“Art Club” dërgon mesazh ngushëllimi me rastin e vdekjes së shkrimtarit të njohur

MESAZH NGUSHËLLIMI ME RASTIN E VDEKJES SË SHKRIMTARIT PËR FËMIJË REXHEP HOXHA

Me pikëllim të thellë mësuam lajmin se shkrimtari i njohur shqiptar nga Republika e Kosovës, Rexhep Hoxha, ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare. Veprat e tij, edhe në shkollat shqipe në Malin e Zi janë mësuar dhe lexuar me adhurim të posaçëm. Ka qenë model edhe për autorët për fëmijë të Shoqatës sonë.

Andaj, në emër të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, trashëgimtarëve të tij dhe shkrimtarëve për fëmijë të Kosovës, u dërgojmë ngushëllimet tona të sinqerta, duke nënvizuar se Rexhep Hoxha do të mbetet përherë në kujtesë si shkrimtar i paharruar.

Rexhep Hoxha u lind në Gjakovë, në vitin 1929. Ishte shkrimtar e profesor. Ai i takon brezit të parë të shkrimtarëve për fëmijë në Kosovë. Mbaroi shkollimin fillor dhe Normalen në Gjakovë, ndërsa studimet për gjuhën shqipe i kreu në Beograd. Deri në pensionim, ligjëroi lëndën Letërsi për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Është autor i librit të parë për fëmijë të botuar pas Luftës së Dytë Botërore. Romani “Lugjet e verdha” vjen si roman i parë i mirëfilltë në letërsinë shqipe për fëmijë në përgjithësi, i cili, si edhe disa romane të tjera të tij (“Verorja”, ”Lugjet e verdha” II) ndërtohet nëpërmjet gërshetimit të përrallës me motive reale. Hartoi edhe tekste shkollore. Veprat e botuara: “Gjethe të reja” (1953), “Picimuli” (1956), “Mbi krahët e fluturës” (1959), “Pika vese” (1966), “Lugjet e verdha” (1967), “Vargu idhnak” (1971), “Micimiri” (1976), “Lulëzo, vendi im” (1973), “Zëri i pyllit” (1974), “Tokë trëndafilash” (1979), “Verorja” (1983), “Zogu i qiellit” (1984), “Kënga e Cupërliqes” (1989), “Picimuli në Poroj” (2000) etj.