Harasani: Keni rënë dakord të shkatërroni pyllin e pishave për shkak të korrupsionit, çfarë ti trashigojmë fëmijëve tanë

Këshilltari i Lëvizjes qytetare URA Ilir Harasani ka dalur me kumtesë për shtyp lidhur me aktualitetin në Komunën e Ulqinit. Ditë më parë mediat kanë transmetuar se Komuna e Ulqinit do të kalojë në pronësi të qeverisë rreth 8000 m2 tokë në pjesën më atraktive të qytetit të Ulqinit.

“Pasi Të mirat detare aneksuan 57 % të territorit tonë më atraktiv, ekspertë e qeverisjes lokale vendosën t’i dorëzojnë Qeverisë edhe këto “grimca” territori që na kanë mbetur, të vetëdijshëm se kështu indirekt pranojnë gabimin në lidhje me çështjen K1, që të gjithë ne e dimë se është fryt i korrupsionit.” tha Ilir Harasani, këshilltar i URA-së në Ulqin, transmeton Ulqini Online.

Sipas tij, logjikisht lindin disa pyetje:

• A jeni të vetëdijshëm që me këtë akt ju pranoni fajin për diçka që ne të gjithë e dimë se është rezultat i korrupsionit – çështja K1?

• A nuk ka lokalitet tjerë që mund të ofroni, por doni të shkatërroni pyllin e pishave?

• A e keni përmendur vetë në fillim Mavrianin për të dalur nga kriza, kush i hodhi tani “sytë” në pyllin e pishave?

• A ju kërkoi vetë Dushko Markoviqi pyllin e pishave apo ndoshta keni gjetur tashmë ndonjë “investitor”?

• A ju kujtohet kohë më parë një person që filloj prerjen e pishave në këtë hapësirë ​​përfundoi në burg, kurse ju doni të legalizoni shkatërrimin e “mushkërive” të qytetit, po në atë hapsirë.

• Ju gjithashtu thonit se nuk ka zhvillim pa DPS, mos vallë është kjo për ju zhvillim?

• A ju është premtuar ndoshta ndonjë apartament apo banesë pasi të përfundohet ndërtimi ?

Ai gjithashtu thekson se, gati dy vite pas marrjes së pushtetit lokal nga koalicioni i madh dhe katër vite nga vet DPS-i, asnjëri nuk kanë treguar një ide, vizion, program të shëndoshë, përkundrazi nuk janë në gjendje të kryejnë projektet e filluara kohë më parë.

“Përmes këtij akti, pushteti lokal ka tregon edhe një herë fytyrën e tij të vërtetë të punuarit dhe të menduarit me qasje të nënshtruar dhe të korruptuar. Unë mendoj se tani është e qartë pse ata nuk kanë bërë asgjë me vite për të parandaluar plaçkitjen dhe korrupsionin e quajtur K1. Madje ngrihet pyetja nëse kanë dashur vetë ta bllokojnë llogarinë e Komunës në mënyrë që të përgadisin një vend tërheqës për ndonjë manjat apo financier partie, “thekson Harasani.

Ai gjithashtu pohon se kjo është mënyra se si autoritetet lokale në Ulqin bëhen bashkëpunëtor në një nga mashtrimet më të mëdha të korrupsionit, plaçkitjes se buxhetit komunal dhe pronës komunale, “të gjitha këto për shkak të disa interesave personale të mjerueshme”.

“Ju keni pranuar të dhuroni qytetin për interesa shumë të vogla personale. Me këtë lloj marrëveshjeje, ju do mbeteni pa para dhe pa pasuri, kurse autoriteti dhe ndikimi i juaj politik lënë për të deshiruar.

Ky është atdhetarizmi-patriotizmi i juaj që keni “shitur” në zgjedhje, për të na dëbuar të gjithëve ne nga Ulqini. Pylli i pishave është e vetmja zonë e gjelbërt e mbetur dhe i vetmi vend ku ende mund të shihni fëmijë, të rinjë, prindër, pensionistë që ecin andejpari…

Të jeni të sigurt se do t’ju qortojë historia dhe një ditë do të mallkoheni për atë që jeni duke bërë, “përfundon Harasani.