë kujtimet mjeshtërore, artistike e estetike të shumë objektëve që jetojnë deri në ditët e sotme. Dibranët me mjeshtri ndërtonin banesa të tipave të ndryshme, ura, kisha, manastire, xhami, teqe, hamame etj. Ata punonin skalitjen e gurit, përfundonin çatitë e banesave, prodhonin dyert, dritarët, portat, divanët, musandrat, tavanet e drurit etj., duke qenë vepra artistike për kohën dhe në ditët tona.

Dibranët Shkodrën nuk e kishin zgjedhur rastësisht, sepse ajo nga shek.XVIII-XIX kishte marrë hov në zhvillimin e përgjithshëm ekonomiko-shoqëror por edhe kulturor duke u bërë qëndra kryesore në Veriun shqiptar. Dhe në rrethana të tilla shoqërore, Shkodra ishte bërë qendër gravituese  për popullsinë e rrethinave, por edhe më gjerë, sidomos për profesionet e ndryshme ku fusha e ndërtimit ishte në vend të parë. Dibranëve të ardhur në Shkodër, më pas iu janë bashkangjitur edhe të tjerë, duke formuar komunitetin e tyre që nderohej nga shkodranët, në sajë të punës, qendrimit dhe raportët shoqërore me popullsinë vendase.

Sot shkodranët me prejardhje dibrane përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha të ardhur në Shkodër krahas Bushtlinjve dhe Kranjanëve, autorja e dëshmon më të dhënën nga regjistri zgjedhor në zgjedhjet lokale në Shkodër në vitin 2011, ku në listën zgjedhore, pas atyre me mbiemrin Bushati, numri  i zgjedhësve me mbiemrin Dibra ishte në vendin e dytë. Po kështu në shkallë kombëtare mbiemri Dibra zë vendin e 9 në mes 100 mbiemrave me të njohur në Shqipëri, duke lënë pas mbiemrin Bushati(vendi 31) dhe Kraja(vendi 14), që në Shkodër janë në numër më të madh se mbiemri Dibra.

Mbiemrin Dibra, si patronim familjar, përveç në Shkodër e kemi të pranishëm  edhe në Anë të Malit, Ulqin e Tivar, nga del se ata ishin me origjinë nga ajo zonë, që këtu janë vendosur nga shek.XIX e më pas. Duhet thënë me këtë rast se  mbiemri  Dibra, është shkruar në origjinal, pa prapashtesën sllave-viq, sikurse ka ndodhur me mbiemrat  e familjeve tjera shqiptare. Mbetet të hulumtohet për mundësinë e vazhdimësisë se lidhjeve e kontaktëve të tyre  me dibranët e Shkodrës, ku ishte vendosur numri më i madh i tyre, që janë të pranishëm edhe në ditët tona.

Nocioni i mjeshtrisë së dibranëve, nuk ishte i lokalizuar dhe i  njohur vetëm në qytetin e Shkodrës, por më gjërë në zonën e saj gravituese  si në Anë të Malit, Krajë e Ulqin, sepse deri në Luftën e Dytë Botërore, mjeshtritë dibranë kanë qenë të pranishëm në ndërtimin e objektëve të banimit edhe në këto mjedise, duke mbetur në kujtesën e popullsisë si punëtor e mjeshtra cilësor. Duhet cekur me këtë rast se për për profesionin e ndërtimtarisë, emërtimi mjeshtër u zëvëndësu me sinonimin dibranë, që ishte i rrallë për atë kohë që vazhdon edhe sot në këtë regjion.

Dibranët e ardhur në Shkodër me kalimin e kohës u integruan në jetën e  këtij qyteti,duke  bërë lidhje martësore apo bashkëpunime të ndryshme me shkodranët. Ishte ky një proces i natyrshëm, në mjedisin e ri, duke u vazhduar edhe në vitët vijuese, në sajë të respektit të ndërsjellë në qytetarinë shkodrane.

Autorja librin e ka konceptuar ne katër kapituj, ku përveç të dhënave për disa fise dhe familje dibrane në Shkodër, pjesa kryesore ka të bëjë me kontributin e dibranëve për Shkodrën në fushat e ndryshme si ndërtimi, shkenca, arsimi,shëndëtësia etj., duke evidentuar persona të ndryshëm të fushave përkatëse, që paraqet një leksikon me interes jo vetëm për dibranët në veçanti por edhe  për qytetarët e Shkodrës në përgjithësi, duke qenë pjesa më e rëndësishme e këtij botimi.

Dhe në fund duhetë thënë se autorja e  librit “Dibranët  e Shkodrës”, ka bërë një punë me vlera të mëdha njohëse për komunitetin e dibran në Shkodër, duke iu kujtuar se origjina e çdo individi apo familje mbetet çështje jo vetëm personale por është  pjesë e kujtesës historike, si kudo në vendet e qytetëruara.

Nuk ka dilemë se një botim i tillë është  më vlera shoqërore jo vetëm për qytetarët e Shkodrës, por për të gjithë ato të cilëve iu intereson mozaiku i popullsisë së vendosur në Shkodër, andaj si i tillë  mund të shërbejë si model edhe për qytete të tjera në hapësirën etnogjeografike  shqiptare.

(Korrik 2020)

By admini