Një grua e sigurtë – sine qua non e çdo shoqërie

Nga Gladiola Jorbus

Sa herë që një grua vdes
nga dora e një burri
Mua, më vjen turp
që jam burrë…
Enrico Brignano

Prej vitesh po bashkëjetojmë me një fenomen që ka arritur përmasa të jashtëzakonshme, feminicidin – vrasjet e femrave. Kohët e fundit, të gjitha mediat (video / audio, shtyp, internet) dëshmojnë ngjarje të vërteta, të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me dhunën ndaj gruas që përfundojnë me vdekjen e viktimës.
Shpesh, ndodh që gratë të shndërrohen në “objekt” të hakmarrjes nga (ish) partnerët, (ish) bashkëshortët, por edhe të (pa) njohur me të cilët për fat të keq janë njohur dhe kanë chat-uar herë pas here, nëpër rrjete sociale.
Pra, fenomeni i dhunës mashkullore ndaj gruas vazhdon të mbetet një temë shumë e rëndësishme, aktuale dhe delikate. Pavarësisht se konsiderohet e ezauruar (tema e feminicidit) deri në viktimën e radhës, ajo përbën një shqetësim alarmant në çdo shoqëri, e veçanërisht në tonën që ruan ende shumë elemente arkaike.
Femra, bashkëshortja, e dashura, motra, bija vritet për të vënë nderin në vend, “një turp” që i ka rrënjët në injorancën e së kaluarës relativisht të afërt.
Edhe sot e gjithë ditën, masakrat e dhunës mashkullore ndaj gruas kodohen me mbishkrimin: “krim pasionant, dashurie, ekstaze apo moment xhelozie”; gjithçka përsosurisht e gatshme për të justifikuar, mbrojtur, pothuajse ligjëruar një akt monstruoz.
Njeriu nuk lind i dhunshëm, por bëhet, i kushtëzuar nga rrethanat dhe sjelljet e njerëzve që kontribuojnë ose kryejnë plotësisht edukimin e tij.
Ndoshta vetë prindërit nuk dinë të kanalizojnë energjinë, shpeshherë destruktive të fëmijëve të tyre, pa (duke) qenë të vetëdijshëm se pa dashje po rrisin një kriminel, i cili në të ardhmen do t’u sjellë jo pak andralla, familjes e shoqërisë.
Shpeshherë, fëmijët janë të pranishëm në aktet e dhunës që etërit kryejnë mbi nënat e tyre.
E jo rrallë, këto nëna janë gra luftarake dhe të afta që mund t’i provokojnë komplekse të tilla inferioriteti një mashkulli, që sipëror në këtë rast është vetëm për nga forca e marrë fizike.
Për dështimin e tij si njeri, për egon e tij të sëmurë, për çdo problem dhe mosrealizim, ai fajëson gruan dhe alternativa e vetme, shfrimi i tij, mbetet dhuna.
A do të jenë ndonjëherë në gjendje përpjekjet e shoqërisë civile, sensibilizimi përmes spoteve publicitare, masat e çdo qeverie ta minimizojnë vijimësinë e këtyre incidenteve të shëmtuara e të urryera?!
Në fakt, dhuna ndaj grave – për fat të mirë – gjithnjë e më tepër po qendërzohet në debate publike. Arsyeja është e qartë: edhe pse po jetojmë një epokë të qytetëruar, sërish dhuna arrin dimensione barbare.
Ndonëse modernizmi ka përfshirë pothuajse gjithçka: teknologjinë, transportin, komunikimin, të ushqyerit, fatkeqësisht mirëkuptimi dhe respekti ndaj gruas apo një marrëdhënie më njerëzore, duket ende një perspektivë e largët për shoqërinë ku jetojmë.
Dhuna ndaj gruas mund të përkufizohet fare thjesht në trekëndëshin: “kërcënim, poshtërim, rrahje”: “Dhuna me bazë gjinore nuk është vetëm sulm fizik nga një burrë kundrejt një gruaje, por gjithashtu përfshin abuzimin psikologjik, shantazhin ekonomik, kërcënimet, dhunën seksuale, persekutimin, për të mbërritur në skajin më ekstrem – feminicidin.
E përsa u përket statistikave, ato s’janë asnjëherë të sigurta. Mund të përmendim akte dhune deri në vrasje ndaj grave, por ky numër nuk mund të jetë tërësisht i besueshëm, sepse ende janë në minorancë gratë që raportojnë se kanë përjetuar dhunë, dhe akoma më të pakta rastet që gjykohen apo ndëshkohen.
Megjithatë, që një shoqëri të konsiderohet e lirë, e barabartë dhe e emancipuar, e drejta e gruas për t’u ndier e mbrojtur dhe e sigurtë është një sine qua non (kusht i domosdoshëm).