MALI I ZI, SHTET I NDARË DHE I PAKONSOLIDUAR

Podgorica

Diskursi politik

Trajtimi i çështjeve të ndryshme  shoqërore në periudhën e pluralizmit  në Mal të Zi paraqet moment të veçantë për  analiza për këtë periudhë kohore, sepse kemi të bëjmë me ngjarje të cilat kanë përcaktuar fatin e këtij mjedisi duke u shkëputur përfundimisht nga  shteti i përbashkët më emrin ish-Jugosllavi. Por, jemi dëshmitar së  Mali i Zi veçohet  si vendi më i dalluar  për nga ndarjet e brendshme shoqërore në kuadër të bashkësisë ortodokse malazezo-serbe,  ku është e pranishme  politika populiste me qasje  klerikale dhe neofashiste serbe e cila  konteston identitetin  malazez,  ndërsa përçarja e opozitës vazhdon të mbesë enigma e pazgjidhur  e skenës politike, ku  së bashku me  aferat koruptive në nivelin shtetëror përforcohët  imazhi i  shtetit  të  ndarë dhe  të pakonsoliduar

Nail  Draga

Duke marrë parasysh sipërfaqën e vendit dhe numrin e banorëve  Mali i Zi është lider  i ndarjeve  shoqërore në Europën Juglindore, dukuri e cila nuk është e kohës së re por  ka filluar menjëherë  pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore,  në zelenash(pro malazez) e bjellash(pro serb), duke vazhduar më pas në monizëm në titist e stalinist, e pas vitit 1990 në suverenistë e unitaristë. 

Ndërsa kësaj ndarje duhet shtuar edhe ate fetare e cila është duke u realizuar nën patronatin e kishës ortodokse serbe e cila është mbeshtetëse e politikës serbomadhe, e cila është duke vazhduar ndërtimet e kultit edhe aty ku n uk ka pasur kisha serbe, siç është rasti në malin e Rumisë(2005), pastaj në Martinaj të Gucisë dhe në Shas, çështje kjo irituese për popullsinë shqiptare e cila e vlerson si rrezik të mbijetesës në viset e tyre autoktone.

Në aspektin e ndarjeve politike në  pluralizëm  ndarja e parë  ndodhi në vitin  1997, kur u nda  partia shtet(DPS), në dy drejtime; promalazeze dhe proserbe, ku kemi të bëjmë me kohën e distancimit nga politika e hegjemonizmit serb dhe drejtimit të kursit politik për pavarësi të Malit të Zi nga lideshipi politik i këtij vendi.

Por, një diferencim i tillë përkatësisht  ndarja e dytë u dëshmu bindshëm  me rastin e  mbajtjës së  referendumit  për pavarësinë e Malit të Zi (21 maj 2006), ku 55.5% e qytetarëve  u deklaruan  për pavarësi e 44.5% kundër saj. Një numër kaq i lartë i qytetarëve kundër pavarësisë, por, me qasje  proserbe  vazhdon të jetë aktual edhe tani, madje me një retorikë neofashiste  e cila të kujton kohën e fillimit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë në vitin 1991.

Tridhjetë vite nga rruga në pushtet(1989-2019)

Pikërisht me 11 janar të vitit 1989, në sajë të protestavë të rrugës në të ashtuquajturin Revolucionin Antibyrokratik, në pushtet në Mal të Zi, kanë ardhur kuadrat e reja komuniste, ku ndër ta ishte edhe M.Gjukanoviqi, ndërsa tash jemi në vitin 2019, pra tridhjetë vite pas, ku as optimistët më të mëdhënj nuk e kishin besuar se kaq gjatë do të ishte në pushtet, madje duke u bërë personi numër një në Mal të Zi, duke ndërruar pozitën herë si kryeministër e herë si president i vendit. Kemi të bëjmë me një pushtet i cili nuk ka ndryshuar jo vetëm për tridhjetë vite, por  ka vazhdimësi nga viti 1945, që  është rast i veçantë në vendet e ish kampit socialist  në Europën Juglindore.

Por, tri dekada më pas, pikërisht me 11 janar 2019, Gjukanoviqi, është ballafaquar me problemin me të madh të kohës së udhëheqjës së tij. Ishte pikërisht D.Knezheviqi, biznismeni i afërt me pushtetin, i cili para hetimeve të prokurorëve malazez ka ikur në Londër, dhe ka publikuar xhirimin, ku bashkëpunëtorit të M.Gjukanoviqit, ish kryetarit të Podgoricës(S.Stjepoviqit), në prag të zgjedhjeve të vitit 2016, ia ka dorëzuar “koverten”(zarfin), me 97.500 euro, i cili ky i fundit e vendos në xhepin e setrës.

Një pamje e tillë ishte si termet politik në Mal të Zi, ndërsa numri “97.000“  është bërë emri zyrtar i grupit të qytetarëve, të cilët me parullën “Odupri se”(Rezisto) ia filluan protestave të rrugës, ku si moto kryesore kanë dorëheqjet e presidentit të shtetit, dhe të institucionëve të ndryshme, të cilët protestuesit i vlerësojnë “të robëruara”. Si rrallë kund në Europën Juglindore, Mali i Zi është bërë model i partisë-shtet(DPS), e cila mban pushtetin tash 30-vite nga koha e miratimit të pluralizmit. Aferat korruptive në nivele qeveritare si dhe  afera e Atlas bankës janë bërë tema të ditës  tash disa muaj në mediat e shkruara  dhe elektronike në Mal të Zi.

Në këtë aspekt protesta e parë e qytetarëve  është mbajtur me 2 shkurt 2019  duke vazhduar me radhë deri të e dymbëdhjeta e cila u mbajt me 1 qershor 2019, të cilat do të vazhdojnë më pas gjatë vjeshtës, pavarësisht nga numri i qytetarëve që i mbeshtesin. Organizatorët e protestës nuk kanë trilluar diçka të re por kanë thënë ate çka shkruan në dokumentët e Bashkimit Europian, se Mali i Zi është „shtet i robëruar“.

Nga protestat e organizuara deri më tash del qartë  se vetëdija qytetare në Mal të Zi nuk është potente, sepse këtu edhe më parë kanë ndodhur afera të shumta, por nuk ka pasur ndonjë reagim dinamik  qytetar me efekte pozitive për ndryshime cilësore.

Krizë e vazhdueshme parlamentare

Po ashtu duhet theksuar se nga zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit 2016, opozita

me  39 deputet (48.15%) vendosi të bojkotojë  Kuvendin e  Malit të Zi, si rezultat i aferës së “grushtit të shtetit” deri në plotësimin e kushtëve për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke krijuar një krizë parlamentare e panjohur deri më tash në pluralizëm. Edhe pse një vendim i tillë nuk është respektuar nga e tërë opozita, kriza është e pranishme, dhe si e tillë  si duket do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm.

Bojkoti i zgjedhjeve si opcion

Nëse DPS-i dëshiron të eliminoj hipotekat nga keqperdorimi në proceset zgjedhore, duhet të bëjë lëshime dhe të tregoj gadishmëri për të pranuar propozimet e opozitës  për ndryshimin e ligjit zgjedhor, duke dëshmuar se janë për zgjedhje të lira dhe demokratike. Ligji zgjedhor nuk duhet të jetë pronë e shumicës parlamentare por e të gjithëve, me konsensues,   madje me diskutim publik duke i mundësuar të marrë pjesë edhe opinioni i interesuar.
Opozita duhet të jetë unike se nëse nuk plotësohen kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike ajo duhet si opcion të këtë edhe  bojkotimin e  zgjedhjeve parlamentare, edhe pse një ide e tillë mund të duket e parealizuar duke ditur mungesën e kapacitetit dhe parimeve politike të opozitës parlamentare.

Si kërkesë nga subjektet opozitare cekët edhe  qeveria teknike e cila mund të jetë me misionin  për të përgatitur kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike, ku roli kryesor do të ishte kontrolli i keqperdorimeve të resusrseve jo vetëm njerëzore, por, ndaj idesë së qeverisë teknike është duke e  refuzuar Qeveria qendrore, çështje kjo e cila do të jetë temë   për diskutim në muajt në vijim.

Përçarja e opozitës në favor të pushtetit

Duke ditur se në vitin zgjedhor nuk mund të ndryshoj ligji zgjedhor, deri në fund të vitit kanë mbetur me pak së katër muaj për të vendosur në lidhje me këtë çështje e cila është parësore për opoziten për pjesëmarrje në zgjedhje. Andaj çdo gjë mvaret nga opozita nëse dëshiron për të ndryshuar ligjin zgjedhor duhet të konsolidohen dhe të marrin pjesë në grupin punues dhe miratimin e ligjit të tillë në  parlament, në të kundërtën çdo veprim i tyre është në favor të pushtetit aktual.

Por,  veprimi momental i opozitës lënë për të dëshiruar sepse janë duke sulmuar njëra tjetrën  së kush është më opozitar e kush bashkëpunon me pushtetin çështje kjo e cila ka irituar opinionin  duke mos paraqitur një alternativë serioze, sepse kanë komplekset e atavizmit politik, për të dominuar në skenën opozitare, çështje kjo e cila shkon në favor të pushtetit aktual në Mal të Zi.(Shtator  2019)