NJË VJETORI I VDEKJES SË ADEM DEMAÇIT

Gjekë Gjonlekaj/New York

Zonja dhe zotërinjë;

Jemi mbledhur sot këtu në Royal Regency Hotel në New York për të nderuar legjendën e racës arbërore Adem Demaçin, i cili u nda nga kjo jetë me 26 korrik 2018. Pas lirimit nga burgu u prit me nderimet më të mëdha në Kosovë. Dhjetëra mijëra shqiptarë shkuan për t’i dhënë dorën këtij profeti. Adem Demaçi u largua nga kjo jetë në jubileun e disa datave historike të popullit shqiptar. Sivjet kujtojmë 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skendërbeut,140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Adem Demaçi ishte i lidhur shpirtërisht me të gjitha këto data historike, por dita më e lumtur e jetës së tij kishte qënë 17 shkurti i vitit 2008. Pas shumë vuajtjesh e mundimesh më në fund arriti ta shohë Kosovën e tij të dashur të lirë dhe të pavarur. Vlen për ta shënuar se sivjet është 82-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, është gjithashtu 82-vjetori i lindjes së Rexhep Qosjës dhe 82-vjetori i lindjes së Adem Demaçit. Ky tresh I famshëm  kishte lindur në vitin 1936. Krijimtaria e tyre letrare, pasuron dhe nderon kombin shqiptarë brenda e jashtë atdheut. Të gjitha këto data historike kishin qënë frumëzim për Adem Demaçin, ndërsa liria dhe pavarësia e Kosovës ishin pjesa më e dhimbshme dhe më e lumtur e jetës së tij. Për Kosovën e tij të dashur kishte përjetuar ditët e kryqëzimit.”Kalvarin e Kosovës” Adem Demaçi e kishte përjetuar më rëndë se asnjë shqiptar tjetër. Të gjtha këto data janë të rrafshit kombëtar. Por ky ishte idealist i rrafshit ndërkombëtar. Adem Demaçi veproi paralelisht me personalitetet më të njohura të botës në fushëbetejën e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Sivjet është 50-vjetori i rënjes tragjike të Martin Luther King Jr. Martini i Amerikës dhe Ademi i Kosovës kishin shumë karakteristika të njëjta. Martin Luther King Jr. ishte trim siç ishte edhe Adem Demaçi, pastaj ishte orator siç ishte edhe Ademi. Matin Luther King Jr. ishte i pa korruptueshëm, i tillë ishte edhe Adem Demaçi. Martin Luther King Jr. është personaliteti më i nderuar i Shteteve të Bashkuara. Ditëlindja e tij dhe ditëlindja e Jezu Krishtit janë festat kombëtare dhe asnjë peronalitet tjetër i historisë amerikane nuk e gëzon këtë nderim. Disa historianë të kombit dhe të fesë e quajnë Martin Luther profet. Ai ka thënë: “ ata që kanë frikë vdekjen nuk e fitojnë lirinë”.
Nga historia e kombit tonë kisha mësuar se Gjergj Kastriot Skenderebu nuk kishte frikë vdekjen dhe sukseset  e tij ishin rezultatet e trimërisë së tij. Unë personalisht kam takuar një shqiptare që nuk kishte frikë vdekjen. Ajo ishte Nëna Tereze. Më vonë takova edhe një shqiptar tjetër që nuk kishte frikë  vdekjen. Ai ishte Adem Demaçi. Nëna Tereze e adhuronte jetën ashtu siç e adhuronte edhe Adem Demaçi. Ai mund të fliste gjithë ditën për shëndetin, për ushqimet e shëndetëshme për rëndësinë e gjimnastikës dhe ushtrimeve të tjera fizike. Dukej si të ishte profesor i mjekësisë. Asnjë ditë në jetën e tij nuk u ndalua pa thënë të vërtetën për Kosovën. Ai fliste vazhdimisht kundër korrupsioneve të ndryshme. Gjatë një bisede telefonike  e pyeta nëse kishte frikë ndërkombëtarët sepse ata mund ta burgosnin për  deklaratat e tij tepër të ashpëra. Ai tha: “Do të isha me fat sikur të më burgosnin. Burgimi im nga ndërkomëtarët do të zgjonte kurajon e gazetarëve të huaj rreth problemeve të Kosovës” Një herë tjetër e pyeta për kushtet e  jetesës dhe për të ardhurat muajore. Ai tha se pensioni i tij ishte 100 marka në muaj. Po kjo sasi është tepër e vogël për ju zotni Demaçi. Nuk është problem, është në rregull, ngase është njësoj si rroga e shumicës së qytetarëve të këtij vendi. Unë nuk dua më shumë. Jam i kënaqur me kaq tha Demaçi, e u kishte bërë shumë vërejtje ndërkombëtarëve sidomos për korrupsion. Ai thoshte që politikanët e Kosovës janë të korruptuar dhe si pasojë ata nuk mund të veprojnë për të mirën e Kosovës. Këtë qëndrim e ilustronte me themelimin e Gjykatës Speciale të Hagës për Kosovën.  Ai thoshte që edhe luftëtarët e lirisë ishin korruptuar aq shumë sa që nuk kishin forcë morale dhe as politike të kundërshtojnë themelimin e kësaj Gjykate të mbrapshtë. Ato ditë iu luta t’i jepte një intevistë “Zërit të Amerikës”. E pranoi megjithë deshirë, bile tha shumë gjëra në atë interviste. Këta ishin luftëtarë të lirisë dhe deri që u bënë miqë me ju nuk ishin të korruptuar. Të gjitha akuzat i ilustronte me fakte, siç kishte ndodhur me falimentimin e bankës gjermane dhe fondet e pensonistëve të Kosovës. 
Sivjet është 100-vjetori i lindjes së Nelson Mandelës, që ishte njëri prej disidentëve më të njohur të botës. Nelson Mandela është shpërblyer me Çmimin Nobel siç është shpërblyer edhe Martin Luther King Jr. Mandela dhe Martin Luther King  gjatë kohës së mundimeve kishin mbështetje të madhe kombëtare dhe ndërkombetare. Nelson Mandela kishte përkrahjen morale të 40 e sa vëndeve afrikane, ku jetojnë 500 milionë afrikanë. Ndërsa Adem Demaçi ishte qyqe vetëm. Ata u shpërblyen me Çmimin Nobel por jo Adem Demaçi, pavarësisht se e meritonte njësoj si ata.  Por ky është fati i popujve të vegjël. Nelson Mandela u pasurua shumë pas ardhjes së tij në pushtet. Bile ai u akuzua për korrupsion. Në paradën që ishte organizuar për nder të tij në New York, Mandela përshëndeti njerëzit me atë grushtin e “famshëm” komunist, sepse miqtë e tij në burg kishin qënë regjimet komuniste në krye me Fidel Kastron. Ajo paradë kalonte përpara zyrës së VOA në Federal Plaza, bile dola në rrugë për ta parë dhe bëra një reportazh për atë ceremoni. Për çudi Nelson Mandela ishte në anën e Millosheviqit gjatë Luftës së Kosovës. Të mos harrojmë se edhe Ivo Andriqi ishte nobelist. Leonard Fox, ish professor i Universitetit Columbia në New York, ka thënë se Adem Demaçi ishte disidenti më i pa korruptuar në botë

 Për shqiptarët e Amerikës Adem Demaçi ishte simbol i lirisë së Kosovës. Në gjitha demonstratat tona e mbanim në duar portretin e tij që shkruante: “Free Kosova, Free Adem Demaçi” (Lironi Kosovën, Lironi Adem Demaçin).Organizata për të Drejtat e Njeriut dhe Human Rights Watch dhe Amnesty International  ishin shumë të brengosura për gjëndjen e tij shëndetësore në burg, ata kishin frikë se ai mund të verbohej ngase tërë kohën e kalonte në terr. Gazetarët e huaj e kishin vizituar në burgun e Sremska Mitrovicës. Adem Demaçi vuante dyfish, sepse kishte bërë thirrje dhe veprime për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai ishte armik i sovranitetit dhe integritetit të Jugosllavisë. Pastaj ishte armik i diktaturës komuniste jugosllave. Kolegët e tij në burgjet jugosllave ishin atje sepse kishin kritikuar regjimin. Të tillë kishin qënë Mihaillovi e Gjillasi. Adem Demaçi kishte qëndruar për një kohë të gjatë në burgun e Sremska Mitrovicës ku kishte qënë edhe shkrimtari dhe disidenti i njohur Millovan Gjillas. Demaçi dhe Gjillasi ishin përplasur shumë herë kundër njëri tjetrit rreth problemeve shqiptare në Jugosllavi.  Adem Demaçi tregonte se Millovan Gjillas ishte nacionalist. 
Emëri i djalit të Adem Demaçit është “Shqiptar Demaçi”, ndërsa emëri i bijës së tij është Abetare Demaçi. Unë kurrë në jetën time nuk kam takuar shqiptar me emërin Shqiptar. Shqiptari në këtë rast personifikon kombin. Abetarja arsimin. Kombi dhe arsimi janë alfa dhe omega. Ata u shkolluan në kushte tepër të vështira. Megjthatë Shqiptari është mjek dhe kirurg i njohur në Prishtinë, ndërsa Abetarja elektro-inxhinere në Londër. Të dy janë të martuar dhe kanë fëmijë. Për shkollimin e tyre të vështirë tregon Hysen Ulaj . Ai kishte qënë në kohën e tyre student në Universitetin e Prishtinës. Zoti Ulaj tregon se ata ishin shumë të izoluar,sepse ishin në sy të pushtetit. Për arsimimin e tyre të shkëlqyeshëm dhe edukatën e  mrekullueshme merita kryesore i takon nënës së tyre Xhemajles. Ajo ishte bashkëshorte e vërtetë dhe nënë e shkëlqyeshme. Ishte mësuese shumë e përkushtuar. Në mesin e viteve 50′ Adem Demaçi u bë shkrimtar i njohur sidomos pas botimit të romanit “Gjarpërinjtë e Gjakut”. Kjo vepër ishte ndaluar menjëherë pas botimit. Është njëra prej veprave më të mira të letërsisë sonë. Thirrja e tij biblike “shtrije dorën e pajtimit e jo dorën e krimit” është mbase fjalia më e bukur e gjuhës shqipe. Kjo është thirrje biblike që do të citohet përgjithmonë. Shumë nga thënjet e tij janë profetike.
Në vitin 1991 Parlamenti Evropian e kishte shpërblyer me Çmimin  Saharov, që është çmimi më i lartë i këtij lloji pas Çmimit Nobel. Ai ishte ftuar në Strasburg për këtë dhuratë shumë të çmuar. Më këtë rast kishte mbajtur një fjalim para Parlamentit, duke i falenderuar për këtë shpërblim. Kishte folur gjërë e gjatë për historinë e Ballkanit dhe të popullit shqiptar. Adem Demaçi kishte folur gjerësisht për dhunën sllave mbi shqiptarët. Ai ua kishte thënë deputetëve evropianë se vuajtjet dhe mundimet e popullit shqiptar janë pasojë e politikës evropiane, ngase ata i kishin ndarë e coptuar tokat shqiptare. Adem Demaçi ishte treguar shumë i guximshëm. Kështu kishte folur At.Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës në Paris në vitin 1919 dhe Imzot Noli në Gjenevë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1924. 
Fondacioni “Dedë Gjo’Luli” në New York në mars të vitit 1992 e kishte ftuar për të marrë pjesë në kremtimin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911. Edhe pse në atë kohë gjendej në Suedi, Adem Demaçi mori pjesë shumë i lumtur në festën tonë. Bile bëri pak humor kur tha: “Ju falënderoj ju malësorëve dhe Dedë Gjo’Lulin që më ftuat në këtë festë”. Ai tregonte se gjatë kohës kur kishte qëndëruar në burg e kishte dëgjuar shumë herë këngën:”Dedë Gjo’Luli shkruan një letër”. Bile kishte thënë një herë se ajo këngë kishte qënë frymëzim për të. Pas disa ditësh organizova një pritje dhe interivistë me gazetarët amerikanë dhe të huaj në studion e madhe të Zërit të Amerikës në New York. Drejtori i VOA’s, Al Banks e priti mirë, bile kur i dha dorën I tha:”Ku ishe zoti Demaçi që të pres tash 30 vjet”(where have you been Mr.Demaçi, I’ve been waiting for you for 30 years). Gazetarët biseduan me Ademin për më shumë se një orë. Ai u la përshtypje të mrekullueshme. Ai foli gjërësisht për Sllobodan Millosheviqin dhe tragjedinë që do t’u sjellë popujve të Ballkanit, sidomos shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Intervista e tij u transmetua në të gjitha gjuhët e Zërit të Amerikës, bile edhe në anglisht. Ata thanë se Adem Demaçi ishte humanist i madh. Disa ditë më vonë u ftua për një konferencë me gazetarët në Kombet e Bashkuara. Këtë takim e organizoi i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në OKB, Sokol Necaj. 
Një javë më vonë u prit nga Komuniti Shqiptar. Këtë takim e drejtoi aktivisti Luigj Gjokaj. Ndërsa po fliste për rëndësinë e demokracisë, Dodë Gega përndryshe antikomunist i njohur nga Puka e pyeti. Ju zotni Demaçi dikur keni folur ndryshe e jo siç po flisni sot.  Ademi buzëqeshi,” e dijë e dijë zotni ku e ke fjalën dhe vazhdoi”: “vitin e kaluar isha në Shqipëri e vizitova atë vend fund e maje dhe dua t’ua themë të vërtetën e hidhur se as krijesat e marsit nuk kishin dijtë me e shkatrrua Shqipërinë siç e ka shkatërruar Enver Hoxha dhe Partia e tij  e Punës”. Pas këtyre fjalëve Dodë Gega u ngrit në këmbë i dha dorën dhe u përqafuan. Të pranishmit u emocionuan.  
Një javë më vonë Joseph Dio Guardi kishte organizuar takime të rëndësishme në Washington për Adem Demaçin.Atje u prit nga senatori Robert Dole dhe me disa kongresmen të njohur. Por takimi më i rëndësishëm kishte qënë me Sekretarin e Shtetit Lawrence Eagelburger. Në këtë takim morën pjesë Mark Krasniqi edhe Elez Biberaj. Adem Demaçi e kishte pyetur sekretarin Eagelburger nëse Shtetet e Bashkuara do ta njohin pavarësinë e Kosovës? Zoti Eagelbuer ishte përgjigjur tash për tash jo, por i kishte thënë mos gabo me u thënë shqiptarëve nesër po sepse kam me të demantaua menjëherë. Elezi tregon se ata kishin hyrë për një derë, dhe kishin dalur për një derë tjetër, ngase aty në koridor tek dera kryesore  priste amabasadori jugosllav për një takim me zotni Eagelburgër. Për këto, dhe episode të tjera mund të tregojë vetëm Elez Biberaj, ngase asnjëri prej tyre nuk jeton më. Më vonë Adem Demaçi kishte shkuar në Detroit për një vizitë të Komunitetit të Malësisë. Atje kishte shumë miqë malësorë  dhe siç tregonte ata e  kishin pritur me nderime të mëdha. Malësorët e Detroitit i kishin dhuruar një sasi të konsiderueshme të hollash që i kishte përdorur për një turne poltik në Evropë,në Australi, në Zelandën e Re dhe në Turqi. Kurdoherë kam folur me të në telefon më porosiste t’i falenderoja malësorët për miqësi dhe sjellje bujare. Ai ishte mirënjohës i jashtzakonshëm.Por njeriu që e ka nderuar më shumë se kushdo tjetër Adem Demaçin në Amerikë  është Shaqir Gashi dhe familja e tij. Shtëpia e Shaqir Gashit ishte si shtëpia e tij. Shaqir Gashi i kishte krijuar kushte të shkëlqyeshme për jetesën e Ademit në New York. Kishte vënë në dispozicion një apartament shumë komod ku mund të takonte shqiptarët dhe amerikanët për vizita të ndryshme. Aty Shaqiri kishte një restaurant luksoz. Zonja Gashi kishte jetuar derë më derë me familjen e Adem Demaçit në Prishtinë.
Në verën e vitit 2001 gazeta “The New York Times” botoi një artikull të gjatë për Adem Demaçin. Titulli i atij shkrimi ishte “Adem Demaçi Kampion i Lirisë së Kosovës”(Adem Demaçi Champion of Free Kosova) Sipas kësaj gazete Ademi është kampion i lirisë së Kosovës e jo dikush tjetër siç mendojnë disa dallaveraxhi. Adem Demaçi u sha dhe u fye më shumë se anjë shqiptar tjetër në Kosovë.  Ai më tregonte për ato shpifje të cilat shumë herë e kishin munduar shpirtërisht më shumë se torturat në burgjet jugosllave. Armiqët e tij kishin përhapur propagandë se ai gjoja kishte jetuar në hotelet më të mira të Jugosllavisë dhe se atje kishte kaluar kohën me gratë dhe vajzat më të bukura dhe më të mbrapshta të qytetit. Adem Demaçi nuk ua fali kurrë ato shpifje. Ata e treguan idiotsinë e tyre edhe në ditën e vdekjes së tij. Adem Demaçi meriton shumë nderime. Meriton ngritjen e një memoriali ashtu siç është Memoriali i Skenderebeut në Krujë, ose Memoriali i Abraham Lincolnit në Washington. Ai meriton një tempull ku do të luten shqiptarët para këtij burri të madh të kombit. Ai ishte njeriu më humanist që kam parë në jetë, pas Nënës Tereze. Adem Demaçi ka qënë shkrimtar, orator dhe filozof  si të kishte qënë i shkolllës së  Sokratit. Asnjë ditë në jetë nuk bëri kompromise në dëm të çështjes kombëtare. Ai ishte personalitet I përmasave botërore.  Breznitë e ardhshme duhet patjetër  të mësojnë nga ky gjigant i kombit tonë. Kishte dhunti profetike të Abrahamit dhe të Moisiut. Ishte si një Promethe i lidhur në Shkëmb të Shumadisë.  Adem Demaçi është gurthemeli i parë dhe kryesor i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Unë personalisht mësova shumë nga nga ky trim legjendar dhe jam krenar që jam i fisit të një trimi kaq të madh. Kosova duhet ta shpallë ditëlindjen e tij festë kombëtare.

P.S. Ky fjalim  që është mbajtur në gusht të vitit të kalaur në orën përkujtimore për Adem Demacin në New York botohet me disa ndryshime të vogla. Një mik i imi i Adem Demaçit, më sugjeroi që kjo elegji të mbetet e shkruar.