Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi të premten (më 27 dhjetor) 29-vjetorin e themelimit me një takim të anëtarëve të saj, në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka prezantuar aktivitetet dhe të arriturat gjatë këtij viti duke nënvizuar se viti 2019 ka qenë vit i vazhdimësisë së punës së Shoqatës në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj.

Ai ka përmendur botimin e dhjetë titujve të rinj, përurimin e botimeve të kësaj shoqate apo të botuesve tjerë, takimet letrare, mbajtjen e edicionit të 27-të të manifestimit “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, shënimin e Ditës Botërore të Poezisë dhe të Ditës Ndërkombëtare të Librit, organizimin e disa ekspozitave figurative dhe fotografike, aksionet e dhurimit të librave për bibliotekat shkollore, pjesëmarrjen në panairet e librave etj.    

Me këtë rast është paralajmëruar se me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Basri Çapriqit, si homazh ndaj jetës dhe veprës së tij, SHAI “Art Club” në bashkëpunim me PEN Qendrën e Kosovës do të organizojnë në Ulqin, nga mesi i janarit të vitit të ardhshëm, një sesion shkencor, ku do të marrin pjesë njohësit dhe studiuesit më të mirë të veprës së tij nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut etj.

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup i krijuesve të shquar të Ulqinit. Ajo është organizata më e vjetër e shoqërisë civile ndër shqiptarët në Malin e Zi dhe një ndër shoqatat më të vjetra në vend.

Ulqin, më 28 dhjetor 2019                                                                                              

By admini