Çatia e gjelbër, misteri i Stromstadit

Nga Gladiola Jorbus

Është fakt që numrat janë pjesë e pandarë e jetës sonë. Shkenca që merret me studimin e marrëdhënies mistike ndërmjet tyre dhe objekteve fizike a qenieve të gjalla quhet numerologji; një praktikë e njohur te matematikanët e hershëm si Pitagora, por e konsideruar edhe si një pseudoshkencë gjithashtu.

Në një qytet të bukur skandinav siç është Stromstadi, i cili pozicionohet në pjesën perëndimore të Suedisë, në veri të Goteborgut ngrihet madhështore një ndërtesë e strukturuar, mbi sekretet e numrave dhe datave më të rëndësishme të një familjeje.

Mbi të shkruhet STADHUS dhe s’është tjetër, veçse Bashkia e qytetit, një ndërtesë graniti që stolis qendrën e tij, kurse punonjësit e administratës mund të zhvillojnë aty, aktivitetin e tyre.

Ndërtesa është ndërtuar sipas stilit Art Nouveau (një term ky i përdorur për herë të parë nga juristi e shkrimtari belg Edmond Picard), që shërbente për të përkufizuar, një lëvizje artistiko-filozofike që lindi në Evropën e  fundviteve ‘800 dhe zgjati deri në dekadën e parë të 1900-ës.

Konstruksioni i STADHUS-it ka vijuar përgjatë viteve ( 1912-1917), sipas vizatimeve të Eugen Thorburnit. Bashkia e këtij qyteti apo e njohur ndryshe si “Çatia e gjelbër” shërben si pikë referimi për të gjithë, qoftë nga toka, qoftë nga deti.

 E jashtëzakonshmja e kësaj ndërtese qëndron në brendinë e saj, aty ku bashkëjetojnë drama, simbolika dhe misteri. E gjitha kjo, si pasojë e një konflikti serioz midis politikanëve dhe dhuruesit që e financoi atë.

Në fillim të shekullit XX, Stromstadi (dikur pjesë e Norvegjisë) kishte rënë pre e dy zjarreve të mëdha, të cilët e kishin shkretuar. Meqenëse nuk ishte në gjendje të ndërtonte bashkinë e tij, rrezikonte të humbiste privilegjet si qytet. Afaristit të rëndësishëm Adolf Fritiof Cavalli-Holmgren i lindi një ide, pasi lexoi gazetat lokale të Stromstadit, në rezidencën e tij në Stokholm, kryeqyteti i Suedisë, në të cilin u zhvendos pasi kreu studimet.

 Edhe pse nuk kishte shkëlqyer gjatë viteve të shkollimit, koha dhe pasuria e tij vërtetuan se ai kishte nuhatje në biznes. Përshkruhej si një “beqar i çuditshëm, me zakone disi të veçanta, gjithmonë i veshur me të zeza, i prekur nga një sëmundje në mushkëri, por me zemër të mirë dhe dorëçelur”.

Ai ofroi të ndihmonte qytetin duke dhënë një kontribut financiar të konsiderueshëm. Politikanët e entuziasmuar brohorisnin dhe punësuan një arkitekt për të ngritur një ndërtesë të re pranë portit.

 Por me sa dukej, planet e politikanëve të kohës ishin të papranueshme për Adolf Fritiofin, dhe kështu ai mori vetë përsipër të merrej me menaxhimin, financimin dhe gjithçka tjetër. Kësisoj, politikanët ishin të detyruar të pranonin kushtet e tij, edhe pse me pahir, përndryshe Stromstadi do të mbetej pa bashki.

Zemërimi i tyre arriti kulmin, jo vetëm sepse bashkia e re po ndërtohej larg qendrës së qytetit, por edhe për faktin se Adolf Fritiof po rezultonte tejet ekzigjent me kërkesat e tij. Vërtet ishte një njeri i sjellshëm dhe bujar, por pretendimet që kishte nxisnin një lumë të papërballueshëm ankesash.

Adolf Fritiof vendosi që ndërtesa të ngrihej mbi kodrën, të cilën përpara se qyteti të përfshihej nga flakët, e hijeshonin shtëpia e tij e fëmijërisë dhe dyqani i argjendarisë së babait, madje Adolfin shpesh e përmendnin si “Guldtuppens son - Djali i gjelit të artë”. 
Kjo bashki e re do t’i dhuronte qytetit bregdetar që laget nga Deti i Veriut Skagerrak, një pamje madhështore. Gjithashtu dhe për Kosterfjordin, një sipërfaqe e hapur e detit që shtrihet midis arkipelagut më të skajshëm të kontinentit dhe Ishujve Koster do të ishte një vlerë e shtuar.

Paçka se ky projekt po i nënshtrohej një kontrolli politik që kërkonte kohë, dhuruesi Adolf Fritiof Cavalli-Holmgren dëshironte që ndërtesa e re të përurohej më 27 janar 1911.  Por nuk ndodhi kështu.

Bashkia përfundoi së ndërtuari vetëm në vitin 1917. Meqenëse marrëdhëniet midis dhuruesit dhe organeve drejtuese në Stromstad ishin si të ngrira, përurimi s’kishte asnjë vlerë. Kjo godinë u çel zyrtarisht një shekull më pas, më 27 janar të vitit 2017, pasi iu nënshtrua një rinovimi të madh.

Adolf Fritiof merrte pjesë në mbledhje dhe u përgjigjej letrave vetëm katër ditë në vit – në ditëlindjen e babait të tij 27/1 (2+7+1=10), në ditëlindjen e nënës së tij 14/5 (1+4+5=10), në ditën e martesës së tyre 7/3 (7+3=10) dhe në ditën e fejesës së tyre 12/12 (1+2+1+2=6). Pra tri herë shfaqet numri i përsosmërisë 10 (dhjetë), kurse një herë shfaqet numri i harmonisë dhe i ekuilibrit 6 (gjashtë.

Nëse do t’i mblidhnim së bashku (1+0+1+0+1+0+6=9) do të përftonim numrin magjik të ligjeve shpirtërore universale, të zgjimit të ndërgjegjjes, të humanitarizmit 9(nëntë).

Afaristi suedez ishte i prirur jo vetëm të nderonte kujtimin e prindërve të tij, por ngulmonte që këta numra të formonin bazën e tërë arkitekturës së ndërtesës. Në fakt të gjitha matjet për madhësinë e dhomave, numrin e dritareve, shkallëve dhe të tjerave përbëhen ose përmblidhen në ndonjë prej këtyre numrave magjikë. Një shembull: në katin përdhes të ndërtesës numërohen 27 dritare dhe një derë që simbolizojnë datëlindjen e të atit 27/1.

  Shumë nga këto sekrete janë ende të mbështjella nga tisi i misterit, të tjera ende s’janë zbuluar. E ndoshta nuk do të dalin kurrë në dritë.

Kur punimet e “STADHUS – Shtëpia e qytetit” përfunduan, politikanët ndiheshin aq të zemëruar, sepse me gjithë këto mëtesa kaq të tepruara, qyteti nuk kishte marrë asnjë dhuratë a donacion, përkundrazi. Anasjellas kishte falur një hapësirë.

I privilegjuari ishte i ashtuquajturi dhurues, afaristi Adolf Fritiof Cavalli-Holmgren, i cili në të vërtetë kishte ngritur një memorial për prindërit e tij.

 Në raportin e mbledhjes së parë të bordit drejtues, dokumentohet se afaristi Adolf Fritiof Cavalli-Holmgren, mbeti pothuajse pa u falenderuar për kontributin e tij. Mungesa e mirënjohjes, ndoshta bëri, që ai të mos gjente kurrë paqe.

 Pavarësisht nga gojëdhënat, krenare, e pamposhtur dhe e veshur me petkun e misterit të numrave domethënës, “Çatia e gjelbër” është vetëm njëra ndër atraksionet më të mëdha të Stromstadit.