Tradita vazhdon, bjeshkatarët ngjiten në majen e Rumisë

Foto: M. Taipi

Kësaj fundjave, me 13 dhe 14 qershor 2020, Shoqata e bjeshkatarëve ”Rumia” nga Ulqini organizoi manifestimin e radhës ”Dita e Rumisë 2020”.

Për shkak të situatës pandemike kësaj radhe në ngjitjen në malin simbol të këtyre trevave morën pjesë një numër i kufizuar bjeshkatarësh.

Foto: M. Dushku

Manifestimi filloi pasdrekën e së shtunës ku bjeshkarët organizuan një kamping në Brisk Naltë duke kaluar natën kurse ditën e diele organizuan ngjitjen në Rumi, shkruan Ulqini Online.


Qëllimi kryesor i këtij manifestimi është ruajtja dhe përtëritja e traditës shumëshekullore të popullatës vendore të daljes në majen e malit Rumisë, i cili konsderohet si simbol i ekzistencës së tyre. Poashtu qëllim në vehte është njohja me bukuritë natyrore të kësaj ane si dhe shoqërimi i bjeshkatareve dhe krijimi i njohjeve të reja ndërmjet tyre.

”Dita e Rumisë” si maniestim unik vlerësohet ndër veprimtaritë kryesore të kësaj treve duke tubuar adhuruesit e traditës, historisë, kulturës, natyrës, bjeshkatarisë etj. Gjatë viteve të kaluara pjesëmarrës kanë qenë me qindra bjeshkatarë nga Kraja, Tivari, Ulqini, Ana e Malit, Malësia, Shqipëria, Kosova etj, duke ndikuar në masivizimin e këtij manifestimi i cili me vlerat që përçon është bërë tashmë pjesë e ofertës turistike.