Në pritje të hapjeve të kufijve, Ulqini me kapacitet për 120.000 persona

Zv.ministri i Turizmit në Mal të Zi, Armend Milla ka thënë në Express të KTV-së se janë duke u bërë përgatitjet për sezonën turistike në këtë shtet, teksa rëndësi e madhe do t’iu kushtohet masave mbrojtëse. Ka treguar se Mali i Zi ka nisur lehtësimin e masave këtë javë.

“Me 15 maj janë hapur edhe restoranet dhe kafiteritë”, ka shtuar ai, teksa ka shtuar se në Mal të Zi janë vetëm katër raste aktive me koronavirus.

Ai në të njëjtën kohë e ka theksuar rëndësinë që e ka turizmi për shtetin e tij.

“Jemi të vetëdijshëm se kur hapën kufijtë, një numër i madh njerëzish do të vijnë në Mal të Zi, kështu që duhet të ketë masa. Është e qartë se intensiteti nuk do të jetë si më parë”, ka thënë ai.

Milla po ashtu ka folur për masat mbrojtëse për turistët.

“Në restorane dhe kafiteri, distanca duhet të jetë dy metra, derisa tavolina duhet të ketë katër persona maksimalisht. Po ashtu, shezllonet do të vihen në një distancë mes vete. Ulqini ka mundësi që të ketë kapacitet 120.000 persona, duke i respektuar masat. Ulqini do ta luajë rolin kyç për tregun si Kosova”, ka thënë ai.

Zv.ministri ka shtuar se ende nuk është përcaktuar nëse turistëve do t’iu bëhen teste.

“Situata në rajon po shkon kah stabiliteti, kështu që mendoj se për 15-20 ditë, situata do të jetë stabile. Gjithsesi, edhe masa e testimeve do të analizohet dhe për të do të vendoset paraprakisht”, ka deklaruar ai.

Zv.ministri Milla ka folur edhe për gjendjen e përgjithshme epidemiologjike në Mal të Zi. Ka treguar se të mërkuren ishte e 15-a ditë që në Mal të Zi nuk ka raste të reja me COVID-19.

“Ishim edhe vendi i fundit që ka dalur me rastin e parë të COVID-19. Me anë të përvojës së shteteve fqinje, ne kemi pasur mundësinë që të reagojmë”, ka thënë ai, duke e cilësuar jashtëzakonisht të mirë menaxhimin.

Milla në të njëjtën kohë është pyetur rreth dëmeve finaciare në turizëm. Ka thënë se në vitet e kaluara, Mali i Zi ka pasur 10-12 për qind rritje të turistëve.

“Por, në këtë situatë, dëmet financiare janë jashtëzakonisht të mëdhaja. Ideja është të punohet jashtëzakonisht shumë, që dëmet të minimalizohen”, ka thënë Milla.

Ai ka thënë se do të ketë pako të favorshme për turistët.

“E kemi të qartë se sivjet nuk do të ketë numër të madh të turistëve, por duhet që t’iu kushtojmë rëndësi atyre që vijnë”, ka thënë ai.