Malësori publikoi këngën e re “ Llafe, llafe” (video)

Nga Gjekë Gjonaj

Këngëtari i mirënjohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar me rrënjë nga krahina e Trieshit të Malësisë së Mbishkodrës, Malësori para pak ditësh publikoi një projekt të ri. Fjala është për këngën “ Llafe, llafe”, e shoqëruar me vidoklip, të realizuar në Prishtinë nga videoproduksioni “ Piksels”.

Tekstin e këngës e ka shkruar dhe kompozuar Ilir Berani. Për orkestrimin është përkujdesur Miti Geci. “Kënga është ritmike, me plot dinamikë dhe atmosferë verore”, thotë Malësori, duke shpresuar se kënga do të pëlqehet nga fansat e tij të shumtë në gjithë hapësirën mbarëshqiptare dhe në dispaorë.

Kujtojmë se Malësori ka një veprimtari të gjatë dhe të suksesshme artistike në skenën muzikore. Ka bashkëpunuar me këngëtarët më në zë shqiptarë dhe ka shfaqur qindra kocerte në Mal të Zi, Kosovë e vende të tjera . Kudo është mirëpritur dhe duartrokitur për zërin e tij të ëmbël , karakteristik, të veçantë dhe sjelljen e tij shembullore si artist i mirëfiltë, i cili di jo vetëm të kënaq publikun, por edhe të respektojë atë.

Fillimet artistike të këngëtarit tim të preferuar Malësor Prenkoçaj, i lindur në kryqytetin e Malit të Zi në Podgoricë ( atëherë Titograd) e kam ndjekur që në moshën e tij 14 vjeçare, kur u anëtarësua në SHKA” Besa” të Trieshit. Ishte kënaqësi e veçantë të shohësh një djalosh ( nip) të lindur dhe të rritur në një qytetet ( kryeqytet) me më se 99 për qinnd me popullatë joshqiptare, të veshur në veshë kombëtare, xhamadan, çakshirë , qeleshe të bardhe dhe këpucë lëkure, fillimisht si inastrumentist e më pastaj edhe si këngëtar. Ansambli “ Besa” ishte ajo lule e bukur ku Malësori e nuhati dhe e mori nektarin e parë të muzikës, i cili e frymëzoi, e brumosi, e gdhendi dhe e pasuroi atë me dashuri ndaj kulturës muzikore, trashëgimisë kulturore dhe vendlindjes të të parëve të tij.

Me shëmbullin e Malësorit krenohet e gjithë Malësia dhe më gjerë. Për faktin se ka shumë pak të rinj shqiptarë si Malësori në Malin e Zi që e fitoi luftën e vështirë, gati të pamundur ndaj asimilimit të plotë. Dhe atë falë mbi të gjitha dashurisë së jashtëzakonisht të madhe që kishte për të ruajtur gjuhën, gjakun, kombin, kulturën, traditën dhe flamurin shqiptar. Populli ynë nuk ka thënë kot: “ Gjaku nuk bahet ujë”.

Gjithësesi duhet theksuar se kontributin më të madh në rrugëtimin dhe formimin e Malësorit si këngëtar kanë dajët e tij, për të cilët ai ka shumë konsederatë.