Koja e zbrazur me gjashtë përmendore

Nga Gjekë Gjonaj

Gjëja e parë  që i bie në sy mysafirit apo kalimtarit të rastit  në   Kojë, vendbanim me popullatë shqiptare 15 kilometra larg Podgoricës, përveç natyrës së mrekullueshme dhe shtëpive përdhese të punuara prej guri, tashmë të zbrazura, janë përmendoret – shtatoret,  e personaliteteve të njohura historike të trevës dhe  të figurave të shquara fetare. Ditën e festës fisnore të kësaj krahinë shqiptare,  Sh’na Nout, më 13 qershor 2019, u zbulua shtatorja e këtij shenjtori, donacion  i dy mërgimtarëve  kojas në Shtete të Bashkuara të Amerikës, Kolë dhe Tomë Ivanaj. Prej atë ditë Koja bëhet apo pasurohet edhe me një shtatore tjetër, duke e çuar numrin e tyre në gjashtë sosh. Kojasit në mërgim përmendoren në Kojë ua  ngritën   shtatë dëshmorëve të tyre, Dok Krcajt,Cak Ivanajt, Kolë Marashajt, Gjeto Kolçajt, Tomë Ivanajt, Gjeto Ivanajt dhe Marash Gjokajt, të cilët  dhanë jetën për trojet arbërore   në  Kryengritjen e Malësisë  në vitin 1911, në Deçiq.  Fshatin Kojë e zbukurojnë edhe     shtatorja e Nënë Terezës,  Prëtash  Zekës Ulaj, Prëtash Shabës Gorvokaj dhe priftit Mark Bakoçaj( Gjeloshaj) .

  • Si të duket Koja?  Ke shëtitur shumë treva shqiptare  dhe ke parë edhe vende të tjera, i them unë një  intelektuali të mirënjohur dhe të respektuar  nga Malësia, i cili kishte ardhur atë ditë  në  manifefestimin  “ Logu i  festës së Sh’na Nout”,  organizuar nga  shoqata “ Koja” me veprim në  SHBA.
  • Krahinë e bukurë shqiptare.   Me histori të lavdishme.   E njohur me burra të shquar,  luftëtarë,  atdhetarë, besnikë, fisnikë , mkikëpritës e të ndershëm.  Mbrojtës të flaktë të  trojeve arbërore, nëpër fortuna e regjime të ndryshme të kohës. Ruajtës  fanatikë të trashëgimisë  kullturore shqiptare dhe vlerave kombëtare shqiptare.  Por, trevë e  pazhvilluar  ekonomikisht. Pa infrastrurkurë të domosdoshme. Pa rrugë të asfaltuar plotësisht nga rruga kryesore për në Ubla, deri në qenddër të fshatit. Pa ujësjellës të përfunduar.    Pa shkollë katërklasëshe ku dikur mësimi zhvillohej në gjuhën serbokroate-malazeze e gjuhën shqipe. Pa shitore me artikuj ushqimorë.  Pa linjë autobusi. Pa ambulancë. Me përkujdesje të vështirësuar shëndetësore.  E zbrazur, domethënë e   vetmuar, më përgjigjet ai. 
  • Po. Këtu për shembull në vitin 1971,  kanë jetuar  81 familje  me 536  banorë.  Në atë kohë fshati   gjallëronte  nga njerëzit. Shkolla katërklasëshe zhurmonte  nga nxënësit.  Prindërit  kënaqeshin  me fëmijët. Gjjyshërit dhe gjyshet  me nipat e mbesat. Barinjtë dhe bareshat    shoqëroheshin  me  njëri –tjetrin  me grigjën  e tyre të dhenëve, larg fshatit në bjeshkët e larta të Koritës dhe Koshticës derië tek liqeni i Rikavecit, ku i kishin dhe vazhdojnë t’i kenë  tëbanet ( dbanet) e tyre.  Të rinjtë e të rejat e fshatit aregëtoheshin  duke luajtur lojëra  të ndryshme popullore,  duke kërcyer valle, e duke  kënduar shqip nën tinguj e fyellit , zypares, çiftelisë e lahutës.  Arat , tashmë djerrina, ishin të mbushura plot  me produkte vendore, misër, thekër, patate, lakra, qepë  e të tjera që kultivoheshin me kujdes nga duartë e vyera të banorëve të këtushëm   që janë  shëmbëlltyrë për gjeneratat e ardhshme. Nga ana tjetër sot , siç më informuan,  në Kojë  gjatë gjithë vitit jetojnë vetëm gjashtë  familje, dhe se   dy  prej këtyre familjarëve  veç kanë marrë vizën e mërgimtarit në Amerikë të cilët  dhe së shpejti do ta lëshojnë vendlindjen  e vet, i them unë.
  •  Koja legjendare po zbrazet. Po boshatiset gjithnjë e më shumë, ndërsa numri i përmendoreve po shtohet,ma ktheu ai .
  • Ashtu është. Koja u  mbush me përmendore!   Fund e krye shtatore. Ne shqiptarët ( malësorët) ende jetojmë me patritiotizëm, ia ktheva unë.
  • Po zotëri ne kemi luftuar,  kemi derdhur gjak për këto troje  dhe duhet t’i jetësojmë në vepër që më të mos harrohen  kurrë, m’u përgjigj.

Pas kësaj bisede të shkurtër miqësore, nën flladin e freskët të lisave para Kishës së Sh’na Nout, atë ditë përvëluese qershori,  u dakorduam se  tendenca e shtimit të përmendoreve nuk është e pranishme vetëm në Kojë, por edhe në trevat tjera të  Malësisë, Kosovë e Shqipëri.

Jemi popull romantik.Ne viteve të fundit më shumë jemi orientuar  të ndërtojmë  shtatore, se sa të    të ndërtojmë fabrika,  të hapim vende të reja pune, të ndalojmë emigrimin e të rinjve tanë dhe të  ndërtojmë një Malësi  me mundësi të reja për të gjithë pa dallime dhe gjithandej pa diskriminime. Kur do të tejkalohet kjo krizë e identitetit? Edhe sa përmendore na duhen ne shqiptarëve  që të ndjehemi  ashtu si  ne mendojmë  që duhet të ndjeheni? 
Nëse vazhdojmë që në çdo cep të Malësisë të ndërtojmë nga disa shtatore, pllaka përkujtimore e të ngjashme Malësia do të  shndërrohet në trevë  ku përmendoret kanë prioritet para qytetarëve të cilët jetojnë në këtë  krahinë   dhe kontribuojnë nëpërmjet të taksave në mbarëvajtjen e  saj. Vallë, mos  ka ardhur koha të mendojmë se  mos e kemi tepruar pakë me këto përmendore, të cilat  me siguri kanë një kosto të lartë financiare, derisa rinia po  ikën çdo ditë për shkak të papunësisë dhe moszhvillimit ekonomik të Malësisë.