”Vendim i turpshëm”

”Në vijim të një fushate amnezike nga institucionet në vend e cila kulmoi me mbledhjen e Kuvendit Komunal në Ulqin mbrëmë vonë, ku u soll vendimi i turpshëm për shitjen e pronës publike quajtur ‘Pylli i pishave’, me qëllim shlyerjen e borxhit, pa marrë parasysh në asnjë moment iniciativën qytetare dorëzuar Kryetarit të Kuvendit të Turpit, me mbi 700 firma, ku u kërkua vendosja e Moratoriumit mbi këtë zonë, duhet ritheksuar edhe një herë fakti kryesor rreth rastit flagrant dhe korruptiv gjyqësor, ashtuquajtur ‘K1”, kështu nis një shkrim të saj në rrjetins social aktivistja e njohur në qytetin e Ulqinit, Drita Llolla, transmeton Ulqini Online.

Le të mos harrojmë që sipas prononcimit për media që ka bërë Zëvendëskryetari i Parlamentit të Malit të Zi, si dhe bazuar në informacionet e raportuara nga mediat në vend, rreth qëndrimit të një institucioni publik i cili përfaqëson dhe punon për interesin publik, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka kontestuar në Gjykatë vërtetësinë e ndërmarrjes ‘Rekreaturs’, palës fituese në procesin tashmë të mbyllur gjyqësor ‘K1’ që e dëmtoi Komunën e Ulqinit me një shumë mbi 6 milionë euro, vazhdon Llolla.

As Qeveria malazeze dhe as Komuna e Ulqinit nuk mund të ishin pjesë e asaj maskarade dje, vetëm nëse janë bërë vetë palë e kësaj loje të pisët dhe korruptive, përfundon Llola

Nga ky moment e tutje është detyra e të gjithë ulqinakëve që kanë dinjitet të dalin e të mbrojnë pronën e tyre, publike dhe private.