LULEKUQJA KUQ E ZI DHE SINQERITETI

Nga Saimir Lolja

Tani hyri Nëntori dhe në Perëndim, Europën perëndimore, Amerikën e Veriut, Australi e Zelandë, dhe në vendet e NATOs përkujtohen ata që kanë humbur jetën në luftëra. Data e Ditës së Përkujtimit është 11 Nëndori. Për këtë qëllim vendoset që tani në jakat e xhaketës lulëkuqja. Kjo lulëkuqe shihet në vendet perëndimore e vënë nga shtetarët, politikanët, zyrtarët, mësuesit, nxënësit, studentët, gazetarët e TV, etj.

            Shqiptarët u hidhëruan shumë këtë fund Tetori ngase nuk filluan bisedimet për hapat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Që shqiptarët të duan sinqerisht të jenë pjesë e Bashkimit Europian, Perëndimit e NATOs, dhe që shqiptarët të jenë të bashkë, nevojitet që sinqerisht të vendosin lulëkuqen në jakat e xhaketave tani, këtë muaj. Kjo do i shfaqte se i respektojnë dhe i mirënjohin ata perëndimorë që kanë humbur jetët në luftë, ushtarakë e civilë, për këtë Perëndim të dëshiruar që prej 30 vjetëve.

            Nëse dëshirohet Bashkimi Europian atëherë duhet treguar mbarë se respektohet Bashkimi Europian dhe përmendoret e tij. Populli shqiptar pret ta shohë shembullin udhëheqës të vendosjes së lulëkuqes në jakën e xhaketës së pari prej shtetarëve dhe politikanëve të tij.

            Për më shumë, lulëkuqja ka ngjyrat kuq e zi të flamurit kombëtar shqiptar dhe muaji Nëntor është muaji i festës kombëtare shqiptare.