”NË FUND PRAPË SHASI DO FITOJË”

Nga Haxhi Sulejmani *

Shasi është mësuar me shkeljet e çizmeve jonjerëzore e shkatërrimtare. Megjithatë, përkundër gjithçkaje, ata që e gjymtuan dhe e luftuan, sot janë larg prej liqeni, kurse Ai është po aty, mbi syrin e ballit, mbi Liqenin e Shasit.

Reagimi i vjetëm dhe i sivjetëm i qytetarëve autokton dha frytet e veta të para. Shasi arkeologjik nuk do të mund të shkelet nga asnjë trup e mendje dashakeqe. Pavarësisht atyre që vjetë u munduan ta minimizojnë reaksionin e banorëve anamalas, sivjet numri i atyre që u solidarizuan u rrit, reagimi institucional ishte më i vendosur dhe trashëgimia jonë kulturore u mbrojt. Tutje, na takon të gjithëve të punojmë më fort që kjo temë të përmbyllet përfundimisht dhe tej të kaluarës të respektohet edhe e sotmja. E sotmja janë banorët anamalas, përfaqësuesit e tyre dhe Bashkësite Lokale, të cilat në çdo rast do duheshin pyetur për secilën ngjarje që ndodhë në tokën e tyre, mbi eshtrat e të parëve të tyre.

Për ironi të fatit, kjo ngjarje zhvillohet në verë, atëherë kur Akademitë dhe Institucionet e vendeve tona amë kanë pushimet verore, pushime që pasohen nga rehabilitime të gjata deri në pushimet e radhës. Megjithatë, me ta ose pa ta, me cilindo ose pa cilindo, në fund si çdoherë ka për të ngadhënjyer e vërteta, ka për të fituar Shasi.

*autori i tekstit është sekretar gjeneral i Partisë Demokratike