Ja hapësira në qytetin e Shasit ku nuk do të lejohen aktivitete nesër

Kisha e Shën Gjonit në Shas

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, informon opinionin publik lidhur me vizitën “liturgjike” të paralajmëruar nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, në lokalitetin ilir arkeologjik të Shasit, për ç’rast e kemi informuar me shkresë zyrtare kryeministrin e Malit të Zi z. Dushko Markoviq, të cilit i kemi kërkuar të marrë masa, kështu thuhet në një kumtesë të KKSH-së.

Në të njëjtën kumtesë mësohet të jetë njoftuar edhe Drejtorinë e Policisë nga ana e KKSH-së.
”Po ashtu e kemi njoftuar edhe Drejtorinë e Policisë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e organeve të rendit në Komunën e Ulqinit, nga të cilët kemi marrë premtim se çdo gjë do të jetë nën kontrollin dhe mbikqyrjen e tyre dhe se nuk do të lejohen aktivitete brenda perimetrit të lokalitetit arkeologjik në qytetin e Shasit”, thuhet në kumtesën e KKSH-së.

Vitin e kaluar në të njëjtin vend ka pasur një përplasje të banorëve me pjestarët e Kishës Ortodokse Serbe rreth aktivitetit të tyre pasi sipas banorëve të Anës së Malit e gjitha kishte të bënte me një provokim ndaj popullatës të zonës e cila është e gjitha shqiptare.