Ndahet nga jeta Dr. Simë Dobreci, mjeku dhe studiuesi i njohur

Dje, në moshën 86 vjeçare, u nda nga jeta inelektuali, humanisti, krijuesi dhe veprimtari i njohur Dr. Simë Dobreci.

Vdekja e dr. Simës është humbje e madhe për shqiptarët në Malin e Zi por edhe më gjërë.

Më poshtë mund të lexoni një biografi të shkruar nga Prof. Dr. sci. Mentor Disha vite më parë.

Biografia

Simë Gjon Dobreci lindi (27.3.1934) në Braticë, Ulqin, Mali i Zi. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Braticë e Ulqin (1953), gjimnazin klasik në Tivar (1957), fakultetin e mjekësisë në Beograd (1963). Punoi në Tivar e Ulqin (1964-1967). Shkoi në Spitalin e Prishtinës (1967), ku e filloi specializimin e dermatologjisë dhe e kreu në Zagreb (1970). Me 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës themeluar më 1969. Më 1974, ai qëndroi një vit në Klinikën dermatologjike të Vankuverit, Kanada. Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore. Një kohë ishte drejtor i Klinikës. U zgjodh docent i dermatologjisë (1984), profesor inordiner (1989), profesor ordiner (1994). Për studentët e mjekësisë botoi tekstin Dermatologjia më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, si dhe botimi i tretë i ripunuar më 1998, kurse ribotimi i katërt i plotësuar më 2009. Për studentët e stomatologjisë botoi tekstin Sëmundjet e Lëkurës më 1989.
Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpia private.
Sa i takon veprimtarisë shkencore, Dobreci kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Temën e doktoraturës Dermatomikozat endemike në Kosovë e mbrojti më 1980 dhe u zgjodh doktor shkencash në mjekësi. Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta dermatologica jugoslavica dhe në Praxis Medica). Me paraqitje të punimeve shkencore mori pjesë në Kongresin e Dermatologëve Botëror në Berlin më 1987, në Kongresin e Dermatologëve Europianë në Bari të Italisë më 1987 dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve në Atinë më 1994. Prej 1994-1999 ishte kryeredaktor i Praxis Medica, revistës profesionale-shkencore të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. I pensionuar, tash jeton në Braticë, Ulqin, ku redakton revistën kulturore Buzuku, si dhe nga pak ende merret me profesionin e vet.
Bigrafia e shkruar nga Prof. Dr. sci. Mentor Disha, Prishtinë, më 15.4.2012.