Lufta kundër paragjykimeve etnike, më e vështirë se thyerja e atomit

Nga Nikë Gashaj

Paragjykimet etnike paraqesin një problem të madh shoqëror. Ato shfrytëzohen për nxitjen dhe përhapjen e antagonizmave dhe konflikteve në mes grupeve dhe popujve dhe me të vërtetë në atë aspekt edhe kanë sukses. Për ata, ndaj të cilëve janë të dedikuara, paragjykimet etnike paraqesin vështirësi, mjerim dhe fatkeqësi, meqënëse ua vështirësojnë jetën, duke u manifestuar gati në të gjitha sferat e jetës. Paragjykimet në jetën e atyre ndaj të cilëve ekzistojnë, negativisht ndikojnë dhe manifestohen në diskriminimin në punë – nuk i kanë mundësitë e barabarta të punësimit, në shumë vende të punës nuk pranohen; marrin rroga më të vogla, më vështirë përparojnë në punë; janë të diskriminuar në shkolla; në disa situata trajtohen në mënyrë të pabarabartë para ligjit etj. Mu për këtë rëndësi shoqërorë të paragjykimeve etnike janë bërë përpjekje të mëdha në kërkimin e mënyrave dhe metodave efikase të luftimit kundër paragjykimeve. Në literaturën e psikologjisë sociale përmenden mënyrat e ndryshme të luftës kundër paragjykimeve.

                                                       Normat ligjore

Një mënyrë e cila është kontestuese, është nxjerrja e normave ligjore kundër manifestimit të paragjykimeve. Ka pasur diskutime të shumta mbi atë se a është legjislacioni mjet efikas në luftën kundër paragjykimeve dhe diskriminimit ndaj disa grupeve. Disa autorë janë të mendimit se ligjet nuk mund të kenë ndikim, sepse për t’u liruar nga paragjykimet njerëzit duhet më parë të edukohen. Ndërsa një numër i autorëve të tjerë nënvizojnë se edhe me përdorimin e normave juridike është e mundur që të ndalohen dhe të kufizohen paragjykimet etnike. Rregullat ligjore jo vetëm që çojnë deri të lehtësimi i jetës së grupeve pakicë ndaj të cilave ekzistojnë paragjykimet, por shpien edhe deri te ndërrimi i qëndrimeve ndaj tyre – theksojnë ata që janë ithtarë të rëndësisë së legjislacionit në luftë kundër paragjykimeve. Pikëpamjet e fundit duket se janë më të arsyeshme dhe në favor të tyre dëshmojnë edhe shumë të dhëna. Për shembull, Ligji mbi desegregacionin, i nxjerrë në SHBA dhe në krahinat në të cilat ka pasur shumë paragjykime, ka nxitur më pak rezistencë sesa që është paramenduar, ose fare nuk ka shkaktuar kundërshtime. Një gjë të tillë e vërtetojnë edhe faktet mbi formimin e njësive të përbashkëta ushtarake prej zezakëve dhe të bardhëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Deri te Lufta e Dytë Botërore, parimisht, ushtarët zezakë dhe ushtarët e bardhë kanë qenë në njësi të ndara ushtarake. Para se të implementohet vendimi i formimit të njësive të përbashkëta, janë bërë hulumtime mbi mendimin e ushtarëve të bardhë, veçanërisht të eprorëve të tyre të bardhë, mbi formimin e njësive të përbashkëta. Rezultatet e hulumtimeve të tilla kanë treguar se tek ata ka ekzistuar një rezistencë e madhe ndaj zbatimit të një mase të tillë. Është shprehur mendimi se njësitë e përbashkëta ushtarake nuk do të mund të funksionojnë dhe në pikëpamje ushtarake do të jenë më të dobëta dhe të paafta. Ndërkaq, kur është zbatuar desegregacioni dhe kur janë formuar njësitë e përbashkëta ushtarake, është vërtetuar se parashikimet e tilla nuk janë treguar të sakta.

Mirëpo, jo vetëm kaq, por hulumtimet kanë vërtetuar se te një numër i madh i të bardhëve janë spastruar dhe liruar qëndrimet negative ndaj zezakëve, ose janë zbutur në një masë të madhe. Sot, në një shkallë të lartë konsiderohet se lufta kundër paragjykimeve nëpërmjet normave ligjore ndikon në ndërrimin e qëndrimeve dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të mira interetnike dhe ndërnjerëzore.

Legjislacioni ndikon para së gjithash, në atë lloj të paragjykimeve të cilat nuk janë thellë të rrënjosura në personalitetin e individëve, në paragjykimet të cilat burimin e kanë, në radhë të parë, në botëkuptimet e veta të përhapura konformiste. Si mjet tjetër, në luftë kundër paragjykimeve përmendet informimi sistematik mbi paarsyeshmërinë e paragjykimeve. Edhe pse, marrë në përgjithësi, një informim i tillë paraqet një mjet të dobishëm, ajo nuk është gjithëherë efikase dhe nuk jep çdoherë rezultate të dëshirueshme dhe të pritura. Shkaku i kësaj është, ndër të tjerat, ekzistimi i të ashtuquajturave barriera psikologjike në komunikim, sikurse disa autorë e nënvizojnë atë (Hyman dhe Sheatsly).

                                                              Informacioni

Shpeshherë, ata të cilëve u janë dedikuar informatat, dhe ajo kur ka të bëjë me luftën kundër paragjykimeve – janë personat me paragjykime, prandaj informatat e tilla nuk i pranojnë fare. Ata informatave të tilla u ikin dhe u shmangen. Është vërtetuar se informatat e tilla mbi disa grupe etnike që janë dhënë me qëllim që të zvogëlohen paragjykimet ndaj tyre, i kanë përcjellur, para së gjithash, pikërisht pjesëtarët e atyre pakicave, ndërsa popullata tjetër, së cilës i janë kushtuar informatat e tilla, fare pak. Një efekt më të madh sesa infomatat nëpërmjet mjeteve masive të informimit e kanë ligjëratat sistematike në shkolla dhe kurset e seminaret.

Ndërkaq, edhe në ato raste kur ekzistojnë mekanizmat e fuqishëm mbrojtës, të cilët shfrytëzohen për mbajtjen apo ruajtjen e paragjykimeve, informimi mbetet i paefektshëm. Të dhënat, për shembull, tregojnë: se studentët nga shtetet e jugut të SHBA-së, kanë pasur paragjykime më të mëdha ndaj zezakëve sesa që i kishin personat më pak të arsimuar nga veriu. Edhe pse studentët dinë shumë më tepër mbi problemet racore dhe janë shumë më mirë të informuar mbi grupin etnik ndaj të cilit ekzistojnë paragjykimet, megjithatë tek ata paragjykimet mbeten. Është treguar se ata konsiderojnë se zezakët nuk janë, në esencë, në një pozitë më të keqe dhe se trajtimi i tyre u përgjigjet kushteve ekzistuese shoqërore. Përdorimi i mekanizmave të ndryshëm, para së gjithash, i mekanizmave të racionalizimit, ndihmon që paragjykimet të qëndrojnë edhe  përkundër informatave të cilat tregojnë paarsyeshmërinë e tyre.

                             Efektet e kontaktit të drejtëpërdrejtë

Mjeti i tretë, i cili shpeshherë përdoret dhe shpesh konsiderohet efikas, është kontakti i drejtëpërdrejtë me grupet ndaj të cilave ekzistojnë paragjykimet. Mirëpo, duhet theksuar se edhe kontaktet e tilla nuk kanë gjithmonë si pasojë zvogëlimin e paragjykimeve. A do të ketë kontakti efekt apo jo në pakësimin e paragjykimeve, varet nga natyra e kontaktit dhe marrëdheniet në mes të atyre te të cilët ekzistojnë paragjykimet.

Kontakti i fermerëve të bardhë dhe punëtorëve zezakë, të punëdhënësve të bardhë dhe të punëtorëve të tyre zezakë nuk do të ndikojë në pakësimin e paragjykimeve ndaj zezakëve. Punëdhënësit e bardhë edhe më tutje diskriminimin e vet ndaj zezakëve e kanë shpjeguar me të kaluarën historike, si raport ndaj personave më pak të aftë dhe më pak të vlefshëm dhe kanë qenë të mendimit se diskriminimi është i arsyeshëm. Ndërkaq, te personat me interesa të ngjashme, me status të njëjtë  dhe me qëllime të njëjta, kontakti i drejtëpërdrejtë mund të ketë efekt pozitiv. Një efekt të tillë e ka, për shembull, kontakti ndërmjet pjesëtarëve të zi dhe të bardhë të sindikateve. Një efekt të tillë e ka pasur edhe kontakti në situatën e luftës në njësitë e përbashkëta të zezakëve dhe të të bardhëve.

Mundësinë e efektit pozitiv të kontaktit e vërtetojnë edhe disa hulumtime, ndër të tjerat edhe i ashtuquajturi eksperimenti aksional, të cilin e kanë bërë dy hulumtues (M. Deutsch dhe Collins) me organizimin e banimit të përbashkët, të banimit në të njëjtin vend dhe në të njëjtat ndërtesa të të zinjëve dhe të bardhëve. Duke vërtetuar zhvillimin e paragjykimeve të të bardhit para një aksioni të tillë dhe pas një kohe të zbatimit të një aktiviteti të tillë, pasi që ai është zbatuar, kanë konstatuar se në një masë të dukshme janë pakësuar apo zvogëluar paragjykimet ndaj zezakëve.

Një numër i madh i verifikimeve tregon, se veçanërisht një ndikim efikas në zvogëlimin e paragjykimeve e kanë personat me autoritet, e para së gjithash, prindërit. Konsiderohet se sikur prindërit në vend të paragjykimeve t’i mësonin fëmijët marrëveshje dhe tolerancë, nuk do të vihej as deri te formimi i një pjese të madhe të paragjykimeve.

Duke zbatuar luftën kundër paragjykimeve, duhet të kihen parasysh mbi të gjitha ata faktorë të cilët kontribuojnë me sukses në tentimin i ndërrimeve të qëndrimeve.

Njohjet shkencore tregojnë se pa marrë parasysh se sot ka mënyra të shumta dhe të dobishme të luftës kundër paragjykimeve, mënyrë të sigurt për mënjanimin e tyre nuk ka. Paragjykimet është vështirë t’i largosh dhe të lirohesh prej tyre. Një autor thotë se është më vështirë të prishen ato se të bësh thyerjen e atomit. Duhet të theksohet se efekti i luftës kundër paragjykimeve varet nga lloji i paragjykimeve. Derisa paragjykimet, të cilat burimin e vet kryesor e kanë në konformim, largohen më lehtë, ndërsa paragjykimet të cilat kanë rrënjë më të thella në personalitet, është më e vështirë për t’i zbatuar dhe suksesi në largimin e tyre është i vogël. Arsyeja është në vështirësinë që paragjykimet të mënjanohen dhe në shkaqet e shumëfishta të cilat manifestohen në vazhdimësi dhe që nxisin paragjykime.

Momentet ekonomike janë një ndër shkaqet kryesore të manifestimit të paragjykimeve si fenomen shoqëror, mu për këtë arsye vetëm ndërrimet radikale në strukturën ekonomiko-shoqërore edhe mund të shpien deri te efektet me rëndësi. Ndërrimet e tilla do të kontribuojnë që edhe disa shkaqe psikologjike të manifestimit të paragjykimeve të humbin në domethënien e vet. Me ndalimin e rrezikimit ekonomik dhe të pasigurisë, me kënaqjen e synimeve dhe qëllimeve për afirmim dhe prestigj, kur do të çmohet çdo punë dhe çdo formë e saj, do të pakësohen dhe dobësohen dhe burimet psikologjike të shfrytëzimit të paragjykimeve me qëllim të kënaqjes të nevojave të ndryshme dhe dëshirave të njeriut.                                                          

                                         Idetë mbi  superioritetin e racave

Kërkesat për një pozitë të veçantë të ndonjë grupi në krahasim me grupin a grupet e tjera kanë qenë fenomen mjaftë i shpeshtë gjatë historisë. Këso kërkesa janë manifestuar në marrëdhënie ndërmjet grupeve brenda një shteti a në marrëdhënie ndërmjet popujve në komunitetin ndërkombëtar. Më së shpeshti kërkesat e tilla mbështeten në teori raciste, të cilat shfrytëzojnë shkencat natyrore, biologjike, antropologjike etj. për arsyetimin e kërkesave për pozitë të privilegjuar.

Përfaqësuesit e ndryshëm të rrymave të caktuara të sociologjisë antropologjike, biologë, mjekë, filozofë, psikologë, politikanë etj. në bazë të matjeve antropologjike, shtatit, formës së kafkës, të mollëzave, të hundës, të buzëve, të analizave të grupit të gjakut, të cilësive të anëtarëve të grupit, të ngjyrës së lëkurës, të syve, të flokëve, të rezultateve në fushat e shtetësisë, shkencës, artit etj. janë përpjekur për të vërtetuar shkencërisht ekzistimin e racave të “larta”, pjesëtarët e të cilave kanë aftësi më të mëdha intelektuale e fizike dhe i kontribuojnë shumë më tepër zhvillimit dhe përparimit shoqëror, ekonomik, kulturor etj. dhe racave të “ulta”, gjë që të parave u jep të drejtë të jenë bartës të civilizimit”.

Idetë mbi superioritetin e racave janë të njohura që nga antika. Aristoteli(shekulli IV p. ep. sonë) konsideronte se grekët, për shkak të pozitës gjeografike që mbajnë dhe kualiteteve që kanë, janë të predistinuar që të sundojnë botën. Sipas Aristotelit, disa njerëz nga natyra lindin të lirë, të tjerët si robër; disa janë të përcaktuar të nënshtrohen, të tjerët të sundojnë, e kjo vlen edhe për popuj. Sipas kësaj, për nga natyra grekët janë të lirë, ndërsa barbarët janë robër”.

Në shekullin XIX dhe në pjesën e parë të shekullit XX Gobino(A. J. Gobineau, 1816-1882), Frensis Golton(1822-1911), Lauzha (G. De Lapouge, 1854-1936), Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900), Çemberlen(Houston Stewart Chamberlain, 1855-1926 ose 1927), etj. flasin për dallimet ndërmjet njerëzve dhe racave, duke vënë racën ariane në vend të parë, si racë superiore e njerëzve shtathedhur dhe bjondë.

Idetë e këtilla kanë hasur në përkrahje më të madhe në Gjermani gjatë pjesës së dytë të shekullit XIX, kur më qartë artikulohen kërkesat për vendin dhe rolin e veçantë të racës gjermane në Evropë dhe në botë, si racë që është moralisht dhe fizikisht superiore ndaj racave të tjera.

                                               Paragjykimet ndaj shqiptarëve

Krejt këto s’do të meritonin të përmendeshin, sikur idetë e tilla të mos kishin pasur në të kaluarën, por edhe në ditët e sotme implikime edhe në shqiptarë. Vlladan Gjorgjeviqi, Stojan Protiqi, Nikolla Pashiqi dhe racistët e shovinistë të ndryshëm, janë përpjekur që t’i paraqesin shqiptarët si popull të paqytetëruar, të prapambetur, të paedukuar, papunëtorë(përtacë), dinakë, frikacakë, të dobët, agresivë, dhunues etj.

Kualifikimet e këtilla kanë qenë çdo herë në funksion të përpjekjeve për të siguruar pozitë të privilegjuar a dominuese për një popull a për një grup, në dëm të popujve të tjerë a grupeve të ndryshme. Si të këtilla, ato janë biologjikisht joshkencore e moralisht për gjykim. Pikërisht për këtë Ashraf Pahlavi, përpjekjet për për të vërtetuar inforioritetin e njerëzve vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës a karakteristikave etnike, i ka çmuar si shenja të”mendjes së luajtur ose devijimit shpirtëror”.