Nika informon kryeministrin Markoviq për vizitën “liturgjike” në Shas, apel qytetarëve të ruajnë qetësinë

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, informon opinionin publik lidhur me vizitën “liturgjike” të paralajmëruar nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, në lokalitetin arkeologjik të Shasit, për ç’rast e kemi informuar me shkresë zyrtare kryeministrin e Malit të Zi z. Dushko Markoviq, të cilit i kemi kërkuar të marrë masa, kështu thuhet në një kumtesë të KKSH-së të nënshkruar nga kryetari i saj z. Faik Nika.

Në shkresën drejtuar kryeministrit, Këshilli Kombëtar ka shprehur shqetësimet, qëndrimet dhe reagimin e popullit shqiptar në Malin e Zi lidhur me provokimet e vazhdueshme të Kishës Ortodokse Serbe ndaj trashëgimisë kulturore dhe lokaliteteve arkeologjike në vendbanimeve shqiptare në Malin e Zi.

Po ashtu e kemi njoftuar edhe Drejtorinë e Policisë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e organeve të rendit në Komunën e Ulqinit, nga të cilët kemi marrë premtim se çdo gjë do të jetë nën kontrollin dhe mbikqyrjen e tyre dhe se nuk do të lejohen aktivitete brenda perimetrit të lokalitetit arkeologjik në qytetin e Shasit, vazhdon kumtesa.

Këshilli Kombëtar iu bën apel të gjithë qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të tregojnë maturi dhe të mos bien pre e provokimeve tendencioze, të cilat mund të plasohen në media dhe opinionin e gjerë si konflikte ndëretnike dhe ndërfetare e që mund të jetë edhe qëllimi kryesor i “manifestimeve” të tilla, të përsëritura.

Ne si popull kemi treguar durim e maturi edhe në raste e provokime më të rënda në të kaluarën, prandaj edhe këtë rast duhet të tregojmë nivelin tonë kulturor përmes qetësisë dhe pa provokime, sepse jemi të bindur se kështu i shërbejmë më së miri interesit tonë, përfundon kumtesa e KKSH-së.