Demantohet lajmi, Paviqeviq nuk ka dhuruar 2 milion euro

Foto: KK Mornar

Treneri i Mornarit të Tivarit Gjorgje Paviqeviq ka demantuar një lajm të mediave online të ditëve të fundit.

Presidenti i KB Mornar nga Tivari, Gjorgje Paviqeviq mohoi informacionin e përhapur në mediat elektronike se ai kishte vendosur të dhurojë dy milion euro për Shqipërinë pas një seri tërmetesh që goditën vendin, shkruan Ulqini Online .

“Unë e kuptoj shqetësimin dhe situatën që ka pllakosur popullatën shqiptare dhe ndjejë dhimbje për ata. Unë jam nga Tivari dhe nuk kam harruar pasojat e tërmetit të vitit 1979. Unë sigurisht që dua të ndihmoj popullatën shqiptare që pësoi dëme në një tërmet shkatërrimtar, por shuma e deklaruar, e cila nuk e di se për ç’farë arsye u përhap në rrjetet sociale, nuk është brenda mundësive të mia”, tha Paviceviq për portalin Jedro.

Njeriu i parë i nënkampionit të Malit të Zi në basketboll shtoi se me një keqinformim të tillë, duke përdorur mjerimin e banorëve shqiptarë, dikush me qëllim të keq dëshironte ta dëmtonte atë dhe klubin e Mornarit.

Ky informacion se pari doli ne nje faqe basketbolli ne rrjetet sociale për të arritur të shpërndahet brenda një dite edhe në mediat të njohura televizive dhe elektronik në Shqipëri dhe Kosovë.