Gjithnjë e më shumë turistë në Shqipëri, në vend të Malit të Zi

Një nga plazhet e Ulqinit

Turistët që kanë planifikuar që pushimet t’i kalojnë në Mal të Zi, tani janë fokusuar tek Shqipëria, shkruan të dielen gazeta malazeze “Pobjeda”, teksa thekson se arsye për këtë janë masat strikte të shtetit malazez shkaku i pandemisë së koronavirusit.

“Turistët nga Bjellorusia dhe Ukraina janë të interesuar të vijnë në Mal të Zi, por këtë gjë nuk po e bëjnë shkaku i testit që po u kërkohet”, shkruan gazeta, teksa vazhdon se sindikata turistike ka propozuar heqjen e testit dhe futjen e kontrollës “më të ashpër”, transmeton KOHA.

Sipas të dhënave të Asociacionit të Hoteleve të Komunës së Ulqinit, masat më fleksibile të hyrjes në Shqipëri kanë bërë që kapacitetet në bregdetin shqiptar të mbushen deri në 90 për qind, në raport me vitin e kaluar.