HUMANIZMI I RI NJERËZOR

Nikë Gashaj

Në botën bashkëkohore, vetëm ithtarët e sofizmit dhe të nihilizmit çështjen kombëtare e konsiderojnë si problem anakron. Çështja nacionale në Ballkan, në hapësirën e ish Jugosllavisë, në Evropën Lindore, në hapësirën e ish Bashkimit  Sovjetik dhe të mos cekim kontinentet e tjera, është çështje e lirisë, e të drejtave njerëzore  dhe kolektive, duke përfshirë këtu edhe të drejtën mbi formimin e shtetit të vet. Shkatërrimi i sistemeve totalitare dhe shthurja e shteteve shumënacionale i kanë hapur të gjitha çështjet  e të drejtave individuale dhe kolektive njerëzore. Shekujt XIX dhe XX kanë qenë shekuj të zgjimit kombëtar. Por, edhe shekulli XXI do të jetë shekull i afirmimit kombëtar, për të gjithë ata popuj dhe pakica kombëtare, të cilat dëshirojnë ato liri, ato të drejta, ato institucione, të cilat ua garantojnë ekzistencën kolektive, dhe të cilat tashmë i kanë shoqëritë e zhvilluara politike në Evropë dhe në botë. Në bashkësitë shumënacionale ekzistojnë vështirësitë objektive dhe subjektive për vendosjen e barazisë dhe të harmonizimit të marrëdhënieve në mes kulturës së shumicës etnike dhe pakicave kombëtare. Ndërkaq, barazia në mes kulturave dhe përshkimi i tyre krijues mund të arrihet me eliminimin e supremacionit apo hegjemonisë së kulturës së kombit shumicë. Toleranca ndërnacionale është një parim i rëndësishëm për respektimin e llojllojshmërisë dhe të dallimeve veçuese.

Që të arrihet së paku barazia relative e kulturave dhe të drejtave kulturore  të kombit shumicë dhe të pakicave kombëtare, është e domosdoshme rregullativa juridike. Do të ishte mirë që në mënyrë precize të definohej kodi apo katalogu i të gjitha të drejtave kulturore dhe të marrëdhënieve ndërkulturore, të cilat janë të nevojshme të inkorporohen në legjislacionin shtetëror. Për në fillim, ato do të mund realizohen edhe nëpërmjet masave shtrënguese dhe detyruese, derisa ato të mos bëhen zakone gjithënjerëzore.

Parimisht, duke mos iu kundërshtuar proceseve integruese të qytetërimit bashkëkohor, humanizmi i ri njerëzor do të mund të jetë dhe në ruajtjen e identitetit kulturor të etnosit, në përparimin, zhvillimin dhe begatimin e karakteristikave dhe cilësive veçuese individuale dhe kolektive, në respektimin e llojllojshmërisë, partikularitetit dhe të rajonalitetit të kulturave dhe gjuhëve, të traditave, të dokeve dhe zakoneve të popujve të vegjël dhe të pakicave kombëtare.

Bota do të ishte një shkretëtirë për ngjyrosje të ndryshme, pa lulëzimin e llojllojshmërisë, pa të rrallët dhe të vegjëlit, pa të rinjtë dhe të vjetrit.

Progresi, i cili do të anulonte dallimet ekzistuese, historike, shpirtërore dhe liritë e të drejtat autonome të njerëzve dhe të popujve nuk do të ishte progres humanist. Nga kjo pikëpamje dhe këndvështrim, ruajtja dhe pasurimi krijues të identitetit kombëtar, kulturor dhe gjuhësor të popujve të vegjël dhe pakicave kombëtare është detyrë parësore, politike, shoqërore dhe qytetëruese të epokës sonë, si dhe në atë hapësirë globale dhe të shoqërisë shqiptare.

                               Multikultura dhe shoqëria moderne civile

Shoqëria bashkëkohore në përgjithësi është shoqëri multikulturore. Multikultura është një bazë shpirtërore mbi zhvillimin e specifikave  dhe të cilësive veçuese, respektivisht paraqet një metagjuhë, e cila i pacifikon diskurset divergjente. Ajo nuk ua imponon gjuhën e vet të tjerëve, por në mënyrë krijuese i njeh dhe i pranon gjuhët e tjera, çka do të thotë se multikulturalizmi nuk mund të paramendohet pa lirimin nga ideja dhe praktika e një diskursi të vetëm dominues nacional.

Multikultura në realsocializëm ka qenë nocion i dyshimtë. Sikurse shumica etnike ashtu edhe pakicat kombëtare e kanë konsideruar atë si cungim të identitetit kombëtar. Mirëpo, multikultura është diçka tjetër. Këtu ka të bëhet me një shok-terapi postmoderne europiane midis krizave të ideologjive të ndryshme universale (nacionalizmi, komunizmi etj.).

Sipas sociologut të njohur francez, Edgar Morin, njeriu europian definohet si poliidentitet, çka do të thotë se njeriu është qënie familjare, rajonale, nacionale, transnacionale, konfesionale, doktrinare dhe lokale. Autori në fjalë këtë e përcakton si unitas multiplex. Ne këtë do ta quanim qelizë themelore të pluralizmit, pa të cilën pluralizmi në shoqëritë multikulturore nuk mund të zhvillohet në terësi. Ideja e multikulturës ka marrë një hov më të madh në kohën e riorganizimit dhe të përpjekjeve integruese të Europës dhe të eurorajonalizimit.

Çështja e rajoneve europiane dhe e multikulturalizmit, aktualizojnë pyetjen: çfarë shteti duam? Nga kjo, njëherit, varet edhe raporti dhe marrëdhëniet tona ndaj shoqërisë civile, por edhe nga ajo se mbi çfarë baze pakicat kombëtare në të ardhmen mund të shpresojnë dhe të presin.

Pozita dhe opozita politike në shtetet e Ballkanit Prendimor më së tepërmi ngurrojnë mbi këtë pikë, ndërsa inteligjenca e ka dorëzuar autonominë e vet. E tërë ajo ndikon në profilin e politikës mbi pakicat. Në njërën anë inteligjenca vazhdimisht përsërit se është ithtare e shoqërisë civile, kurse në anën tjetër  dëshiron dhe kërkon një shtet të fortë, të centralizuar dhe nacional.

Shtetëzimi i idesë nacionale në Europën Juglindore i përshkon të gjitha sferat e jetës. Në lidhje me këtë, mendimtari Vclav Belohransky shprehet se shteti postmodern nuk është manifestim i një kulture të vetme shtetkrijuese, por është shprehje e marrëdhënieve midis kulturave. Një intelektual tjetër opozicionar, Gjergj Konrad, duke folur mbi kontekstin e shoqërisë civile konstaton se “shoqëria civile kërkon shumëllojshmëri të gjuhëve, pluralizëm të dimensioneve”. E tërë ajo është me rëndësi të jashtëzakonshme për territoret multietnike dhe multikulturore, meqënëse zgjeron hapësirat e lirisë, paraqet përparësi të shumta ekonomike dhe kulturore, njëkohësisht i pasuron format civile të identitetit dhe në atë mënyrë vendosen kornizat e multikulturalizmit.

Ideja e multikulturalizmit në Europën e Mesme dhe Lindore është pjesë përbërëse e lëvizjeve civile, si kundërpeshë e pushtetit të plotfuqishëm shtetëror, element i pashmangshëm i liberalizimit opozitar dhe në këtë formë e kundërshton  traditën e realsocializmit centralist dhe nacionalist.

Një nga segmentet e multikulturalizmit është shumëgjuhësia në mjediset shumënacionale. Shumëgjuhësia është një interes i pakicave kombëtare, por ajo do të bëhet edhe interes i përgjithshëm, përcaktim i një rruge të lirë të qytetarëve, në qoftëse liria nuk do të jetë e kufizuar me asnjë ideologji, madje as me shtet nacional.

Për ilustrim, se si interesat multikulturore do të duhej të manifestoheshin në mënyrë ligjore, le të marrim si shembull ndërmarrjet publike ose ndërmarrjet nën ingerencat e drejtpërdrejta të shtetit, sikurse janë: hekurudha, bankat, posta, institucionet shtetërore, si dhe të gjitha ato organizata, të cilat janë në shërbim të qytetarëve, duke u nisur nga institucionet e shëndetësisë, lotarisë deri tek shërbimet komunale dhe të Kryqit të Kuq. Shteti i drejtë dhe ligjor do të kujdesej që në këto organizata të jenë të përfaqësuara në mënyrë proporcionale gjuhët e pakicave, shpesh herë edhe me aplikimin e institutit të trajtimit preferencial. Njëkohësisht midis të punësuarve – në të gjitha nivelet – do të duhej të zbatohej parimi i përfaqësimit proporcional. Vetëm në këtë mënyrë do të realizoheshin interesat e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre nacionale dhe konfesionale.

                       Modernizimi i deformuar- shteti nacional jotolerant

Për hir të së vërtetës duhet thënë se në tërë hapësirën postkomuniste, diktatura komuniste është e zëvëndësuar me nacionalizëm, i cili e ka krijuar dhe një gjendje politike të tensionuar. Është e pamohueshme, se hapësirat postkomuniste akoma paraqesin pikën nevralgjike. Ndërkaq, sot një rrezik i madh për demokraci dhe për realizimin e të drejtave të pakicave, e paraqesin politikanët servilë, të përulur dhe të përvujtë, manipuluesit dhe demagogët, pseudointelektualët dhe studentët e përjetshëm… Me fjalë të tjera, këtu kemi të bëjmë me krizën e identitetit dhe të moralit, me një vetëdije të ulët qytetare, politike dhe kulturore, si dhe me një nacionalizëm perfid.

Kur është fjala për mbrojtjen e pakicave kombëtare, shumica etnike është ajo e cila duhet të marrë një përgjegjësi të plotë morale dhe politike, përgjegjësi për sendërtimin e të drejtave të tyre në terësi, në të gjitha aspektet dhe dimensionet. Këtë përgjegjësi nuk duhet kërkuar vetëm në rrafshin partiak, në organizimin politik, as vetëm në kuadër të elitave politike- në këtë rast fjala është mbi përgjegjësinë e kombit shumicë në përgjithësi.

Sipas shpjegimit manipulues, në qoftë se pakicat kombëtare drejtpërsëdrejti nuk janë të nënshtruara dhunës, atëherë nuk mund të flitet për shkeljen e të drejtave të pakicave. Pikëpamja e tillë cinike me fjalë të tjera do të thotë se shteti juridik e ka kryer punën e vet, në qoftëse nuk i rrahin njerëzit rrugëve. Sipas kësaj logjike, pjesëtarët e kombit shumicë janë indiferentë ndaj shkeljeve të të drejtave të pakicave. Ata në këtë mënyrë solidarizohen me praktikën joligjore, me cënimin e të drejtave, respektivisht raporti i tyre ndaj pakicave merr një karakter antidemokratik.

                                                   Hierarkia e identiteteve

Këtu duhet të themi se në vend të pluralizmit të identitetit brenda një shteti, përparësi i jepet hierarkisë së identiteteve. Në këtë rast multikulturalizmi bëhet i pamundshëm. Kështu, njëra nga amplitudat e hierarkisë së tillë politike në esencë është edhe mohimi i shoqërisë civile, meqënëse posa në skenë politike paraqitet hierarkia e identitetit, në të njëjtën kohë dhe shoqëria civile do të bëhet shërbëtore e shtetit nacional.

Ish – Jugosllavia si shembull ndriçon qëndresën e nacionalizmit popullist, tregon se manifestimi i tij konstant rrjedh nga kriza e identitetit, andaj duke iu falendëruar asaj është krijuar një konsensus i përgjithshëm i masave dhe elitave politike, elitave kulturore dhe ekonomike.

Ish komunistët dhe antikomunistët histerikë, forcat të cilat veten e quajnë demokratë, elitat e qytetarisë së re dhe masat e joshura dhe të narkotizuara me tirada popullistike, i ka bashkuar një koncept- në vend të pluralizmit të identitetit, të gjithë ata e kanë përfytyruar një shoqëri me ndonjë hierarki të re të identitetit. E tërë ajo ka ndodhur për shkak të krizës së modernizimit. Modernizimi në ish Jugosllavi është formuar nga lart, nga piramida politike dhe ka qenë rezultat i një sistemi autoritar. Me rënien e komunizmit, prandaj, edhe modernizimi ka qenë i gjykuar për shkatërrim, meqënëse ai ishte modernizim i deformuar. Në mënyrë të fuqishme në sipërfaqe kanë shpërthyer nostalgjitë premoderne. Meqënëse bashkësitë tradicionale janë shformuar, është paraqitur nevoja për një hierarki të re artificiale, e cila e ka suprimuar apo anuluar pluralizmin e identitetit. Krijimin e çdo identiteti tjetër autonom e ka trajtuar si rrezik-më së shpeshti rrezik nga separatizmi.

Për rregullimin e gjendjes në shoqëritë bashkëkohore multikulturore, po cekim një mendimtar të njohur politik, Xhozef Raz, i cili shkruan: “…multikulturalizmi kërkon një shoqëri politike, e cila njeh dhe e pranon statusin e barabartë të të gjitha bashkësive kulturore stabile dhe vitale, të cilat ekzistojnë në një shoqëri. Në qoftëse shoqëria është multikulturore, ajo përbëhet nga kultura të ndryshme, andaj, asnjë bashkësi kulturore nuk guxon të konsiderojë se shteti është vetëm i saj, kurse bashkësitë e tjera statusin e vet e gëzojnë falë vullnetit të saj të mirë”.

Nuk duhet ushqyer kurrfarë iluzioni se shteti nacional dhe së bashku me të, nacionalizmi në këto hapësira, mund të mposhten brenda nate. Ajo do të jetë rezultat i një procesi afatgjatë, e që do të varet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm politikë.

Shteti nacional është pushtet i tillë, të cilin teoria mbi shoqërinë e demokracisë liberale e vë në thumb të kritikës. Mirëpo, megjithatë, në lidhje me këtë mendimtari politik Sajo Andras, konkludon se është i dobishëm që për mbrojtjen e pakicave kombëtare të hartohet dhe të miratohet një aranzhman taktik me shtetin nacional. Kuptohet se kjo nuk është ideal i shtetit liberal, neutral, por është deri diku karakteristikë e nacionalizmit demokratik, i cili në atë mënyrë për interesin e vet, përpiqet ta stabilizojë shoqërinë dhe shtetin.

Jam i mendimit se liberalizmi kontraktual, ose teoria kontraktuese (e bazuar dhe e mbështetur në marrëveshje dhe kontratë ndërmjet shumicës etnike dhe pakicave kombëtare), ka mundësi që të gjejë mënyrën e zgjidhjes së çështjes së pakicave kombëtare. Parimisht, kontraktualizmi është koncept politik i pajtueshëm me të drejtat kolektive të pakicave kombëtare dhe me shtetin nacional, meqënëse është përkrahës dhe ithtar i principit të shtetit neutral. Sipas definicionit, të cilin e përdor teoria kontraktuale, neutraliteti i shtetit do të thotë se ai nuk guxon të jetë i njëanshëm. Shteti në një shoqëri multikulturore nuk mund t’i takojë një kulture të veçantë ose vetëm një kombi. Neutraliteti në teorinë kontraktuale do të thotë se shteti duhet të funksionojë dhe të veprojë në krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin dhe përparimin e të gjitha kulturave, e jo vetëm të një kulture të veçantë.

Teoria kontraktuale, përpos parimit të neutralitetit të shtetit, ofron edhe parimin e dallimeve. Sipas parimit të dallimeve, pabarazitë në shoqëri janë të lejueshme vetëm nëqoftëse ato shkojnë në favor të atyre që gjenden në një pozitë më të dobët. Kjo do të thotë se një angazhim i tillë është pasojë e konceptit të drejtësisë, për ndërmarjen e masave të veçanta për përmirësimin dhe avancimin e statusit të pakicave kombëtare.                                                                         

                                                            Shteti konacional

Në atë kuptim, pikëpamje dhe drejtim kontraktualizmi liberal është në përputhje të plotë me konceptin e shtetit konacional, të cilin në teori politike të parët e kanë futur në përdorim teoricienët: Janosh Kish dhe Alpar Loshonc. Në qoftëse merret se baza e shtetit konacional është “parimi normativ i marrëdhënieve johierarkike ndërmjet kulturave të ndryshme në një bshkësi shtetërore”, ku njihen të drejtat e “autonomisë publike të të gjitha kulturave” dhe ku “kurrkush nuk posedon monopol të integrimeve” (Loshonc), atëherë mund të përfundojmë se kontraktualizmi liberal është teoria më e përshtatshme, nëpërmjet të cilës mund të arrihet deri te koncepti i shtetit konacional dhe të një shoqërie civile të zhvilluar dhe moderne.