Horizonti i Ri u regjistrua më 6 shtator 1999 me seli në Ulqin, me numrin rendor 4 në Regjistrin e OJQ-ve, menjëherë pasi Mali i Zi miratoi Ligjin e parë për organizatat joqeveritare.

Vlenë të përmendet fakti se jemi organizatë, e cila përgjatë dy dekadave, ka qenë aktive në forcimin e demokracisë lokale dhe zhvillimin e shoqërisë civile në një komunitet të vogël e specifik, gjë që dëshmohet përmes seriozitetit tonë dhe punës së palodhur e sidomos kur merret parasysh rruga të cilën e ka përshkuar shoqëria jonë që nga viti 1999 e deri më sot.

Që në fillet e veta e sot edhe më shumë, Horizonti i Ri është angazhuar për një ndikim më të madh të qytetarëve e veçanërisht të të rinjve, në proceset e vendimmarrjes në nivelin lokal. Gjatë tërë kësaj kohe, njohuritë dhe përvojën tonë e kemi ndarë me të tjerët dhe vazhdimisht përqafojmë risitë në procesin e ndërtimit të një shoqërie civile të përgjegjshme.

Jemi udhëhequr me vizionin:

Një komunitet aktiv, qytetarët e të cilit kanë një ndjenjë të zhvilluar të respektit, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok dhe të cilët angazhohen për të mirën e përbashkët.

Projektet e OJQ-së “Horizonti i Ri” kanë për qëllim inkurajimin e të rinjve për të marrë pjesë në procesin e hartimit të politikave publike lokale, forcimin e dialogut ndërkulturor dhe marrjen e përgjegjësisë për planifikimin dhe zhvillimin e komunitetit.

Horizonti i Ri ndërton me sukses partneritete dhe realizon projekte edhe në fushën e monitorimit të punës së administratës publike, transparencës dhe përgjegjshmërisë në shpenzimin e fondeve publike, si dhe nxitjen e zbatimit të Reformës së Administratës Publike në nivelin lokal.

Për 20 vite punë aktive, Horizonti i Ri ka arritur të ndërtojë imazhin e një OJQ-je të suksesshme në komunitetin lokal. Kjo organizatë vazhdimisht ka qenë një vendtakim për OJQ-të lokale dhe ka shërbyer si pikë referimi për vizitat e përfaqësuesve të organizatave të tjera nga Mali i Zi dhe rajoni. Horizonti i Ri ka disa vite që luan rolin e Qendrës Lokale të Resurseve për OJQ-të lokale, por gjithashtu shërben edhe si një urë e mirë lidhëse midis autoriteteve vendore e institucioneve shtetërore me organizatat lokale të shoqërisë civile.

Horizonti i Ri të gjitha aktivitetet e veta i realizon mbi bazën e dygjuhësisë, duke u shërbyer sa me gjuhën shqipe, aq edhe me atë malazeze.

By admini